Shkenca ka shumë informacione për të ofruar në lidhje me efektivitetin e bartjes së maskës, për të ndaluar përhapjen e coronavirusit, mirëpo mënyra e ofrimit të atyre informatave ka filluar të marrë një ngjyrim tjetër; si histori sensacioniste të medieve.

Studimet mbi maskat ende nuk janë plotësisht përfundimtare, mirëpo luajnë rol kyç për të shmangur rreziqet shëndetësore – deri tek problemet me kancer, shkruan artikulli në Bloomberg.

Gjithsesi është akoma më mirë të marrësh vendime bazuar në disa prova jo të plota se sa t’i injorosh ato plotësisht.

Në këtë rast, këto të dhëna, ndihmojnë të reflektojnë në një dozë të vetëdijes për situatën e tanishme.

Komuniteti i shëndetit publik në fillim këshilloi njerëzit që të mos i bartin ato, dhe pastaj krejt papritur deklaroi që njerëzit nuk duhet të dalin nga shtëpia pa maskë në fytyrë.

Disa njerëz ende kanë frikë nga virusi dhe duan të qëndrojnë të sigurt, dhe të tjerët, janë “në paqe” me rrezikun që i rrethon, por respektojnë disa rregulla për të qëndruar “të mirë” – ose të paktën të perceptohen si të tillë.

Siç edhe dihet, deri më tani janë publikuar studime të arsyeshme që tregojnë se maskat mund të parandalojnë spërkalat, të cilat mund të barten nga goja e njerëzve; kjo e dëshmon edhe potencialin e saj për të mbrojtur të tjerët.

Veç kësaj u lansuan edhe disa studime të vëzhgimit, të cilat monitorojnë përdorimin e maskave në botën reale.

Kështu, më 1 qershor, “The Lancet” publikoi një analizë të 172 studimeve, të cilat shumë prej tyre u bënë në ambiente të kujdesit shëndetësor.

Autorët erdhën në përfundimin se bartja e maskës, mbrojtja e syve, si dhe distancimi shoqëror mund të zvogëlojnë përhapjen e virusit, megjithëse autorët potencuan edhe një shkallë të lartë pasigurie mbi studimin.

Një studim tjetër erdhi si pasojë e bartjes së detyrueshme të maskave duke parë situatën e sëmundjes në Wuhan dhe në qytetin e New York-ut.

Shumë studiues vunë re defektet e atij studimi, botuar në “Procedimin e Akademisë Kombëtare të Shkencave”.

Me këtë rast vonesat nga një deri në dy javë të infeksioneve dhe rezultateve, do të sugjeronin se infeksionet në qytetin e New York-u, ranë shumë përpara se maska të bëhej e detyrushme.

Dhe disa ekspertë donin që studimi të anulohet, thuhet në artikullin e Bloomberg.

Kur ka ndryshime të situatave që ndodhin në të njëjtën kohë, mund të jetë e pamundur që njerëzit t’i shmangin ato informacione.

Kjo nuk do të thotë që informacioni në ato studime është i padobishëm.

Përkundër kësaj, mjeku dhe specialist i sëmundjeve infektive, Muge Cevik, tha se duhet të shpërndahet informacioni për bartjen e maskave lidhur edhe me përhapjen e coronavirusit.

Cila është përgjigja?

Një studim thotë se takimet e shkurtra mes njerëzve paraqesin rrezik shumë të vogël për përhapjen e coronavirusit; si ata që vrapojnë apo edhe që ecin para jush.

Kështu, dikush mund të sugjerojë që nëse një aktivitet nuk paraqet ndonjë rrezik të madh, atëherë edhe bartja e maskës duhet të jetë opsionale.

Në anën tjetër, ekzistojnë mundësi të mëdha të përhapjes së virusit, si në ambientet e mbyllura, veçanërisht nëse njerëzit kanë kontakte të ngushta me njëri-tjetrin, apo edhe në rastin e disa protestave.

Bartja e maskës ka të ngjarë të kryejë rolin e saj në ambiente të tilla, ku njerëzit kanë pak mundësi të lëvizin lirshëm – në dyqane, transporte publike, sallonet e bukurisë, apo edhe vizitat tek mjeku.

Në këtë kategori përfshihet edhe bartja e pajisjeve në grupe të mëdha, sikurse protestat. Nëse shumica e protestuesve i mbajnë maskat në çdo kohë – atëherë kjo zvogëlon rrezikun e transmetimit.

Cevik, i cili punon në Universitetin e Saint Andrews në Mbretërinë e Bashkuar, theksoi se rregulli prej dy metrave duhet të zbatohet më së miri në ambientet e jashtme, ndërsa në ambientet e ndotura, grimcat e aerosolit mund të grumbullohen dhe të rrezikojnë shëndetin e njerëzve edhe në qoftë se ata nuk i afrohen njëri-tjetrit.

Gjatësia e kohës së ekspozimit ka shumë rëndësi, kështu që drejtuesit e autobusëve, sallonet e bukurisë, apo edhe nëpunësit e dyqaneve përballen me një rrezik shumë më të madh se sa klientët e tyre. Kështu që rreziku ka shumë të ngjarë të ulet nëse klientët i bartin maskat.

Një tjetër kategori problematike aktivitetesh, është edhe ngrënia në restorante, ku maskat nuk mund të barten vazhdimisht.

A duhet që sa herë të ushqehemi të heqim maskën e më pas ta vendosim përsëri?

Disa ekspertë thonë se një sjellje e tillë, do të përhapë çdo virus që maska e ka absorbuar. Kështu shumë restorante po ofrojnë mundësinë që njerëzit të hanë jashtë dhe i lejojnë ata të ushqehen pa maska.

Palestrat dhe studiot e yogës paraqesin një sfidë të ngjashme.

Rreziqet që lidhen me kontaktin e ngushtë, përfshirë dhe turmat, duken të dukshme.

E megjithatë disa janë fiksuar se doza e virusit mund të fluturojë nga çiklistët apo edhe të bartet nga pakot.

Si përgjigje disa po aplikojnë disa metoda joracionale të bartjes së maskës, të tilla si bartja e saj gjatë një udhëtimi, ose gjatë vozitjes së makinës, por duke e hequr atë gjatë grumbullimit me njerëzit.

Nuk është për t’u habitur që politika të “injektonte” këtë çështje, duke pasur parasysh debatet mbi maskat dhe mesazhet e ndryshme që barten në disa medie konservatore në SHBA.

Kemi një kategori të njerëzve që mbajnë maskë gjatë gjithë kohës, dhe disa prej tyre nuk i vendosin asnjëherë.

Do të ishte mirë nëse të gjithë ta bartin atë kur është nevoja, thuhet në analizën e publikuar në Bloomberg.

Ndryshe, që kur shpërtheu coronavirusi në Wuhan të Kinës, sëmundja shtriu ndikimin e saj në mbarë botën, kjo pasi virusi ka prekur globalisht tetë milionë njerëz, prej tyre 461 mijë kanë ndërruar jetë, ndërsa katër milionë persona u shëruan.

Krahasuar me dje, numri i njerëzve të infektuar në botë u rrit për 200.000, ndërsa në 24 orët e fundit, nga COVID-19 vdiqën edhe 8.000 njerëz.

Dhe SHBA-ja ende ka numrin më të madh të të infektuarve dhe rasteve të vdekjes – mbi 2,2 milionë të infektuar dhe rreth 119.000 raste të vdekjes.

Në vend të dytë është Brazili, i cili e tejkaloi numrin prej mbi një milion të infektuar.

Numri i të infektuarve me coronavirus në Brazil arriti në 1.038.568, ndërsa nga COVID-19 vdiqën 49.090 njerëz, kumtoi Ministria e Shëndetësisë e atij vendi.