Mustafa: Kosova duhet ta ketë Kopshtin Botanik dhe Zoologjik!

Intervistoi: Adem Lushaj

Bota sot: Profesor, cila është rëndësia e kopshtit botanik dhe zoologjik, për një vend?

Behxhet Mustafa: Kopshti botanik dhe zoologjik, janë institucione të shkencës, arsimit dhe edukimit, që shërbejnë për ruajtjen e koleksionit të bimëve dhe shtazëve të gjalla, ndërsa, detyra e tyre është, përparimi dhe zgjerimi i njohurive nga lëmi i botanikës dhe zoologjisë. Kopshti botanik dhe zoologjik, bëhen në sipërfaqe të vogla, ku në njërën anë të tyre, vendosen dhe ekspozohen, flora dhe fauna e atij vendi, dhe në anën tjetër prezantohen bimët dhe shtazët e viseve të ndryshme të botës, nga të cilat rinia, por, dhe të tjerët, mund të mësojnë shumë për botanikën dhe zoologjinë. Veçoritë e posaçme të këtyre kopshteve duhet të jenë, ekologjia dhe afërsia me natyrën.
Bota sot: Kosova me sa dihet është i vetmi shtet në Evropë, që nuk ka kopshtin botanik dhe zoologjik, si e shpjegoni këtë?
Behxhet Mustafa: Po është e vërtetë se Kosova është i vetmi vend në rajon dhe Evropë, që nuk  ka kopshtin e vet botanik dhe zoologjik. Në metropolet botërore si pjesë e pandarë e tyre janë edhe kopshtet botanike dhe zoologjike. Kopshti botanik i parë në botë është ai në Padovë (1545), ndërsa gjatë shekujve XVIII, XIX dhe XX në qendrat universitare të Evropës, Amerikës dhe Azisë, u formuan numër i madh i kopshteve botanike dhe zoologjike, të cilat detyrë kryesore kishin, zhvillimin e shkencave biologjike si dhe, ngritjen arsimore dhe edukative. Rrethanat historike kanë qenë të tilla në Kosovë që vet regjimi i atëhershëm, por, edhe rrethanat e tjera si ato ekonomike, arsimore, kulturore etj, kanë bërë që, këto kopshte, mos të shihen si interes, çka kanë mbetur pa u ngritur.
Bota sot: Ku qëndron rëndësia e kopshtit botanik dhe zoologjik për qytetarët e Kosovës?
Behxhet Mustafa: Rëndësia e ngritjes së këtyre kopshteve në Prishtinë, do të ishte shumë e madhe, sepse, në sipërfaqe të vogël përveç llojeve floristike dhe faunistike endemike, të rralla dhe karakteristike të Kosovës, vendoset flora dhe fauna e viseve të ndryshme të botës, ku nxënësit, studentët dhe të gjithë qytetarët e interesuar, qoftë si individ ose si grupe të organizuara të turistëve, kanë mundësi të njihen me të dhe ta mësojnë atë. Duhet ta dimë të gjithë se, ngritja e kopshtit botanik dhe zoologjik, në Prishtinë, ka rëndësi kombëtare, shkencore, arsimore, kulturore, turistike dhe me ngritjen e tyre, nxënësit dhe studentët kosovar, nuk kanë nevojë të shkojnë në kopshtet botanike dhe zoologjike të vendeve fqinje, për të plotësuar njohuritë e caktuara. Ngritja e këtyre kopshteve, do të ketë rëndësi praktike edhe për faktin se, në të do të ruhen llojet e rralla të florës dhe faunës sonë, shumë prej të cilave janë në rrezik të zhdukjes.
Bota sot: Cilat janë komponentët e kopshtit botanik dhe atij zoologjik?
Behxhet Mustafa: Komponentët bazë të kopshtit botanik dhe zoologjik, duhet të jenë parcelat e caktuar të hapura për bimë apo shtazë, kopshti qelqor, muzeu i natyrës dhe instituti i botanikës apo zoologjisë.
Bota sot: Cilat janë vështirësitë për krijimin e këtyre kopshteve dhe mbajtjes së tyre?
Behxhet Mustafa: Për krijimin e kopshtit botanik dhe zoologjik, duhet planifikim, organizim, profesionalizëm dhe mjete materiale. Ato duhet të ngritën sipas të gjitha standardeve që i kërkon një kopsht botanik dhe zoologjik i mirëfilltë. Përparësia është se, për ngritjen e tyre, nuk duhet hapësirë e madhe, ndërsa zgjedhja e lokacionit duhet të jetë adekuate dhe në përputhje me kërkesat që duhet për ngritjen e një kopshti botanik apo zoologjik. Tu kujtoj se, në planin urbanistik të Prishtinës të vitit 1978, të përgatitur nga ekipi i prirë nga arkitekti ynë i shquar prof. Bashkim Fehmiu, ishte caktuar  lokacioni edhe për kopshtin botanik dhe për atë zoologjik. Për kopshtin botanik ishte caktuar hapësira në Veternik në anën jugore të spitalit, ku tash e tëra është betonizuar nga ndërtimet e pa planifikuara dhe lokacioni për kopshtin zoologjik ishte caktuar rrëzë Gërmisë, duke shkuar në të majtë, ku po ashtu nga ndërhyrjet e pa planifikuara të pas luftës, ka humbur kuptimin e atij destinacioni. Në planin zhvillimor të Komunës në zonën “Prishtina e Re”, thuhet se parashihen lokacione edhe për destinacione të tilla, por, mbetet të shihet si dhe kur do fillojnë së realizuari.
Bota sot: Sa është e kushtueshme ngritja dhe funksionimi i këtyre institucioneve, pra kopshtit botanik dhe zoologjik?
 Behxhet Mustafa: Ngritja dhe funksionimi i këtyre kopshteve, pa dyshim që kushton mjaft, veçmas, kopshtit zoologjik, por, nëse menaxhohen si duhet, shembujt e shumë vendeve në rajon dhe Evropë, kanë treguar se nga këto kopshte, mund të gjenerohen mjete të mjaftueshme, për funksionimin e tyre të pavarur.
Bota sot: Kush duhet të jetë bartës dhe implementues i këtyre projekteve kaq të rëndësishme për vendin tonë?
Behxhet Mustafa: Përgatitjen e projekteve të tilla duhet ta bëjnë botanistët apo zoologët, ndërsa, bartës dhe implementuese, duhet të jenë MASHT, Ministria e Kulturës dhe Universiteti i Prishtinës.