1.
Dje, Thaçi – Presidenti aktual i Kosovës, prej nga Prishtina, në një intervistë për “Zëri i Amerikës”, e mirëcilësoi Takimin historik të 27 qershorit 2020 në Uashington si një “mundësi e artë për të arritur një marrëveshje të rëndësishme Kosovë-Serbi”. Mirëpo, pak lexohet e shumë kuptohet se “letrat nuk janë të hapura” dhe “Marrëveshja” nuk mund të nënshkruhet fill pasi palët negociuese të pijnë nga një kafe amerikane, po ka gjasa, ma së forti, që “Takimi” të zgatin ndoshta deri të nesermen e 28 qershorit 2020.
Dihet, botnisht dihet, se ky “Takim në Shtëpinë e Bardhë” ka brenda tij Histori, Diplomaci, Politikë…, ndaj mbajtja më 27-28 qershor 2020 (kisha me thanë) nuk është në kohën e duhur, nuk sjell e përcjell një “atmosferë të artë” etj. Dhe, nëse Takimi nuk do të mbahej në kryeqëndren e botës, në Amerikën e Xhorxh Uashingtonit, me Presidentin e sotëm Donald Trump tejet vendimmarrës, atëherit rrezikohej dhe “Marrëveshja” me ato firmat e dhimshme nënshkruese, etj.
Pse flasim kështu, kësisoj…?!
Takimi i Uashingtonit (ndoshta) nuk duhet mbajtur më 27 apo 28 qershor 2020, pasi përkon me Tri Data-Ngjarje PanShqiptare, NdërBallkanike, Europiane, Amerikane, Aziatike, me një fjalë të vetme: Planetare, që kanë të bajnë direkt me Kosovën, me shtetin e ri të Kosovës së pavarur e sovrane, e cila është palë e Takimit (të deklaruar) dhe Pjesë e Marrëveshjes (së pritshme)…
2.
Më 28 qershor 1389 zhvillohet Beteja e Fushë-Dardanisë (Fushë-Kosovë, afër Prishtinës) e Lidhjes Ballkanike (Shqiptarët, Serbët, Bullgarët, Rumunët) kundër Perandorisë Otomane, të cilën Serbët, të gjithë “Vuk Karaxhiqët” e Serbisë së Krajlëve e Jugosllavisë së Titos e Milloshevicit, Shteti, Kisha e Akademia e Shkencave Serbe, e manipuluan krejtësisht, e kthyen tanësisht në një Mit Serb, për të mbajtë të prushtë frymën nacionaliste pushtuese e aneksuese dhe asimiluese serbe ndaj të tjerëve, vecmas ndaj Shqiptarëve në Ballkan. Kjo u dëshmue botnisht dhe në luftërat e Serbisë në Kosovë, Kroaci, Bosnje-Hercegovinë etj.
Ende, vit pas viti, “28 Qershori”, i pagëzuem nga Sinodi i Kishës së Serbisë si “Dita e Shën Vidovanit”, e kanë shpall Shenjt Car Llazarin e Serbisë, etj., Serbët e Serbisë kryejnë pelegrinazhe në Fushë-Kosovë duke provokue Kosovën me parulla e thirrje irridentiste, shovene, tipike fashiste e serbo-sllave. Kjo ndodh se pikësëparit se ky Miti Serb u krijue për ta pasë Kosovën dardane pjesë territoriale të Serbisë.
Si do ta shpjegonin Presidenti i Serbisë, A. Vuciq, Presidenti i Kosovës, H.Thaci, I Ngarkuari i SHBA për Dialogun e Marrëveshjen Kosovë-Serbi, R. Grenell, nëse edhe sivjet, më 28 qershor 2020, në 631 vjetorin e Betejës së Fushë-Kosovës do të kemi pelegrinazh, “Vidovan”, thirrje e veprime shovene të serbëve për ta kthye shtetin e Kosovës me Serbinë e sotme, për ta ba Serbinë e Madhe në Ballkan. Sigurisht nuk i dihet se cka do të ndodh nga shovinizmi serbo-sllav i Ballkanit e Stepave të Rusisë në Fushë-Kosovë, Nish e Beograd (apo ndokund tjetër) më 28 qershor 2020, po përgjegjësia (edhe për incidentet ma të vogla) do të mbetet e tre organizatorëve kryesor të Takimit të Uashingtonit.
3.
Më 28 qershor 1914 ndodhi ajo që nuk pritej të ndodhte: në Sarajevë të Bosnje-Hercegovinës vritet Princi Austro-Hungarez, Fracesco Ferdinando. Kjo u krye nga një organizatë e të rinjve serbë të Bosnjes, e quajtun “Dora e Zezë”.
Pjesmarrës në atentat ishte dhe antishqiptari Vasa Cubrilloviq, tevona akademik i Serbisë e hartuesi i Memorandumit famëkeq e genocidial “Dëbimi i Shqiptarëve”, shpallur me 7 mars 1937. I kthyem në platform për të gjitha qeveritë krajliane e republikane të Serbisë e Jugosllavisë (e tre-katër Jugosllavive të derisotme). Edhe liderë ballkanikë e kanë quejt Presidentin Vuciq një “Millosheviq i Dytë, plus Cubrilloviq”.
Edhe 28 qershori i 1914-tës do t’i sillte shumë fatkeqësi Kosovës dardane, deri në pushtim e aneksim gjakatar nga Jugosllavia e Titos dhe e Milloshevicit, deri në Lirinë e saj (1999) e Pavarësinë e saj (2008).
Kush mund të garantojnë botnisht se Vuciqi i Serbisë apo Putini i Rusisë (apo njerëzit e tyre gjithandej) nuk kanë paramendue apo veprimtarojnë ndonjë të pabame, ndonjë akt nacional, diplomatik, politik të atillë që bie ndesh dhe me Takimin e Uashingtonit. Kjo praktikë, me përqasje ndaj kësaj date, është e njoftune edhe nga Stalini i ish-BRSS, lidershipi i atëhershëm komunist, i cili më 28 qershor 1948 e shpalli Letren e famshme të Hapur të InformByrosë për dënimin e Titos së Jugosllavisë, për t’i ngritë serbët kundër Titos me prejardhje kroate, etj.
Cka nuk prêt nga serbët e tipit Vuciq e nga rusët e tipit Putin, packa se ia dijnë fort mirë tuten Amerikës, e kanë provue dhe me Bushët e Klintonët, dhe kemi shpresë të madhe t’ua tregojnë drejtësinë amerikane edhe Presidenti Amerikan Donald Trump më 27 apo 28 qershor 2020 në Shtëpinë e Bardhë në Uashington.
4.
Më 28 qershor 1989, lideri serb, antishqiptari Sllobodan Millosheviq, i udhëhoqi nacionalistët serbë drejt Fushë-Kosovës (afër Prishtinës) ku me deklaratat e qëndrimet e tij shoviniste fashiste ndaj shqiptarëve e Kosovës së tyre, coi drejt një lufte të përgjakshme Kosovën e Ballkanin.
Dihet se Serbia e kohës së Millosheviqit i dëboi 800 mijë shqiptarë nga territoret e tyre etnike në Kosovën dardane; janë kryer masakra genocidiale; u vranë 15.000 persona, nga të cilët 2.400 luftëtarë të UCK-së, të tjerët qytetarë të thjeshtë, njerëz të pafajshëm; janë zhdukur mbi 5.000 shqiptarë të Kosovës, etj.
5.
Natyrisht, edhe nëse Takimi i Uashingtonit do të mbahej më 11 apo 12 qershor 2020, në përvjetorin e Lirisë së Kosovës dardane (12 qershor 1999) ndoshta do të thoshja se do të ishte një provokim për palën serbe, po jam i sigurt se po të ndodhte ky përkim kohor datash do të ishin të parët serbët e Beogradit e rusët e Moskës që do ta ngrenin zanin e tyre në masmediat botërore, në kancelaritë euro-atlantike nga Brukseli në Uashington, etj. Ne, Shqiptarët, heshtim…, pavarësisht se në histori na përkojnë shpesh herë këto data jo vetëm në lidhjet me Serbinë, por edhe në lidhjet brendashqiptare, në Shqipëri e në Kosovë, sic ishte 2 korrik 1990 – Hapja e Ambasadave në Shqipëri dhe 2 korriku 1990 – Deklarata Kushtetuese e Kosovës.
Gjithashtu, përgjatë historisë ballkanike e botërore, Shqiptarët e Kosovës e të Ballkanit nuk kanë pa të mira nën sundimin e Car Dushanëve të vjetër e të rinj të Serbisë në Ballkan; as nga Marrëveshjet me Serbët e ardhun nga Stepat e Rusisë. As në Koalicionin Ballkanik të Vitit 1389 në Betejën e Fushë-Dardanisë (Fushë-Kosovës). As në kohën e Luftërave Botërore (si me Konferencën e Bujanit, etj.). As me Millosheviqin. As me Vuciqin. Kjo nuk ka mirëndodh as kur Marrëveshjet kanë qënë ndërkombëtare si Rezoluta 1244 e OKB e10 qershorit 1999 që e shpalli Kosovën Protektoriat Ndërkombëtar. Kjo, jo për faj të Shqiptarëve, por të vet Serbëve.
Takimi i 27 Qershorit 2020, pavarësisht se mbahet në shtetin ma të fuqishëm të globit, në kryeqëndren e botës, në kontinent tjetër, me përkujdesje apo drejtim të drejtpërdrejt të lidershipit më të madh të botës, Presidenti Amerikan Donald Trump, duhet thanë se nga Presidenti i Kosovës, Hashim Thaci; diplomati i lartë Ricard Grenell- I Dërguari Special i SHBA për Dialogun e Marrëveshjen (e pritshme/të mudnshme) Kosovë-Serbi; I Derguari Special i BE për Dialogon e Marrëveshje Kosovë-Serbi, nga Mirosllav Lajcak – ministri i Jashtëm i Sllovakisë që nuk e ka njohur ende Kosovën shtet i pavarur, i shkolluar dhe në Rusi, etj. si dhe Presidenti aktual i Serbisë, Aleksander Vuçiq- një radikal serb i politikave kundërshqiptare të Nikolla Pashiqit të Serbisë së Krajlive, nuk kanë ba aktin e duhur të sugjerimit, sponsorizimit, miratimit e caktimit të Datë-Kohës së mbajtjes së Takimit të Uashingtonit.
Ndoshta “Dora e Zezë Serbe” e 28 qershorit 1389, e 28 qershorit 1914, e 28 qershorit 1989, e ka krye punën e vet për kohëmbajtjen e Takimit të Uashingtonit me 28 qershor 2020. Dihet se Amerika merr mendim nga palët për caktim të datave të tilla me randësi kaq të madhe ndërkombëtare, pavarësisht se Amerika i merr vet vendimet e saj. Ndaj Presidenti i Kosovës, Hashim Thaci nuk është për të hanger pasulë apo karkaleca, për të pa kartat e tij bankare e vrojtue kundërshtarët e tij politik në Kosovë, po të merret dhe me historinë e këtyre datave, të jap mendimet e tij (që do të merreshin në konsideratë nga amerikanët), të tregohet ma i sinqertë dhe i drejtpërdrejt me Amerikën mike ose të pranojnë (mos)aftësinë e tij botnisht. Për të gjitha këto Presidenti Thaci ka detyrime kushtetuese, pasi ka statusin e Përfaqësuesit e të Ngarkuarit të Kosovës në Takimin e Uashingtonit.
6.
Unë jam për Takimin e Uashingtonit në Amerikë. Aq ma mirë që mbahet në Shtëpinë e Bardhë. Përvec tokës shqiptare, askund nuk do të gjeja tjetër “tokë ma të artë” për një “Takim” të tillë, se në Amerikën time, në Amerikën mike e madhe Shqiptarëve.
Unë due prej kryehere që një Takim të tillë ta lart udhëheqin Amerika e madhe e Uashingtonit, e Linkolnit, e Rusveltit e Uillsonit…, e Bushëve, e Klintonëve, e këtyre miqëve të mëdhenj të Kombit Shqiptar. Unë do të dëshiroja që Takimin ta udhëhiqte edhe vet Presidenti Amerikan Donald Trump, sepse kam besim tek Amerika e lidershipi i tij, se kam qënë ndër të parët e të rrallët shqiptarë që isha publikisht me qëndrime e veprime aktive publike elektorale pro zgjedhjes së kandidatit republikan Donald Trump Presidenti i 45-të i Amerikës (ndaj dhe nga Zv/Presidenti Mike Pence kam pasë marrë mirënjohje elektronike me 8.11.2016).
Unë cdo President të Amerikës e dua si President të Amerikës time si dhe për gjithcka të mirë që ban për Shqipërinë time, për Kosovën time, për interesat e mira e madhore të shqiptarëve në Ballkan. Anipse dyshoj pak, unë do të mbetem ndër ata shqiptarë që do t’i besoj shumë e deri në fund Presidentit Amerikan Donald Trump për drejtësi amerikane e botërore, për drejtësinë e Tij, ndaj Kosovës dardane.
Unë nuk mund t’iu besoj në cdo rast e cast me shpresë të lartë (vecmas kur ata debatohen deri në njëanshmëri e akuzime, etj.) gjithsecilit zyrtarë të lartë të Administratës Amerikane që merren (direkt, të deleguar ose ngarkuar) me interesa e cështje madhore kombëtare të shqiptarëve në Ballkan, sikurse diplomatit të shquar amerikan, Nobelistit të Paqes, publicistit e bankierit amerikan, ish-ambasadori amerikan në OKB, mikut të madh të Shqiptarëve Ricard Hollbruk, edhe në rast se ata e kanë emrin e tyre Ricard, edhe në se kanë qënë ambasadorë të Amerikës në Gjermani si Hollbruk, etj.
Historitë pro-shqiptare të Amerikës nga Uashington tek Trump; Lufta e fundit e Kosovës – 1997-1999; Demokracia në Shqipëri, Cështjet e problematikat Shqiptare në Maqedoninë e Veriut e në Malin e Zi, etj. na japin të drejtën e Zotit e fuqinë e shpirtit e forcën e zemres dhe aftësitë e mendjes të besojmë tek Amerika prej kryehere e deri në fund, deri në minuten e fundit, deri në hapin e fundit, deri në fjalën e fundit, edhe në Takimin e 27 qershorit 2020 në Uashington, në Shtëpinë e Bardhë.
@ramizlushaj.