Të shtunën, më 20 qershor është Dita Botërore e Refugjatëve. Kjo ditë është veçuar për të shënuar sukseset e refugjatëve dhe për të rritur ndërgjegjësimin për sfidat e tyre si dhe për të grumbulluar fonde në ndihmë të tyre. Korrespondenti i Zërit të Amerikës Arash Arabasadi njofton se këtë vit do të do t’u kushtohet vëmendje problemeve të reja që ka krijuar pandemia si dhe rolin që kanë luajtur refugjatët kundër kësaj krize globale.
Refugjati sirian Mohamed al-Khalaf u largua nga atdheu për t’i shpëtuar luftës në përpjekje për një jetë të re në Gjermani. Kur u shpëtoi bombave dhe gjakderdhjes, ai u përpoq të bënte realitet ëndrrën për t’u bërë mashinist.
“Unë gjithmonë përpiqem ta bëj punën mirë dhe të vazhdoj të mësoj”, thotë al Khalaf.
Mohamedi është një ndër miliona persona të zhvendosur që janë në qendër të vëmendjes në Ditën e Botërore të Refugjatëve.
“Kjo ditë e shpallur nga OKB shërben për të hedhur dritë mbi situatën e refugjatëve dhe për të theksuar nevojën për mbrojtje dhe mbështetje ndërkombëtare për refugjatët, por edhe për vlerën e diversitetit dhe kontributin e refugjatëve në botë”, thotë Joung-ah Ghedini-Williams, zyrtare e Agjencisë së OKB-së për Refugjatët.
Joung-ah ((Chone-AH)) Ghedini-Williams kryeson zyrën e komunikimit për Agjencinë e OKB-së për Refugjatët. Ajo thotë se koronavirusi ka shtuar një sfidë tjetër në listën e gjatë të vuajtjeve të refugjatëve.
“Në disa vende, për shkak të pandemisë, është zvogëluar prania e organizatave ndërkombëtare”, thotë zonja Ghedini-Williams.
Një ndër këto vende është Jemeni, ku këtë javë pati acarim të dhunës, pas skadimit të një armpushimi të vendosur gjatë pandemisë.
Rreth 80% e popullatës në këtë vend të dërrmuar nga lufta, varet tek ndihmat humanitare, gjë që i ka testuar në maksimum programet e ndihmave, thotë zëdhënësi i OKB-së, Chris Boian ((BOY-an)):
“Në analizën e përgjithshme, jemi ende në një situatë në të cilën burimet dhe mjetet e ndihmës që zotërojnë organizatat bamirëse, si Agjencia e OKB për Refugjatët, për të ndihmuar në këtë situatë, mbeten të pamjaftueshme,” thotë zoti Boian.
Lufta dhe dhuna janë shkaktare të zhvendosjes së shumicës së 71 milionë refugjatëve sot në botë. Situata e tyre kërkon mobilizim ndërkombëtar në shkallë të gjerë, thotë zoti Boian.
“Prandaj Agjencia e OKB për Refugjatët po punon me qeverinë amerikane dhe qeveri në mbarë botën për të gjetur zgjidhje të përshtatshme, të cilat jo vetëm t’i përgjigjen situatës aktuale, por edhe të krijojnë një stabilitet në këto programe për një kohë të gjatë”.
Programe të tilla u japin refugjatëve si Mohamed al-Khalaf shans për një jetë në liri:
“E kisha të pamundur të mendoja për të ardhmen. Tani po ndjek një program trajnimi që kur ta mbaroj do të më sigurojë një vend pune. Tani mund të bëj plane për të ardhmen, më është ringjallur shpresa,” thotë Muhamed al Khalaf.