Ballina Aktualitet Kush po mashtron, Thaҫi apo Grenelli – Nga Islam LAUKA

Kush po mashtron, Thaҫi apo Grenelli – Nga Islam LAUKA

 

Në intervistën e tij, pardje, në “Zërin e Amerikës”, Presidenti Thaҫi theksoi se në Uashington mund të zgjidhet gjithҫka. Sipas tij, marrëveshja midis Kosovës dhe Serbisë, e cila ҫon në njohjen e ndërsjellë, mund të arrihet vetëm e vetëm nën udhëheqjen e Presidentit Tramp dhe përkushtimin e Ambasadorit Grenell.
Në intervistën e tij të djeshme, në gazetën “Ekspres”, i Dërguari i Posaҫëm i Presidentit Tramp, R. Grenell, foli për gjëra të tjera, në thelb, të kundërta me ato ҫfarë deklaroi Thaҫi. Ai theksoi se roli amerikan në bisedimet Kosovë-Serbi është i kufizuar dhe se ekonomia është ҫështja e vetme për të cilën do të diskutohet me 27.06.2020, në Uashington. Sipas tij, ҫështjet politike i takojnë totalisht Europës dhe ajo do të merret me to në një fazë të dytë, të mëvonshme, pas takimit të Uashingtonit.
Pavarësisht se cili është mashtruesi, Thaҫi apo Grenelli, apo të dy së bashku, një fakt është i pamohueshëm: Nën presionin e Grenellit dhe me servilizmin e Thaҫit e të Mustafës, për fat të keq, Kosova u detyrua të heqë tarifën 100% dhe reciprocitetin me Serbinë, si dhe të pezullojë kërkesat për anëtarësimin e saj në organizatat ndërkombëtare. Shkurt, Kosova hoqi dorë nga atributet e veta thelbësore si shtet i pavarur e sovran, duke shkelur hapur edhe kushtetutën e vet. Për cfarë? Edhe këtë e sqaroi Grenelli. Që letrat e qëllimit për bashkëpunim me Serbinë në fushën e transportit rrugor, hekurudhor dhe ajror të kthehen në marrëveshje.
Ku mbeti njohja e ndërsjellë midis Kosovës dhe Serbisë, e trumbetuar prej kaq kohësh nga Thaҫi?
Duket qartazi se kemi të bëjmë me një pazar të pistë, në kurriz të Kosovës, për hir të axhendave personale, politike dhe elektorale të Thaҫit,Vuҫiҫit, Grenellit dhe Trampit.