Ceremonia e përcjelljes së Moikom Zeqos do të bëhet ditë e shtunë, nga ora 10:00 deri në 14:00 në Muzeun Kombëtar.

Shtyrja kaq e gjatë e përcjelljes së Moikomit do ndodh sepse fëmijët e tij, dy vajza dhe djali jetojnë jashtë vendit. Ka qenë amanet i tij që ata duhet të jenë të pranishëm në ceremoninë mortore.

I biri i tij, Epidamni, i cili ndodhej në Shtetet e Bashkuara ka njoftuar që të pritet ardhja e tij, e cila për shkak të situatës me bllokimet nga Covid dhe largësisë nuk mund të ndodhë para të shtunës.

Burime nga familja bëjnë me dije për DITA se Moikomi gjithashtu përpara vdekjes ka shprehur dëshirën që homazhet në nder të tij të bëhen në Muzeun Historik Kombëtar, institucion që e ka drejtuar për disa vite.

Dhe porosia-amanet e treta e tij ka qenë që të ketë një ceremoni mortore pa nuanca politike. Ai është shprehur se do të dëshironte në ceremoni “sa më shumë miq dhe sa më pak politikanë”.