Ballina Histori Dukagjinët dhe spanët si krahët e shqipes për Gjergj Kastriotin – Nga...

Dukagjinët dhe spanët si krahët e shqipes për Gjergj Kastriotin – Nga Azgan Haklaj

 

Lek’ Dukagjini- Hamurabi shqiptar -Justiniani i dytë.

Kanuni i tij monument  kulture i Rilindjes  Europiane.

Historiografia ballkanase dhe europiane njeh vetëm Kanunin e Lek’ Dukagjinit.

“Shprehja ka thanë Leka ka më shumë forcë detyruese se dhjetë porositë e Biblës, mesimet e Islamit, dhe Krishtërimit, Ligji i Sheriatit dhe i Kishës” Edit Durham.
Kodrat e Haklajve dhe t’Palçit kala natyrore të pathyeshme nga xhonturqit në kryengritjen e vitit 1910-të.
Djemt’ me shtatë zemra, flakët e verdha, fjala hyjnore shkruan historinë e lavdishme të Gashit t’Gurit në shekuj.
Hyjnorët, orët e shqiptarisë, “Nderi i Kombit”, Dervish Luzha e Rexhep Beli krenaria e Gashit dhe e Tropojës.
Historia e kombit tim fillon nga oborri i shtëpisë time.
Fisi i Gashit në Malësinë e Gjakovës është ndoshta rasti unikal në krejt hapsirën e trojeve etnike shqiptare, ku legjendat, mitet e vetë historia gërshetohen sëbashku si një nyjë e pazgjidhshme gordiane.
Ato kanë ardhur krah për krah, nga mesjeta shqiptare e deri në ditët tona, si një simbol i ndritur i qëndresës së Genit Iliro-Dardano-Arbëror, përballë dallgëve e furtunave të shumta historike, betejave të përgjakshme me krajlë e me sulltanë, të cilët me falangat e tyre, të etura për gjak, pushtet e lavdi sulmonin tokat shqiptare.
Gashi është fisi me banimin më të hershëm në krahinën e Tropojës dhe ka një shtrirje të gjërë jo vetëm në Shqipëri, por edhe në Kosovë dhe Mal të Zi.
Mbiemri Gashi është mjaft i dëgjuar nga Trieshi, Mal i Zi  deri në  Nish e Kamenicë.
Ai ka pozicion gjeografik mjaft të favorshëm.
Territori i tij sapo lind dielli mbulohet me rrezet e para të mëngjesit.
Gashi i sotëm shtrihet mes lumenjëve të Tropojës në verilindje, Mullarekë në jugperëndim.
Ne veri ka luginën e Gashit tashmë e pranuar në Unesko.
E theksoj edhe një herë se Gashi është krahina më e vjetër e banuar e Tropojës, ( Malësia e Gjakovës).
Ai mbulonte krejt territorin e Tropojës.
Në Tropojë është pikëpjekja e qytetrimit iliro-dardanë,  të cilët kanë banuar qysh 2000 vjet para Krishtit dhe  katër shekuj para tij kanë  formuar mbretëritë e tyre.
Kalaja e Rosujës shërbente si kufi mes labeatëve dhe dardanëve.
Banorët e kësaj treve janë quajtur dardanëmalas (dardanët e maleve).
 Siç na thotë studiuesi Xheladin Gosturani, Gashin e kanë banuar edhe fisi ilir i skirtonëve.
Ai është i vendosur rrëzë Shkelzenit madhështor, i cili si një piramidë kolosale, me kokën mbi re vigjelon  nga pozicioni qendror i trojeve etnike, i baraslarguar nga Danubi dhe Preveza.
Ne këtë Mal të shënjtë prehen dy vëllezërit dardanë, Eposi i Kreshnikëve, balada e Gjergj Elez Alisë, mitet, orët, zanat, legjendat.
Rrëzë tij shtrihet fshati Mejdan, ku u ndesh Gjergj Elez Alija me bajlozëtt e detit, Muji dhe Halili me krajlit’ e Serbisë.
Në Luginën e Gashit lodrojnë zanat, vallzojnë shtojzovallet e fluturojnë shqipet.
Keto pasuri të vyera të historisë kombëtare i ruajnë gardianët e hekurt, hyjnorët Nderi i Kombit, Dervish Luzha dhe Rexhep Beli.
Në historinë shekullore të Tropojës, Gashi i Gurit ka qenë barrikada e parë e përplasjeve me invadorët e shumtë, romako-bizantinë, serbë, turqë  austrohungarezë, malazezë, fashistët italiano- gjermanë, etj.
Në historinë e tij Gashi i Gurit kurrë nuk u gjunjëzua dhe nuk u kompromentua nga pushtuesi.
Sipas deftereve osmane te vitit 1485 shtrirja e hershme e Gashit ishte përveçse aty ku është i vendosur sot, mes dy lumenjëve, si një Mesopatami e vogël edhe në fshatrat e Tropojës, Luzhë, Gri, Geghysen, Rajë, Tpla, (Vulpiana kryeqendra e Dukagjinëve), Dushaj, Degë, Curraj i poshtëm dhe Botushë të Gjakovës.
Zona ku do të shtrihen më vonë Fisi i Bardhëve banohej nga fise ilire.
Në defterin e Sanxhakut të Shkodrës të vitit 1485  rezulton se fshatrat Gosturan, Babinë, Shumicë, Kovaç, Berbat  banoheshin nga ilirët.
Po nga e ka prejardhjen Gashi i Gurit?!
Në shkrimin “Malsorët e Alpeve” shkruar nga austriaku Ernest Von Hesse Wartegg thekson se Fisi i Gashi, formon  dy bajraqe, Shipshan dhe Bardhaj.
Kahraman Ulqini në shkrimin e vet “Fiset e Malësisë” deshmon se fiset e Malësisë së Madhe dhe të Malësisë së Gjakovës kanë zanafillë të përbashkët, Hoti, Shkreli, Gashi, Krasniqja, Toplana, Shllaku Palabardhi etj.
Sipas legjendave të grumbulluara nga etnografi i njohur Rrok Zojsi Fisi i të bardhëve të Gashit e ka prejardhjen, nga Kuçi, Mali i Zi.
Kuçi ka qënë i populluar me shqiptarë.
Në vitin 1856-të malazezët hyjnë në Kuçin e poshtëm.
Mirkoja vellai i Princit kryen një kasaphanë të vertetë, pret kokat e femijëve në djep, të sëmurëve, pleqëve, me kosoren ortodokse.
Ne vitet 1877-1878 malazezët pushtuan bajrakun e Rodajes, disa fshatra të Kuçit dhe të Zetës, duke i dëbuar me forcë shqiptarët nga trojet e tyre.
Ata që nuk u shpërngulën u ortodoksizuan.
Të kthehemi tek udhëtimi i Kall Kamberit me të shoqen, Hanën e bukur nga Kuçi nëpër Qafë të Kolçit, tek të Bardhët e Gashit, i cili të ngjason me Adamin dhe Evën.
Hana vdiq ndërsa Kalli me vajzën
 e tyre u vendos  në fshatin Kuçanë, në Shipshan.
Nga Toplana në Curraj të poshtëm, në Botushë e në Luzhë është lëvizja tjetër e popullsisë.
Edit Durhami tek “Brenga e Ballkanit” thekson se në Toplanë të rrethit të Shkodrës ishte fisi i Gashit, nga këtu për shkaqe konfliktesh shkuan në Botushë.
Për tu bërë ballë pushtuesve fiset lidheshin me njëri tjetrin, kështu rreth viteve 1600-1650, Bardhët, Shipshani dhe Luzha u bashkuan dhe formuan fisin Gash, sipas studiuesit Xheladin Gosturani.
Gjenerali malazezas Mark Milani, i cili i njihte mirë trimëritë e djemve të këtij fisi në librin e tij
“Jeta dhe zakonet Shqiptare” e ngre lart trimërinë dhe virtytet e djemve të gashit.
Ai  thekson se Gashi është një nga fiset më të njohura, më të vjetra, e më trima të Shqipërisë dhe se origjina e hershme e tyre eshtë nga Pali i Bardhë, i Principatës së lashtë të dukagjinëve.
Në mesjetë Gashi, asokohe i besimit katolik udhëhiqej nga princi i famshëm Pjetër Spani, kullat e të cilit ndodheshin në Geghysen, tek Gurrat e Gashit, në anën tjetër të Valbonës, përballë dukagjinëve që shtriheshin në kalanë natyrore në kodrat e Ponarit dhe Vulpianë, (Tplani i sotëm).
Banorët e lashtë të kësaj treve ju përgjigjën të parët thirrjes së Gjergj Kastriotit për kryengritje kundër osmanëve dhe dërguan në Besëlidhjen e Lezhës me dt 2 mars të vitit 1444 Princin e tyre  Pjetër Spani së bashku me të katër bijtë e tij, si dhe princat e Dukagjinëve  Nikollë dhe Pal Dukagjini sëbashku me Lekën.
Të dy palët u shquan në betejat përkrah Gjergj Kastriotit.
Pal Dukagjini është i jati i Lek’ Dukagjinit.
Kryeqendra e Dukagjinëve, siç e theksova më sipër ishte në Vulpianë (Tplani i sotëm).
Kjo vërtetohet nga deshmitë e Frang Bardhit dhe Pjetër Bogdanit.
Fan Noli pas vdekjes së Lek’ Zaharisë radhit Pjetër Spanin kapedan të Shalës dhe Shoshit, biles edhe të Drishtit.
Sipas tij Gjergj Kastrioti i shtroj malet e Shalës dhe të Shoshit si masë ndaj të bijëve të Spanit që ishin zënë mes tyre.
Sirdani shkruan se Gjergj Kastrioti ndërhyri në këto vise pas kërkesës së Pal Engjëllit për të paqtuar dheun e Pultit që ishte trazuar kundër të bijëve të Pjetër Spanit tashmë të Shuar.
Fan Noli thekson në veprën e tij;
” Në Vulpianë, atje në mes të maleve”.
Në dokumentarin  “Ponari i Lekës” idea dhe realizimi  Ilir Buçpapaj, skenari Halil Buçpapaj, operator Ismail Buçpapaj, me referenca, argumenta, pamje filmike, deshmi e prova shterruese theksohet se:
Ponari i Lekës shtrihej në kodrat e ponarëve dhe në një pjesë të fushës së Tplanit të sotëm
Rrenjët e Ponarit të Lekës janë përtej Lek Dukagjinit.
Për të gjetur rrënjët e trungut të Ponarit të hershëm duhet të shprushësh mbi Vulpianë, e cila arriti  të numëronte  rreth 15- mijë banorë gjatë qeverisjes së dukagjinëve.
Ponari ishte si një kala natyrore që ndodhet në krah të Drinit, në pozicion strategjik, në gërshetimin e rrugëve.
Shtrihet madhështor përballë Luginës së Drinit, ku syri të sheh deri në Berishën e Pukës, në veriperëndim Luginën e Nikaj-Mërturit, në veri Luginën e Valbonës, në lindje Pellgun e Vulpianës deri në Qafën e Morinës.
Rrethanat e krijuara e kanë vendosur hërë nën administrimin e spanëve herë të dukagjinëve.
Kryeqëndra Vulpiana arriti në zenitin e saj në administrimin e dukagjinëve.
Po kush ishin Dukagjinët?!
Cila është etnogjeneza e tyre?!
Çfarë do të thotë Dukagjin?!
Gjon Muzaka në testamentin e tij flet me superlativa për këtë dinasti të shquar.
Ai pohon se ata erdhën nga Troja, duke kundërshtuar tezën e deftereve turke se ata kishin prejardhje princërore gjermane.
Në kohën e kryqëzatave dy vellezër nga kjo derë emigruan, njëri u vendos në Itali dhe themeloj derën e  estëve dhe tjetri në Zadrimë themeloj derën e dukagjinëve.
Burimet e Raguzës pohojnë se në shekullin e XIII-të dukagjinët njiheshin si Ducagini d Arbania.
Ata administronin edhe një pjesë të Zetës në Mal të Zi,  pohojnë këto burime.
I pari i tyre Gjergj Dukagjini ishte zot i disa fshatrave të Lezhës, prijës i 40-të kalorësve dhe 100 këmbësorëve.
Ai vdiq në vitin 1409-të, por dinastia vazhdoj me Pal, Nikoll, Lek Dukagjinin, të cilët i shtrinë zotërimet e tyre nga fushat e Zadrimës së Lezhës, veri e verilindje të Shkodrës, Mirditë, Berishën e Pukës, Vulpianë, Rrafshin e Dukagjinit deri tek buron Drini i Bardhë në Istog.
Dukagjin do të thotë Duka i Gjinit.
Spanët e dukagjinët ishin mbështetje e fuqishme të Gjergj Kastriotit- Skenderbeut në betejat për çlirim nga Parandoria Osmane, krijimin e Shtetit të Përqendruar Arbëror, qeverisjen 25-vjeçare të Moisiut tonë.
Vdekjen e Pal Dukagjinit në vitin 1446-të Gjergj Kastrioti e përjetoj me shumë dhimbje:
Sipas Fan Nolit, Gjergji do të shprehej për të:
“Sikur të kishta patur Arbëria edhe disa princër si Pali”
Gjergj ynë kur mbylli sytë iu drejtua Lek Dukagjinit:
“Amanet Arbërinë”.
Lek Dukagjini krahas luftës me Perandorinë Osmane në krah të Gjergjit dhe pastaj për mbajtjen e amanetit të tij ka meritën se ashtu si Hamurabi në Egjiptin e lashtë që mblodhi ligjet dhe bëri kodin e tij, siç krijoj kodin, apo të drejtën romake Justiniani I edhe Lek Dukagjini hartoj kodin e jurisprudencës Arbërore, versnik të Rilindjes Europiane, i cili  sot është monument kulturor i enciklopedisë së saj.
Historiografia ballkanase dhe europiane njeh vetëm Kanunin e Lek’ Dukagjinit.
Lek Dukagjini u edukue me  kulturën dhe idetë  humaniste të Rilindjes Europiane.
Rilindja Europiane kishte shenuar nisjen e kohës moderne, një periudhë historike që në përgjithësi e ka zanafillën në shekullin e XV-të dhe deri në   Revolucionin Francez të vitit 1789-të.
Shekulli i XV-të ishte një periudhë e arritjeve të mëdha ekonomike, kulturore, politike, shkencore, fetare dhe shoqërore dhe përmblidhet midis fundit të mesjetës vonë dhe fillimit të kohës moderne.
Midis ngjarjeve të mëdha në fushën politike ishin:   Çeshtja lindore e karakterizuar nga ekspansioni i Perandorisë Osmane pas marrjes së Kostadinopulit, në vitin 1453, e cila kërcënoj realisht Hungarinë dhe Austrinë dhe perëndimin por vershimi i saj u ndal nga diga e pathyeshme e arbërorëve të udhëhequr nga Gjergj Kastrioti, të cilët u bënë dalëzotës të trojeve të veta dhe të vlerave të qytetërimit europian.
Çeshtja perëndimore, e cila kishte epiqendër kulturore të Rilindjes Europiane Italinë, me ndarje territoriale në qytet shtete me regjime të ndryshme politike, republikane si Firence dhe Venecia dhe monarkike ato të Napolit dhe Milanos si dhe dominimi i Papës në Romë, që do të pasohej më vonë me krijimin e shteteve moderne, midis të clave monarkitë e Francës, Anglisë, Spanjës.
Në këtë etapë u vendos një formë e re shikimit të botës dhe qenies njerëzore të përqendruar në fushën e arteve, politikës, filozofisë dhe shkencave duke zëvendësuar teocentrizmin mesjetar me antropocentrizmin.
Protagonistët kryesor i përkisnin fushës së artit.
Ndër më të shquarit ishte Françesko Petarka.
Historiani dhe artisti Giorgio Vasari formuloj një koncept përcaktues, lindja e re e artit antik (Rinascita).
Vizioni antropocentrik që lindi atëkohë shkëputi  zinxhirët e fesë dhe prangat e teocentrizmit mesjetar dhe formën e vlerësimit të botës do ta bënin njeriu dhe përparimet teknike.
Me këtë kulturë rilindase europiane është brumosur Lek Dukagjini që ia kishte mundësuar dera e estëve në Itali, gjak me të.
Hartimi i Kanunit të tij të famshëm, i cili pati ndikim të jashtëzakonshëm në shoqërinë shqiptare dhe rajonale të kohës dhe ka edhe sot, është produkt i dijeve të fituara dhe punës këmbëngulëse prej me shumë se dy dekadash të iluministit tonë, rilindasit europian,  konstruktorit të jurisprudencës Lek’ Dukagjini.
Gjatë periudhës 1458-1481 Ai udhëhoqi kuvendet dhe pleqnitë e malësorëve realizoj përmbledhjen e Kanunit mijëravjeçarë që u trashëgua brez pas brezi, si praktikë gjykimi përmes fjalëve të urta të formuluara apo të rithëna prej tij, rast pas rasti si sentenca juridike.
Kryefjalë të Kanunit janë, besimi tek Zoti, besa dhe nderi i individit dhe familjes të ngritura në piedestal.
“Shpia e shqiptarit është e Zotit dhe e mikut”,   theksohet në Kanun.
Ai nuk inkurajonte, as nuk nxiste krimin siç mundohen  ta paraqesin disa, ndoshta pa e lexuar fare.
Jo aspak.
Përkundrazi.
Misioni i tij ishte të parandalonte krimin.
Femra në Kanunin e Lek’ Dukagjinit ishte institucion i paprekshëm, kurse sot pas afër 6-të shekujsh ajo është gjah i krimit të rrugës dhe pushtetit simbiozë të tij.
Seksomanët e pushtetit në vend që të mbrojnë femrën nga agresorët e rrugës e përdhunojnë vetë atë, madje në zyrën e shtetit, strofull të kriminelëve.
Shumë personalitete shqiptare e botërore e kanë vlerësuar maksimalisht Kanunin, ketë kryevepër të mendjendriturit Lek Dukagjini.
Homeri i ndjesive shqiptare Gjergj Fishta thotë: “Kanuni  është prerje e drejtë- vendosje e drejtë.
Ai është palca e Kombit”.
Aleks Buda e quan vepër monumentale.
Ish Presidenti Bill Klinton e ka quajtur të ngjashëm me Kushtetutën Amerikane, sepse në Kanun ashtu si në Kushtetutë mbrohet e drejta e jetës, liritë dhe të drejtat  njeriut, respektohet trinia e shenjtë Zot- fe -Atdhe.
Edit Durham thekson:
“Lek’ Dukagjini duhet të këtë pasur një personalitet imponues që ka ndikuar kaq shumë tek njerëzit.
Shprehja kështu ka thanë Leka ka më tepër forcë detyruese se të dhjetë porositë e Biblës, mesimet e Islamit, dhe Krishtërimit, Ligji i Sheriatit dhe i Kishës”.
Studiuesi, juristi austriak Walter Paincip që vizitoj Shqipërinë pas Luftës së Dytë Botërore e ka studiuar Kanunin dhe është shprehur kështu për të:
“Tek e drejta tradicionale e malësorit janë ruajtur mirë arketipet e rendit shoqëror e zakonor të kulturave të lashta”.
Se kush janë arketipet na sqaron deshifruesi në psikoanalizë Jungu.
“Arketipet janë natyrore dhe lindin bashkë me njeriun.
Ato janë prototipe universale të ideve dhe mund të përdoren për të interpretuar ngjarje apo ndodhi”.
Pra sipas Jungut me thjeshtë akrotipet interpretohen si:
“Plak i vjetër, arkë e mbyllur”.
Profesori japonez Kuzihiko Yamamoto thotë se:
“Kanuni i Lek’ Dukagjinit ishte një mekanizëm i nevojshëm i kohës.
Ai është një veshtrim përqasës mes strukturës etike e shoqërisë homerike dhe asaj kanunore shqiptare”.
Shtjefën Gjeçovi ka meritën e jashtëzakonshme të grumbullimit të asaj që populli e ka plazmuar në mendjen e tij për shekuj me radhë, e sot kemi një monument jurisprudence të rilindasit europian Lek Dukagjinit, hartuar disa shekuj para kodeve të bavarezit Maximilianeus të vitit 1756, prusianit Allgemeines Landrcht të vitit 1794, Galicisë përendimore, atëherë pjesë e Austrisë të vitit 1797, kodit civil të gjeneralit të famshm Napoleon Bonaparti të vitit 1804.
Lek Dukagjini ishte dhe strateg lufte i zoti, i cili luftoj me trimëri të rrallë për të përmbushur amanetin e Gjergj Kastriotit deri sa mbylli sytë.
Vitet e fundit të jetës gjeti strehim në thellësi, mes maleve ku ndërtoj saraje e kështjella sëbashku me banorët e lirë të atyre anëve, të cilët kryezotin e tyre sëbashku me gruan e tij Teodorën e muzakajve e pritën me bujari e respekt.
Edhe pas vdekjes së Gjergj Kastriotit (Skënderbeut) e të Lek’ Dukagjinit, Gashi e mbajti përherë të ndezur flakën e lirisë dhe njohu autoritetin e Princit të vet, duke mos e përfillur Portën e Lartë dhe pashallarët turqë.
Këtë e deshmon me së miri Frang Bardhi në relacionet që i dergon që në fillim të shekullit të 16-të Vatikanit mbi gjendjen e kurisë së kishës dhe të popullit të Arbërit siç i quante Prelati i lartë bashkëatdhetarët e vet.
Imzot Bardhi  përshkruan gjëndjen e rendë të popullatës të këtyre anëve, pas djegjes e plaçkitjes së vendit nga ushtritë e pashallarëve të begollëve të Pejës dhe vrasjes së katër priftërinjēve katolikë.
Ai shkruan se vendi është shkatërruar, Fisi i Gashit është plaçkitur e shumë familje janë dëmtuar rëndë.
Mbi një bregore të bukur mbi Babinë, shkruan Bardhi, i biri i Princit Pjetër Spani, ( Pjetri i Dytë) po ndërton sarajin e tij.
Me 15-të shkurt të vitin 1602 në kishën e Shën Aleksandrit në fshatin Dukagjin të Matit ku u mblodh Kuvendi i Dukagjinit, mori pjesë edhe Peshkopi i Sopës Nikoll Bardhi nga Fisi i Bardhëve.
Në vitin 1614-të prijësi i famshëm Lala Drakali organizoi Kuvendin e Kuçit, Kuvendin e Parë Ballkanik , në zemren e maleve shqiptare me 44 përfaqësues nga Shqipëria, Mali i Zi, Serbia, Bosnja, Hercegovina, Maqedonia për çlirimin e Gadishullit Ballkanik nga turqit.
Nga të 44 përfaqësuesit ballkanas, një e katërta vinin nga vatrat e qëndresës shqiptare.
Në  këto vatra do të dërgoheshin dymbëdhjetëmijë luftëtarë.
Pas betejës së madhe të fushëKosovës 1389-të, ky Kuvend ishte koalicioni i parë i madh ku shqiptarët kishin një rol të dorës së parë.
Lala Drekali dhe luftëtarët e tjerë kishin jo vetëm kurajon e trimërinë por edhe vizionin e jashtëzakonshëm se pa aleancën e përbashkët të ballkanasve dhe mbështetjen e fuqive të mëdha, ishte e pamundur çlirimi i trojeve shqiptare dhe bashkimi i tyre.
Me dt 30 maj të vitit 1689-të krenët e Gashit i drejtohen me një letër Papës së Romës, të shkruar shqip.
Me anë të kësaj letre ata i drejtohen Selisë së Shenjtë duke kërkuar ndihmën e saj diplomatike, logjistike për çlirimin e trojeve arbërore.
Kjo letër përkonte me shpërthimin e Kryengritjes së Bogdanit e cila ishte në një valë me thyrjen e turqëve në Vjenë në vitin 1689-të.
 Përgatitjet e kësaj kryengritje kishin filluar qysh në  vitin 1683, por shpërtheu në vitin 1688-të.
Kryengritja u organizua nga Pjetër Bogdani autori i “Çetës së Profetëve”i cili për shqiptarët është hero kombëtarë.
Ai është pararendës i Rilindjes Kombëtare.
Në vitin 1689-të Bogdani afroi 20000 luftëtarë ushtrisë austrohungareze.
Ai ka meritën e pajtimit të Gashit me Krasniqen.
Eshtë interesant fakti që në ato kohëra të vështira  disa herë e ka kaluar Lumin e Valbonës së tërbuar në stinën e vjeshtës.
Kjo tregon vizionin e tij dhe largpamësinë e kësaj figure të ndritur që radhitet me rilindasit më të shquar europianë.
Me dt 24 shtator të atij viti në Nish u zhvillua një betejë mes austriakëve dhe  turqëve e fituar nga austriakët.
Me austriakët u bashkua Gashi, Krasniqja e Surroi,
Mitrovica, Peja, Prizreni, Shkupi, Tetova, Kumanova, Vuçiterna, Pazari i Ri.
Viti 1689-të shënoi vdekjen e gjeneralit Pikolomin udhëheqësit të ushtrisë austriake për Kosovën dhe vdekjen e Pjetër Bogdanit.
Uniteti shqiptaro -austriak nuk vazhdoi, gjendja e ushtrisë austriake dhe e shqiptarëve u përkeqësua, turqit dogjën Rozhajën dhe Lumën.
Pas betejës së Kosovës osmanët kryen mizori të papara, dogjën fshatra të panumërta, shkretuan vendin, vranë qindra banorë të shkretë.
Me 6-të prill te vitit 1690-të Perandori i Parë Leopoldi i bëri thirrje ballkanasve të rrokin armët.
Sipas një letre nga Nishi të 22 prillit 1690-të shqiptarët deklaruan se janë të gatshëm dhe veçse presin ardhjen e ushtrisë austriake, për të luftuar kundër turqëve dhe tartarëve.
Megjithë këtë gadishmëri kryengritje tjetër nuk u organizua.
Ushtria austriake nuk donte të luftonte dhe shqiptarët mbetën vetëm përballë ushtrisë osmane.
Mehmet Pasha siç thuhet në dokumentat e kohës ndërmori një fushatë ndëshkimore kundër Surroit, Gashit, Krasniqes, vende këto që në mënyrë të patundur kanë mbajt besën ndaj Madhërisë Perandorake, duke mos pranuar kurrë miqësinë turke.
Ndërsa në Kosovë kryengritja u shtyp në verën e vitit 1690-të, ajo vazhdoi në Shqipërinë jugore, në sanxhakët e Delvinës dhe Himarës.
Gashianët e prijësit e tyre i kanë gërshetuar betejat për liri me të gjitha krahinat e tjera, me qëllimin e vetëm të arritjes të një kryengritje të përgjithshme kombëtare, e cila do të finalizohej me çlirimin e vendit.
Në vitin 1845 Gashi  dhe prijësit e tij ishim palca e kryengritjes së udhëhequr nga Binak Alija e Sokol Rama, kundër reformave të Tanzimatit.
Po ashtu edhe në betejën e vitit 1862 u rreshtua përkrah Krasniqes kundër ushtrisë së  Maxharr Pashës.
Kjo betejë ishte aq e përgjakshme sa u luftua trup me trup në livadhin e madh, në brigjet e Valbonës,    përballë kullave të Binak Alisë e Mic Sokolit.
Turqit i lanë në mejdan 1500 ushtarë të vrarë, vendi u la me gjak dhe u pagëzua me emrin Livadhi i Turkut.
Gashi i Gurit dhe prijësit e tij u dalluan në betejat kundër turqëve në vitet 1867-1870-të, në Gjakovë, në betejat për mbrojtjen e Plavë -Gucisë, në vitet 1879-1880-të.
Malazezët kishin kërkuar takim me të parët e Rekës, Malësisë, Pejës, Gjakovës e Rugovës.
Nga Malsia  e Gjakovës shkuan 7-të burra Ali Ibra, Binak Alia, Qerim Delia, Mal Dula, Halil Brahimi, Ahmet Sadria e Mic Sokoli.
Dërgata malazeze drejtohej nga Teodor Milani ( vëllai i Mark Milanit).
Dërgata Shqiptare nga Ali Ibra.
Asnjë kompromis për Plavën :
” Bjerë në rrafsh të Vlikës ti përpjekim armët se edhe Dukagjinin me ta lëshue nuk të duhet gja, se mashkull të gjallë nuk të la, veç ta la Cerrnagoren n’çika e n’gra” i drejtohet Ali Ibra Teodor Milanit”.
Në dhjetor 1879-të janar 1880-të zhvillohet beteja kundër 12000 forcave të Mark Milanit, betejë që ka hyrë në histori.
Ali Ibra komandoj forcat e Gashit.
Muhtar Pasha, Valiu i ri i Kosovës, jo vëtëm që dështoi në dorëzimin e Plavë-Gucisë, por u kërcënua se do të ketë të njëjtin fat të Mehmet Ali Pashës.
Ky ishte vrarë sëbashku me Adullah Pashë Drenin në kullën e këtij të fundit në betejën e 3-6 shtatorit 1878-të, në aksionin e parë të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit për mbrojtjen e trojeve etnike nga coptimi prej vendimeve të Kongresit të Berlinit, në qershor 1878.
Vrasja e marshallit turk dhe e feudalit shqiptar, tradhëtar shpëtoi Kosovën e viset e tjera nga ndarja mes Turqisë, Serbisë, Malit të Zi.
Raportet e detajuara të konsujve austrohungarezë dhe rusë drejtuar kancelarive perëndimore deshmojnë se Ali Ibra me luftëtarët e tij mori në mbrojtje kotolikët shqiptarë, duke e djegur skenarin turko-sllav, inskenimin e një lufte fetare mes shqiptarëve, e cila do të kishte pasoja katastrofike.
Kjo dëshmon se askush më mirë se Gashi nuk e ka përvetësuar postulatin profetik të Pashko Vasës:
” Feja e shqiptarit është shqiptaria”.
Poeti i madh Gjergj Fishta  duke evokuar trimërinë e djemve të Gashit në betejat me ushtritë e Knjaz Nikollës shkruan tek Lahuta e Malsisë:
“Trim ish kanë Osman Haxhia, bajraktari i fortë i Gashit.
Që bje n’shka si n’mish të dashit”.
Ja si shprehet kënga popullore për qëndresën shqiptare të betejës së përgjakshme të Slivovës me 21 pill të vitit 1881, ku mbetën në fushën e nderit dragojtë e maleve, Mic Sokoli e  Zmajl Hyseni dhe u plagosën Ali Ibra, zv Komandant i përgjithshëm i Lidhjes Shqiptare të Prizrenit dhe Shpend Zeqir Haklaj, drejtues i formacioneve ushtarake të Gashit, i dekoruar me medaljen e trimërisë për sherbime të larta ndaj Atdheut, në 100- vjetorin e Lidhjes.
“N’fush’ t’Kosovës u lidh jezeri
Haj medet ka mbet’ shumë njeri”
Mic Sokoli e Zmajl Hyseni.
Apo:
 ” Ali Ibra n’vraç të zi
Po i shkon gjaku për zingji
Se k’tu i thonë shqiptari”
Pas rënies së Lidhjes Shqiptare të Prizerenit Ali Ibra me krerët e Gashit e mori në mbrojtje në kullën e tij kryetarin e qeverisë, që më vonë u bë edhe i Lidhjes së Prizrenit, Ymer Prizrenin, i cili vite më vonë u shua në menyrë tragjike në Ulqin ku kishte shkuar për t’i shpëtuar përndjekjeve të Perandorisë Osmane.
Të dërguarit e Sulltan Avdyl Hamitit nuk arritën ta bindin me ofertat kompromentuese për ta përdorur, për të ndikuar në shuarjen e një kryengritje shqiptare, kundër Perandorisë Osmane që po pregatitej.
Disa ditë më vonë pas atij takimi u gjet i masakruar në banesën e tij që ia kishin dhënë patriotët shqiptarë të Ulqinit të cilët e donin si vëlla.
Udhëheqësit e ri të lëvizjes kombëtare Bajram Curri, Hasan Prishtina, Isa Boletini etj e vendosën fisin e Gashit e luftëtarët e tij vullnetarë, në qendër të planeve të tyre për organizimin e betejave që do të finaliziheshin me kryengritjen e përgjthshme çlirimtare.
Në betejat me ushtritë turke të viteve 1908-1909-1910 janë zhvilluar luftime shumë të ashpra.
Në vitin 1908-të bie në betejë fyt me fyt me turqit në Sukë Hereç Zmajl Plak Haklaj, i dekoruar me medaljen e trimërisë për sherbime te larta ndaj Atdheut.
Në vitin 1910-të, 110 vite më parë u zhvillua  beteja homerike në Qafë të Morinës, e cila u zhvendos, në gjysmën e qershorit në kodrat e Haklajve.
 Për rreth dy javë  u zhvilluan luftime të ashpra.
Trupat barbare të Turgut Pashës goditën me artileri të rëndë e gjithë Gashin e banë shkrumb e hi, por kodrat e Haklajve, ku ishin përqendruar gashianët u kthyen në kala natyrore të pathyeshme.
Gashianët nuk jepeshin.
Mbeti në fushë të betejës deshmori i Atdheut Man Arif Haklaj.
Vllaznia Haklaj u shqua për qëndresë spartane.
Gushianët udhëhiqeshin nga Adullah Hoxha, Halil e Zeqir Brahimi, Shpend e Grosh Zeqiri (Haklaj), Arif Delia.
Kënga popullore na sjell me vertetësi ashpërsinë e luftës.
“Ku po del kjo flakë e verdhë’
Gashit t’Gurit si përherë’
Gashit t’Gurit renda -renda
I ka djemt, ( Bajram Rama) me shtatë zemra.
Brahim Bardhi t’madhe briti
Po ku je Halil Brahimi
L’sho Kushtrimin tek’ Shpend Zeqiri.
Gashianët u goditën rëndë sepse nuk pranuan kompromisin me pashain turk siç na vertetojnë vargjet memoriale.
N’qafë të Morinës pasha ka dalë
U ka çue bajrakve fjalë
A po vini me u pjek’ me mue
Me u dhënë vulat me u rehatue
Ka thirrë Gashin e s’i ka shkue.
Por edhe Ushtria Osmane e Turgut Pashës mori goditje të rënda për ta thyer qafën në kodra të Palçit, ku pësoi demtime të konsiderueshme edhe aty, në luftë disa ditore me forcat e Prel Tulit, në javën e parë te korrikut.
Qëndresës se tyre homerike iu bashkuan djelmnia e Dukagjinit të udhëhequra nga Mehmet Shpendi e Marash Delia.
Kënga popullore thotë:
“Kur u shkoq pasha prej kikut t’Gashit
Është ndesh n’burra n’kodra t’Palçit”.
Ndërsa kushtrimin e Mehmet Shpendit e përshkruan shumë bukur vargjet e këngës:
“Mehmet Shpendi trim si motit
Vrik piskati nëpër fis
N’kam o djelëm’ hu ndihma e Zotit
Se n’Mërtur pushka ka nis'”.
Të tmerruar e të turpëruar turqit u kthyen nga kishin ardhur, me bisht ndër shalë.
Adullah Hoxha i Gashit sëbashku me Shaban Binakun e Krasniqes hyjnë trimërisht në Gjakovë dhe me vetëdije se do të jepnin jetën shkatërruan zyrat e administratës turke.
Ata bij’ shqiponjash pas qëndresës heroike u kapën nga qindra forca turke.
Kur e përgatitën ekzekutimin xhelatët ju drejtuan trimit të Gashit:
” Ti ke tradhëtuar Padishahun e nuk ke lëkurë hoxhe.
Unë kam lëkurë ujku u përgjigj ky trim legjendarë.
Adullah Hoxha dhe Shaban Binaku u varën, por mbetën të përjetësuar në këngë të popullit.
“Haj medet po ban Kosova
Sot po varet Adullah Hoxha.
Haj medet po ban konaku
Sot po varet Shaban Binaku.
Shaban Binaku si gjylja e topit
Mu duhi po i shkon konopit, ( litarit).
Shumë shpejt Zeqir Halil Mulosmani ekzekutoj tre ushtar turq për trimat e varur tek Ura e Tabakëve në Gjakovë.
Perandoria Osmane mobilizoj forca të shumta e shtypi me zjarr e hekur kryengritjen e vitit 1910-të, e cila kishte zgjatur disa muaj.
Ajo ishte ideuar në Kuvendin e Verrave të Llukës, në mes të prillit të atij viti, i cili ishte organizuar nga Isa Boletini dhe Sylejman Botusha.
Kryengritja pati dy vatra kryesore Mitrovicën dhe Kaçanikun, por u shtri në të gjithë Kosovën dhe në Malësinë e Gjakovës, në Tropojë.
 Në betejat homerike të Kaçanikut të udhëhequra nga Idriz Seferi u zhvilluan luftimet më të përgjakshme.
Aktet heroike të kësaj qëndrese heroike populli i ka vargëzuar:
“Ka kris pushka si n’Karadak
Gur e dru janë la n’gjak
Çka kanë ret’ që po vetojnë
Dy dragoj sot po luftojnë
N’Kaçanik e n’Caralevë
Isa Begu me Idriz Seferin.
Kaçanik o gur i thatë
Me thika luftojnë gratë”…,,
Ketë kryengritje shtypi botëror e ka cilësuar:    “Revolucioni i parë i shqiptarëve kundër xhonturqëve”.
Kuntributi i Gashit është i vendosur në gurë themelin e pavarësisë.
Gashianët ishin mbështetja kryesore e kryengritjes së përgjithshme të udhëhequr nga Hasan Prishtina, Bajram Curri, Isa Boletini, Idriz Seferi që u finalizua me çlirimin e Shkupit e shpalljen e pavarësisë dhe ngritjen e flamurit në Vlorë nga babai i pavarësisë Plaku i Vlorës Ismail Qemali.
Asnjë pushtues që ka shkelur trevat e veriut shqiptar nuk ka shpëtuar pa u përballur pritë me pritë, dhemb për dhemb me djemt e Gashit e prijësit e tyre.
Ketë fat e kanë patur serbët, turqit, malazezët, austrohungarezët e më vonë italianët dhe gjermanët.
Në fshatin Mejdan përballë Shkelzenit është fushëbeteja e duelit të Gjergj Elez Alisë me bajlozin e detit.
Është fushëbeteja e kreshnikëve, Mujit dhe Halilit me krajlitë serbe.
Fshati e mori emrin Mejdan dhe e ruan brez pas brezi në kujtim të Gjergjit legjendarë, i cili u ngrit nga shtrati i vdekjes me 9-të plagë, i doli trimërisht në mejdan bajlozit, për të mbrojtur nderin e motrës dhe lirisë.
Në Gash është zhvilluar mbledhje e parë KANÇL me dt  10-të mars të vitit 1943, në shtëpinë e Sadik Zenunit në Berbat.
Kryetar është zgjedhur Ibish Shpend Haklaj.
E theksova këtë fakt të deformuar nga historiografia komuniste, por edhe në vitet e para të demokracisë duke shpallur me gënjeshtra si kryetar njerëz që tani dolën nga arkivat bashkëpunëtorë të fashizmit, madje edhe të paguar.
Me herët kishin dalë edhe bashkëpunëtor të udbës.
Në Konferencën Historike të Bujanit me dt 31dhjetor 1943- 1, 2 janar 1944 Gashi kishte përfaqësuesit e tij.
Kjo konferencë vendosi bashkimin e Kosovës me Shqipërinë, sipas Paktit të Atlantikut, vetëvendosjes së popujve, pas Luftës së Dytë Botërore, por u tradhëtua nga komunistët shqiptarë.
Ram Muja i Gashit i quajtur luani i Malësisë ishte i ftuar special i Konferencës së Pezës, por nuk mori pjesë sepse nuk u besoj komunistëve dhe u bashkua me forcat nacionaliste.
Sapo erdhën në pushtet kmerët e kuq e ekzekutuan Luanin e maleve.
Eshtë i vetmi burrë, nacionalist që ka tre mënyra  vdekje nëse mund të shprehemi kështu, pasi ka  vdekur i helmuar, është  vrarë gjoja në përpjekje, pastaj është varur nga komunistët, duke shkelur kështu edhe kodin e të vdekurve.
Varja e kufomës së tij deshmon urrejtjen patologjike të bollshevikëve shqiptarë ndaj nacionalizmit e përfaqësuesve të tij.
Bolshevikët shqiptarë përgjakën ditën e Shen Mhillit, në kodrat e Palçit me dt 29-të shtator, në vitin 1946, me krimin e tmerrshëm shtazarak para qindra vetëve, pushkatimin publik, pa gjygj të Fet Sadikut dhe Uk Çunit, duke dhunuar kufomat, për të ngjallur panik.
Për pesë dekada diktatura komuniste shtypi me thundër të hekurt familjet nacionaliste të Gashit e të Malësisë së Gjakovës duke burgosur e interrnuar shumë prej tyre.
Në vitin 1990-të djemt’ e Gashit dhe të Malësisë së Gjakovës u rreshtuan të parët në frontin për rrëzimin e diktaturës komuniste.
Ata kanë kontribut të jashtëzakonshëm për institucionalizimin e demokracisë e konsolidimin e shtetit të së drejtës.
Gashi ka nxjerrë personalitete të mëdha patriotike, atdhetare, politike, artistike, shkencore në të gjitha kohërat.
Në këtë refleksion evidentova një pjesë të fakteve historike, të dhimbshme, por të lavdishme, të Gashit të Gurit dhe Malësisë së Gjakovës, sepse do të duhet një libër në vehte për të pasqyruar enciklopedinë e tij.
Gashi,Tropoja, Malësia e Gjakovës, krenohet me dy bijtë e vet, hyjnorë,  klerikë dhe atdhetarë të flaktë, që të dy “Nderi i Kombit”, orët e shqiptarisë  Dervish Luzhën e Rexhep Belin, filantrop të mëdhenj, luftëtarë, antifashist, mësues të popullit, patriot të klasit të parë.
Dervish Luzha marshoi me forcat çlirimtare shqiptare në ndjekje të nazistëve, dhe kur mbërriti në Gur  t’Shpuem nguli shkopin dhe tha fjalët profetike:
” Deri këtu është toka shqiptare ku është folë gjuha amtare”.
Gashi krenohet me deshmorin e Atdheut Rrustem Sadri Haklaj, i cili ra  në vitin 1937-të, në hyrje të Kalasë së Gjirokastrës, në mbrojte të rendit kushtetues e institucioneve shtetërore nga rebelimi i forcave te Ethem Totos.
Gashi, Tropoja, ( Malësia e Gjakovës) krenohet me Geghysenin “Nderi i Kombit”.
Gashi,Tropoja krenohen me Nikaj-Mërturin “Nderi i Kombit”.
Gashi, Tropoja janë krenarë për mbështetjen që i dhanë luftës Çlirimtare për Çlirimin e Kosovës.
Në Gash kishte disa baza të UÇK-së së Lavdishme.
E gjithë Tropoja ishte bazë e mbështetje e saj.
Tropojanët ishin në vijën e parë të luftimeve.
Gashianët dhe tropojanët kanë kontribut të çmuar në betejat legjendare të Koshares, me kolosët e qëndresës Agim Ramadani dhe Sali Çekaj dhe shembjen e piramidave të kufirit mes Shqipërisë dhe Kosovës.
Shumë djem të Gashit dhe të Tropojës e mbështetën Kalorësin e Lirisë z Ramush Haradinaj, Zaj Çela Rexhep Kërtoçi, Rakip Sadikaj, Besim Kuçana Hysni Neziri, Feriz Trezhnjeva, Avdyl Trezhnjeva, Fatmir Doçi, Bylbyl Breçani, Xhevahir Selmani, Vendim Demaj  Shpend Demaj, Halil Demaj, Skender Agaj etj.
Disa  ranë deshmorë në fushë të Mejdanit, Fatmir Doçi, Bylbyl Breçani.
Zaj Çela, Hysni Neziri, Shpend Demaj u plagosën.
Një kontribut të veçantë kanë gazetarët Ismail Buçpapaj, Ilir Buçpapaj të cilët me kamren e tyre  qëndruan në frontin e luftës dhe duke i transmetuar  fitoret e UÇK- së  ngritën lart moralin e optimizmin e luftëtarëve, zgjuan besimin e ngjallën shpresën e triumfit.
Me transmetimin e aksioneve heroike të UÇk-së nga terreni hodhën  poshtë propogandën e shfrenuar kundër saj, si dhe  sensibilizuan  opinionin për strehimin e vëllezërve tanë nga Kosova.
Kontribut të çmuar ka pushteti lokal atëherë për strehimin e 20000 qytetarëve të ardhur nga Kosova, e cila ishte kthyer shesh i betejave të luftës çlirimtare.
E gjithë Tropoja ishtë në mbështetje të kauzës së UÇK-së për çlirimin e Kosovës.
Po e përfundoi këtë opinion me perifrazimin e diplomatit të shquar gjerman Gensher:
Hisoria e kombit tim, fillon nga oborri i shtëpisë time”.
Azgan Haklaj “Mjeshtër i Madh” ish deputet
President i Unionit Artistik të Kombit Shqiptar
“Kalorës i Urdhrit të Skenderbeut”
Autor i 7-të librave.