Gjatë javës që vjen, Këshilli i OKB-së mbi të Drejtat e Njeriut do të përballet me shumë çështje të rëndësishme të mbetura pezull pas pezullimit të sesionit të 43-të të tij në muajin mars për shkak të COVID-19. Takimi, i cili nis të hënën, do të jetë sikurse u tha një qasje hibride, një ndërthurje mes prezantimeve reale e virtuale.
Për të garantuar sigurinë e pjesëmarrësve gjatë kësaj periudhe të koronavirusit, zyrtarët e OKB-së thonë se masat për distancimin social do të zbatohen në mënyrë rigoroze. Delegacionet do të kenë një numër të vogël përfaqësuesish që do të marrin pjesë në seancë dhe qindra ngjarje të tjera nga organizata joqeveritare nuk do të zhvillohen në ambientet e OKB-së.
Prezantimi i raporteve mbi çështje të të drejtave të njeriut do të përfshijë ekspertë që janë fizikisht të pranishëm ose që do të flasin përmes video-konferencës. Vendet që do t’i nështrohen shqyrtimit përfshijnë Republikën Demokratike të Kongos, Mali, Ukraina, Libia, Afganistani dhe Republika Qendrore e Afrikës.
Një nga pikat kryesore të takimit një javor do të jetë dhe një debat urgjent mbi atë që u tha se ishte një çështje e racizmit të institucionalizuar në Shtetet e Bashkuara e që u vu në pah nga vrasja e afrikano-amerikanit George Floyd ndërsa ishte në arrest.
Një nga zyrtarët e lartë të OKB-së në Gjenevë John Fisher tha se: “ne jemi gjithashtu shumë të shqetësuar që Kina po kërkon të shfrytëzojë këtë moment të kaosit global dhe trazirave brenda SHBA-së për të goditur të drejtat dhe liritë e njeriut në Hong Kong…Ne po u bëjmë thirrje shteteve të ndryshme që ta shfrytëzojnë këtë moment për më shumë vëmendje ndaj Hong Kongut. Kjo është një periudhë kur Kina do të vëzhgojë përgjigjen ndërkombëtare dhe nëse kjo përgjigje do të jetë e heshtur, do të ndjehet edhe më e guximshme të bëjë përpara“, tha ai.
Një vit më parë, relatorja speciale për vrasjet pa gjyq, Agnes Callemard, prezantoi raportin e saj mbi vrasjen e gazetarit saudit të “Washington Post” Jamal Khashoggi, që siç tha ajo u krye nga agjentë të qeverisë saudite. Ndërsa kjo çështje nuk është zyrtarisht në axhendën e këshillit, zonja Fisher mendon se duhet t’i kushtohet sërish vëmendje.
Në fund të javës, këshilli do të marrë vendim për miratimin e më shumë se 40 rezolutave. Ato përfshijnë rekomandime për përmirësimin e situatës të të drejtave të njeriut në vende si Libia, Irani, Nikaragua, Sudani i Jugut dhe Mianmari.