Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres, kohët e fundit bëri thirrje për trajtimin e shëndetit mendor të miliona njerëzve në të gjithë botën, të cilët vuajnë nga shqetësime psikologjike të shkaktuar nga pandemia Covid-19. Kjo nuk ka të bëjë vetëm me ata që janë të sëmurë, por për të gjithë ata që kanë frikë se çfarë mund të ndodhë nëse infektohen me virusin.

Marisa dhe burri i saj Juan Carlos, të dy infermierë, punojnë me pacientët më të sëmurë dhe në gjendje më të rëndë në një spital në Uashington.

“Ata pacientë i nënshtrohen trajtimit me gjak të oksigjenuar përmes një mushkërie artificiale, duke anashkaluar mushkëritë e tyre. Kjo është mundësia e tyre e fundit për të mbijetuar. Sigurisht, nuk dua të sjell asgjë në shtëpi. Vajza ime e madhe vuan nga astma dhe kjo e vendos atë në grupin e më të rrëzikuarve (nga koronavirusi)”, thotë Marisa Wiswell.

“Ne jemi në vijën e parë, ne e dimë se çfarë po ndodh dhe ne e dimë se nuk ka kurë. Duhet të ndërrojmë rrobat, të lëmë këpucët jashtë, të sigurohemi që gjithçka është e pastër, në mënyrë që të mos e transportojmë virusin”, tha Juan Carlos Torres, infermier në njesinë e kujdesit intensiv.

Frika dhe ankthi nga mundësia e infektimit me Covid-19 nuk i ka kapur vetëm ata që trajtojnë ose kujdesen për të infektuarit.

Qendra Kërkimore Pew njofton se një e treta e amerikanëve pësuan nivele të larta të shqetësimit psikologjik në një pikë gjatë masave kufizuese. Terapistët e kanë parë nga afër këtë rritje të madhe.

“Disa njerëz reagojnë shpejt, duke kaluar në një gjendje të rëndë ankthi. Pastaj, ka njerëz me një reagim që i dërgon ata në një gjendje të ngrirë, duke i bërë ata më të tërhequr dhe më të izoluar. Ndërgjegjësimi është shumë thelbësor”, tha terapistja Lisa Kruzeger.

Këta prindër kanë pakë kohë për të analizuar gjendjen e tyre mendore. Fokusi i tyre është t’ua bëjnë jetën sa më normale vajzave të tyre.

“Ne nuk i shfaqim emocionet tona rreth tyre. Prandaj, nuk mendoj se ata e dinë se çfarë po ndodh”, tha Juan Carlos Torres, infermier në njesinë e kujdesit intensiv.

Megjithatë, mbajtja e ndjenjave brenda nuk është rruga më e mirë, paralajmërojnë ekspertët.

“Fëmijët janë shumë vëzhgues dhe me intuitë të mprehtë rreth gjendjes së prindërve të tyre. Ajo që ne zakonisht shohim është një tërheqje nga familja ose nervozizëm të butë, ndryshime në gjumë dhe oreks. Mundësia për të folur për këtë i ndihmon ata vetëm të jenë pjesëmarrës dhe të mos supozojnë se ky është faji i tyre”, tha psikologu Ehsan Habibpour.

Ndërsa disa pjesë të vendit fillojnë të rihapen me udhëzime për respektimin e distancimit fizik, një lloj tjetër frike është duke i ndjekur pronarët e restoranteve të vogla.

“Sapo jam diplomuar nga universiteti. Kam hua të shkollimit që duhet t’i paguajë. Nëse nuk stabiliozohet biznesi, unë do të kem mjaft probleme të tjera”, tha Sim Kaur, pronare e restorantit Aroma.

Sim dhe prindërit e saj, dezinfektojnë rregullisht restorantin, por ata nuk janë të sigurt se masat e tyre shtesë do të jenë të mjaftueshme.

“Nëse klienët nuk ndjehen të rehatshëm, ose ekspozohen ndaj koronarusit, ata nuk do të duan të ulen dhe të darkojnë. Numri i porosive për dërgesa ka rënë. Frika është se kush po e prek ushqimin? Si është përgatitur ushqimi?”

“Është një shqetësim i arsyeshëm. Por përtej kësaj, nëse ne bëjmë diçka që mund të ndikojë në funksionin tonë të përditshëm, ajo bëhet një fiksim, detyrim, paranojë apo ankth ekstrem”, tha psikologu Ehsan Habibpour.

Terapistët janë duke ofruar shërbime në internet për të trajtuar këto dhe raste të tjera më të rënda.

Por duke marrë parasysh që pandemia akoma nuk ka përfunduar, edhe ata që pohojnë se janë me shëndet të fortë mendor, kanë shqetësime.

“Shpresat po pakësohen çdo ditë. A do të kalojë kjo situatë? Kur do të dalim prej saj?”, tha Jyoti Chhatwal, nëna e zonjës Sim Kaur.

“Sa kohë mund të qëndrojmë në biznes? Koha do të tregojë. Ndoshta do të ishte mirë që të mbyllnim restorantin dhe të heqim dorë nga biznesi”, tha Daljeet Singh, babai i zonjës Sim Kaur.

Sondazhi Qendrës Kërkimore Pew tregoi nivele më të larta të shqetësimit psikologjik në mesin e atyre me probleme të rënda financiare ose që kishin frikë nga infektimi me koronavirus.

Në këtë kontekst, Dr. Habibpour parashikon një kërkesë në rritje për mbështetje të shëndetit mendor në muajt e ardhshëm.

Në vendin e tyre të punës, Marisa dhe bashkëshorti i saj kanë qasje në kujdesin shëndetësor mendor. Deri më tani, megjithatë, ajo ka zgjedhur të përqendrohet në anët pozitive ndërsa merret me trajtimin e stresit.

“Të jesh në gjendje të flasësh me kolegët në botën e infermierisë që kanë kaluar të njëjtat gjëra dhe që e kuptojnë jetën dhe vdekjen në këtë nivel, është pozitive. Kjo vërtetë ju ndihmon”, thotë ajo.