Muaji i kaluar sipas shërbimit të monitorimit të ndryshimeve klimatike ishte Maji më i ngrohtë i të gjitha kohërave, me një temperaturë globale 0.63 gradë Celsius mbi mesataren.
Nga monitorimet e kryera rezulton se periudha e fundit 12-mujore, gjithashtu konsiderohet si më e nxehta.
Në disa pjesë të Siberisë, temperaturat u rriten deri në 10 gradë Celsius mbi mesataren, ndërsa në disa pjesë të Alaskës, Amerikës së Jugut dhe Antarktidës temperaturat ishin më të larta se mesatarja.
Shkencëtari Mark Parrington, u shpreh se verën e kaluar, Siberia u përfshi nga zjarre të shumtë dhe intensivë sepse temperasturat e larta krijojnë mjedisin ideal për zjarret.
Mbretëria e Bashkuar gjithashtu përjetoi pranverën e saj më të nxehtë. Pavarësisht rritjes globale të temperaturave mesatare, disa rajone patën temperatura nën mesatare, përfshirë Brazilin jugor, disa pjesë të Kanadasë, disa pjesë në Azinë jugore dhe Australi.
Në prill, një raport i Organizatës Botërore të Meteorologjisë konfirmoi se pesë vitet e kaluara kanë qenë më të nxehtat. Raporti i gjendjes së klimës për vitet 2015-2019 theksoi, se rritja e nivelit të detit po përshpejtohet, akullnajat po bien, gjithmonë e më shumë nxehtësi po grumbullohet në oqeane, duke dëmtuar jetën e gjallë aty. Gjithashtu sipas këtij raporti, vala e nxehtësisë dhe zjarret po bëhen një rrezik gjithnjë e më i madh.