Lidhja Shqiptare e Prizrenit mbetet guri më i ndritshëm kilometrik i rrugëtimit të shqiptarëve drejt progresit kombëtar. Ndonëse shumë ide të Lidhjes mbetën të parealizuara për shkak të raportit gjeopolitik, ushtarak, e diplomatik të forcave para 142 viteve, ajo megjithatë vazhdon të shërbejë si një krua i pashtershëm i energjive të pastra kombëtare brenda trungut etnik shqiptar.

Nga Mehmet PRISHTINA

Një komb është i suksesshëm në rrugëtimin e tij, vetëm nëse arrin të ngrejë në maksimum aftësitë dhe kapacitetet shtendërtuese. Për shumë kombe ky proces kishte përfunduar në shek. 19, por te shqiptarët fatkeqësisht shkoi më vonë.
Megjithatë, si ngjarje që shënon pjekurinë historike të shqiptarëve për shtetndërtim mund të konsiderohet Lidhja Shqiptare e Prizrenit (10 qershor 1878), jehoha e së cilës nuk ka pushuar të jetë aktuale deri në ditët e sotme.
Por, çka mësuan shqiptarët, si politikë dhe si shoqëri, nga Lidhja e Prizrenit dhe sa kjo ngjarje ka mbetë vetëm në muze dhe nëpër libra, dhe sa ka shërbyer si model i unifikimit dhe mirëkuptimit të brendashqiptar?
Lidhjes Shqiptare të Prizrenit i njihen disa merita, por kësaj radhe do të veçojmë vetëm tri, për të qenë në korrent me ngjarjet e së kaluarës që mund të shërbejnë edhe si ura lidhëse me të sotmen dhe të ardhmen.
Konteksti historik kur u organizua Kuvendi i Lidhjes në Prizren ishte tepër i pafavorshëm për çfarëdo lloj organizimi politik e ushtarak të shqiptarëve, mirëpo kjo nuk i pengoi krerët e Lëvizjes sonë kombëtare që të thyejnë barrierat dhe të mblidhen në Prizren, për të artikuluar fuqishëm padrejtësitë e Kongresit të Berlinit, i cili u tregua tepër i njëanshëm në vendimet e veta që shkonin ndesh me sovranitetin dhe integritetin territorial të tokave shqiptare.
Merita tjetër e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit ishte se ajo, si një organizatë gjithë kombëtare dhe gjithëkrahinore, i dha kahje të duhur politike kërkesave të shqiptarëve duke i unifikuar brenda një platforme të vetme, e cila edhe pse kishte mospajtime të caktuara, ajo megjithatë arriti të integrojë një frymë të re mobilizimi në aspektin e ngjizjes së ideve kombëtare brenda një doktrine politike e ushtarake.
Kur jemi te doktrina ushtarake, duhet përmendur faktin se Lidhja shqiptare e Prizrenit, përpos që i kishte tiparet e një akademie politike, ajo i vuri bazat edhe të akademisë ushtarake, sepse komponenta e rezistencës së armatosur, që kulmoi me kryengritjet e mëdha në fillim të shek.20. i japin asaj tiparet e një edukimi ushtarak të brezave që do të vijnë e që do ta kenë Lidhjen si pikë referuese të të gjitha përpjekjeve për çlirim nga dominimi i huaj. Lufta e fundit e Ushtrisë së lavdishme Çlirimtare të Kosovës, si refleksion historik i ngjarjeve të mëvonshme, u formua dhe zhvillua mbi themelet politike e ushtarake të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, që në instancë të fundit ishte edhe bazamenti i shtetndërtimit të Kosovës, së lirë e të pavarur.
Një pyetje fundamentale që imponohet tani kur po kujtojmë 142 vjetorin e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit ndërlidhet gjithsesi me dilemën nëse Kosova si shtet dhe si shoqëri po e ndjek modelin unifikimit dhe mirëkuptimit, ashtu siç e manifestonin krerët e Lidhjes, duke dalur mbi dallimet krahinore, fetare e ideologjike në favor të ideve integruese brendashqiptare.
Më tepër se kurdoherë më parë, Kosova aktualisht ka nevojë të mësojë nga këto ide të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, edhe për faktin se tani ndodhemi në fazën e mbylljes së çështjeve problematike me Serbinë. Mbi të gjitha, ky mësim do të ishte produktiv sikur do të refuzonte çfarëdo lloj opsioni që vë në pikëpyetje tërësinë territoriale të shtetit të Kosovës. Sepse vet Lidhja Shqiptare e Prizrenit, me shtrirjen e saj organizative në të gjitha viset shqiptare, kishte si lajtmotiv pikërisht plotninë e pacënueshme të hapësirës etnike shqiptare.
Nëse bëjmë një paralelizëm të situatave e rrethanave të tanishme me ato të para 142 viteve, do të vërejmë një paradoks se vetëdija politike e kombëtare e krerëve të Lidhjes ishte shumëfish më e avancuar se një pjesë e klasës politike aktuale të Kosovës, të cilën nuk mund ta vlerësojmë lart përderisa ka pranuar që në momente të caktuara të rinegocojë e statusin e Kosovës, edhe përkundër mendimit afirmativ të GJND-së sa i përket legjitimitetit ndërkombëtar të pavarësisë së Kosovës. Pas këtij mendimi, asnjë politikan i Kosovës nuk do të guxonte të negocionte më për kufijtë e Kosovës e më së paku të kontrabandonte në tryezën e negociatave edhe çështjet gjoja të pazgjidhur territoriale të saj.
Lidhja Shqiptare e Prizrenit mbetet guri më i ndritshëm kilometrik i rrugëtimit të shqiptarëve drejt progresit kombëtar. Ndonëse shumë ide të Lidhjes mbetën të parealizuara për shkak të raportit gjeopolitik, ushtarak, e diplomatik të forcave para 142 viteve, ajo megjithatë vazhdon të shërbejë si një krua i pashtershëm i energjive të pastra kombëtare brenda trungut etnik shqiptar. Brezat që po vijnë duhet ta kenë LSHP si kandil orientues, jo vetëm në përhapjen e ideve avangarde, por edhe në instalimin e një mendësie moderne që pikëpamjet dhe mendimet e ndryshme i trajton si begati e debatit, e jo si hendikep i zhvillimit. Kosova si shtet dhe si shoqëri ka nevojë pikërisht për këtë mendësi, në mënyrë që rivalitetet dhe polarazimet aktuale të marrin fund dhe në vend të tyre t’i hapet shteg pajtimit të brendshëm kombëtar.

Prishtinë, 10 qershor 2020