Në të ardhmen, robotët mund të marrin një sy gjumë. Rrjetet e tyre nervore artificiale (Artificial Neural Networks – ANN) , në fakt, kanë nevojë të çlodhen për të rikuperuar stabilitetin e humbur gjatë të mësuarit, njësoj si truri i njeriut. Këtë zbulim e kanë bërë kërkuesit e laboratorit amerikan të Los Alamos National Laboratory , në New Mexico, i cili do të prezantohet në Seattle, me rastin e konferencës “Women in Computer Vision”.
“Ne studiojmë rrjetet nervore artificiale me impuls, sisteme që mësojnë ashtu si truri ynë” – shpjegon kërkuesja Yijing Watkins. “Ne u magjepsëm nga perspektiva për të mësuar një procesor neuromorfik, në mënyrë të ngjashme si ajo që njerëzit dhe sistemet e tjera biologjike mësojnë nga mjedisi gjatë zhvillimit në fëmijëri”. Por eksperimentet e kryera në laborator kanë treguar që, pas periudhave të vazhdueshme të mësimit të pakontrolluar, rrjetet nervore artificiale bëheshin të paqëndrueshme. Për këtë, kërkuesit menduan që t’i linin ‘të pushonin’, duke i ekspozuar ndaj llojeve të ndryshme të zhurmave (të ngjashme me ndërhyrjet që mund të dëgjohen kur kalon nga një stacion radio në tjetrin).
Pas shumë tentativave, ata panë që truri artificial rikuperon njëfarë stabiliteti kur ekspozohet ndaj një zhurme të ashtuquajtur “Gausian”, që përfshin një spektër të gjerë frekuencash dhe amplitude. Prej këtu del hipoteza që kjo lloj zhurme riprodhon të njëjtin input që marrin neuronet e trurit tonë gjatë fazës së gjumit me valë të ngadalta.