“Gjithë jetën me çakla në krah”, më tha Ndoci një ditë, teksa unë ndjeva në zërin e tij tashmë rraskapitjen e udhëtarit që sapo kishte mbyllur përjetë dhe rrugën e fundit.
Tri herë në jetë, Ndoc Gjetja kishte bërë nga ato lëvizjet që s’i bënte askush, dhe që pati çuditur gjithëkënd. Kishte udhëtuar kundër rrymës së lëvizjes së të tjerëve.
Me sa mbaj mend, më duket se më ka thënë që, të tria ato herë kur do të nisej për dikund tjetër, kanë qenë ditë me shi.
Nga lagjia qendrore e qytetit, e sistemuar mirë, me drita, pallate të reja dhe zyra, një ditë krejt papritmas Ndoci kishte vënë teshat në një sharabajkë të madhe dhe qe nisur për të banuar në zonën më periferike të qytetit, në lagjen e magjypëve, atje ku çdo gjë qe e lënë pas dore, geto në terr e mjerim. Dhe Ndoci do shkonte të fuste kokën në një shtëpi të mjerë buzë Drinit.
Udha e dytë, qe bash atëherë kur fshati pati lodhur gjithëkend me hallet e tija, me pluhur e baltë ngado, dhe kur njerëzit me të gjitha mënyrat i mësynin banimit dhe punës në qytet. Ndoci krejt papritmas e lëshoi shtëpinë e tij dhe shkoi e u fut në qoshen më të humbur të një fshati, mori një shtëpi të thjeshtë dhe nisi një jetë endrrimtari atje më pranë hallit dhe natyrës, larg nga qyteti, ndoshta sipas tij dhe larg “nga rrëmuja dhe rrëmeti”. Vite të tëra atje, duke bubërruar mbi vjersha, mbi motivet e tij që i kishin mbushur frymëzimin e botës që kish.
Dhe u desh një shkrim i Anastas Kondos që ta thërrisnin Ndocin në Tiranë, për herë të parë nga një vend i vogël e drejt qytetit të madh
Dhe pikërisht atëherë kur ky qytet u bë lakmia e kujtëdo, ku çdo shqiptar iu turr kryeqytetit, ku lumi i makinave dhe teshave sulmoi nga të katër anët Tiranën, Ndoci u përvodh, e ashtu i heshtur dhe i zhgënjyer, mbushur me brengat e veta, mblodhi atë grusht plaçka që kishte mundur të bënte, dhe shkoi e u fut në Balldre të Lezhës, për të ardhur pas ca kohësh në qytet.
Jam munduar ta kuptoj këtë lloj stili të Ndocit për tu adaptuar me vendet, natyrën, hapsirën dhe jetën urbane. Mes frikës dhe entuziasmit, ëndërres dhe realitetit, tutlimit të njeriut të heshtur dhe të ditur në raport me zhurmëmëdhenjtë. Të gjitha këto më kujtonin herë romantikët e Chamberlendit, që lanë qytetin, herë “Poetti crepuscolari” që braktisën letërsinë romantike apo bukolike, Ungareti që lëshoi Italinë dhe shkoi në skutat më periferike të Brazilit, poetët formalistë që lëshuan vendet e qytetruara dhe shkuan e u skutluan në fund të savanave.
Në një shkrim të Prof. Dr. Gianfranco Marrone, (Universiteti i Palermos), “Kulturtë / natyrë, Qytet / fshat: rasti GNAC” merren në analizë dhe raportet mes Traditës dhe Modernitetit, tek libri i Italo Calvino-s “Marcovaldo ovvero le stagioni in citta”, (1963). “Ky Marcovaldo kishte një sy jo shumë të përshtatshëm me jetën e qytetit. Tabela, semafore, vitrina, shenja të ndritshme, që duheshin për të tërhequr vemendjen, kurrë nuk e ndalnin dot shikimin e tij. Përkundrazi, një gjethe që zverdhet në një degë, një pendë që ka ngecur në një tjegull, nuk i shpëtonin kurrë…”
Por pikërisht ajo bota e vogël mund të ketë brenda saj atë magjinë e madhe. S’duhet harruar kurrë arsyetimi i Lotman-it në lidhje me veprat e Leopardit, Shekspirit apo Pushkinit, se, një tekst “i vogël” lokal mund të përmbajë në bërthamën e vet një kulturë të tërë “globale”.
Ndoci patjetër që ka qenë metafora e lëvizjes së vet, ka qenë nënteksti, ka qenë mërgimi i trupit dhe shpirtit, dhe i ëndrrës së shenjtë që e kishte të mbyllur në kuvlinë e tij, e kishte ngritur në atë altarin që ka njeriu brenda vetes, që i shenjtëron idetë e tij përditë e përditë, me meshën e tij të fshehtë. Ikjet ishin një provë e vetmevetes, ishte rezistenca ndaj syrgjynit, ishte dhe arratisja drejt lirive që vetë Ndoci i përceptonte.
Një nga poetët më të mëdhenj grekë, Titos Patrikios shkruan: Kur isha fëmijë Athina ishte plot me karroca me mbishkrimin “Bëj metafora”, pra për mua metafora tregonte një transport lëndor.
Dhe Ndoci mjafton të kishte me vete atë kutinë sekrete të tij, matricën e artit të të bërit zejen e vet të vargut, ujin e rëndë, dhe të mos ia luaje dhe trazoje, dhe ai s’donte t’ia dinte më. Taman ashtu si misionarët e shenjtë, që mjafton të kishin besimin brenda vetes, të kishin devotshmërinë dhe përkorjen, dhe bënin mision dhe në fund të botës po t’i hidhje.
Ecja, lëvizja, shtegtimi, arratisja nga liritë e mëdha për të fituar liritë e vogla, (që i duhen patjetër poetit për të vënë në punë evlemendin e tij atje ku ai ndjehej më mirë), ka qenë sinergjia, ka qenë zanafilla e vokacionit, ka qenë nukli nga e cila Ndoc Gjetja përceptonte të gatuante botën e tij poetike përsonale. Gati është devizë që: “Poetët nuk mund të rrojmë dot pa udhëtuar”. Çdo hapsirë tjetër sado e madhe i rri ngusht lëvizjes, frymëzimeve, imazheve, ekstravagancës, muzës dhe misionit të poetit. Poetët janë vetë udha.
Patrikios mendon se të gjitha veprat e mëdha janë vepra bredharakësh, mërgimtarësh, ikanakësh. Odisea, Simbad detari, Don Kishoti. “Mua për veten time, më pëlqen më shumë Don Kishoti se sa Fausti, sepse Fausti është shumë statik”.
Ndoc Gjetja u end në jetë herë si Diogjeni, me kandilin në dorë dhe i zhgënjyer e i vrarë, herë fatkeq, si çdokushi që është produkt i rrethanave, i përvuajtur, me krenarinë e tij të përkorë, me atë zërin e tij të brendshëm të krijimit, (që më shumë fliste me vetveten se sa së jashtmi), i zbehtë e i përhumbur, si çdo krijues që është më shumë në botën e ideve dhe frymëzimeve, se sa në tokën reale, (pra në një dimension tjetër), i mbushur me brenga dhe dhimbje, me mall dhe revolta, që i përcillte të gjitha me një zotnillek e klas fisniku. Gjeografia e brendshme e tij qe me fitore dhe travaje bashkë, hapsira të pafund dhimbjesh, lëndina të vogla ku mbështeti kokën ndërgjegja e tij e cfilitur. Dhe asnjëherë nuk iu nda rrugës, dhe atëherë kur këmbët se dërgonin më askund.
Mbaj mend se dikund kam lexuar një thënie të Giacomo Trinci-t që më ka pëlqyer tepër: Mendoj se ka dy trajta të të endurit, ose më mirë dy forma udhëtimesh: Anën faustiane, (të endurit në kohë), dhe anën e Uliksit, (shtegtimit në hapsirë).
Ndoc Gjetja ndodhej në të dyja realitetet njëherësh.
(E postova pikërisht sot, mbasi këtë ditë bëhen 10 vite që është shuar poeti Ndoc Gjetja. Kjo ese eshtë shkëputur nga libri im “Udha fillikate e vetmitarit” me 21 ese dhe shkrime e kujtime të mijat për Poetin. Ky libër u botua para një muaji.)