Etiopia e cila përballet me rrezikun e zhdukjes së pyjeve, në 3 muajt e ardhshëm do të mbjellë 5 miliardë fidanë.
Qeveria e vendit e cila vitin e kaluar me anë të një fushate kishte mbjellë 350 milionë fidanë brenda 12 orëve, njoftoi se janë të gatshëm të mbjellin 5 miliardë fidanë gjatë sezonit të shirave që do të zgjasë 3 muaj.
Komisioneri i Komisionit i Mjedisit, Pyjeve dhe Ndryshimit të Klimës (EFCCC), Fekadu Beyene, në deklaratën e tij theksoi se qëllimi për mbjellje është zgjerimi i mbulesës pyore si dhe lufta kundër ndryshimit klimatik.
Ai tha se pavarësisht koronavirusit të ri (COVID-19) kanë përfunduar të gjitha përgatitjet për mbjelljen e 5 miliardë fidanëve. “Mbulesa pyjore në vendin tonë tani është rreth 15,5 për qind. Në rast se çdo vit arrijmë të mbjellim 1 miliard pemë në 1 milion hektarë, kjo përqindje në vitin 2030 do të arrijë 30 për qind”, u shpreh ai.
Në kuadër të fushatës “Trashëgimia e Gjelbër” të filluar nga qeveria e Addis Ababa çdo vit janë mbjellë 4 miliardë fidanë, ndërsa kishte thyer rekord me 350 milionë fidanë të mbjellë në 12 orë.
Edhe pse ky rekord botëror nuk u njoh nga ndonjë institucion i pavarur, fushata me pjesëmarrje mbarëkombëtare, kishte tërhequr vëmendjen e publikut botëror.
Sipas të dhënave të Kombeve të Bashkuara (OKB), në fillim të shekullit 20 vendi ishte i mbuluar me 35 për qind pyje.