Ballina Aktualitet “Vetëm 57 për qind e fëmijëve në Kosovë kanë ndjekur mësimin online...

“Vetëm 57 për qind e fëmijëve në Kosovë kanë ndjekur mësimin online gjatë karantinës”

 

Sipas një ankete me 227 familje të publikuar me rastin e 1 Qershorit – Ditës së Fëmijëve, u tha se 11 për qind e familjeve të anketuara në Kosovë nuk kishin televizor për t’i ndjekur ligjëratat shkollore.

Gjatë kohës së karantinës prej më shumë se dymuajshe në Kosovë vetëm 57 për qind e familjeve sipas një ankete të realizuar nga Instituti për Zhvillimin e Politikave Sociale (IZHPS) i kanë përcjellë ligjëratat shkollore në platformën “online” në televizor apo mjete tjera të informimit, raporton Anadolu Agency (AA).

Anketa që kishte për synim mbarëvajtjen në ndjekjen e mësimit “online” nga fëmijët e familjeve që janë me asistencë sociale vuri në dukje se kjo kategori hasi në probleme të shumta në mësimnxënien e cila për shkak të pandemisë me koronavirusin u zhvillua “online” që nga muaji mars.

Drejtori i këtij instituti, Vehbi Mujku, tha se anketa e tyre është zhvilluar me 227 familje me asistencë sociale, 80 për qind e të cilëve shqiptarë dhe 20 për qind nga komunitetet tjera joshumicë në vend.

“57 për qind e tyre kanë deklaruar që po, kanë arritur t’i përcjellin mësimet, kurse jo kanë qenë 18 për qind, mirëpo kësaj jo-së i bashkëngjitet edhe një 14 për qind (shumë pak) dhe një 11 për qind (deri diku)”, tha Mujku.

Sipas Mujkut probleme më të theksuara në përcjelljen e mësimit ka pasur tek komuniteti rom, ashkali dhe egjiptian.

Ndërkohë, 24 prej 227 familjeve të anketuara kanë deklaruar se nuk posedojnë fare televizor në shtëpi me ç’rast fëmijët e tyre nuk kanë mundur fare ta ndjekin mësimin. Ndërsa 64 për qind të këtyre familjeve kanë deklaruar se kanë qasje në internet dhe 34 për qind jo.

Aktivistja e shoqërisë civile, Besa Luzha, tha se kategoria me të cilën është bërë anketa me IZHPS është një “grup i margjinalizuar i fëmijëve të cilët kanë pasur posaçërisht vështirësi gjatë kësaj kohe në të cilën kemi kaluar edhe në mësim dhe në kushtet shëndetësore, por edhe në mirëqenie”.

“Prandaj sot në Ditën e Fëmijëve kemi dashur pikërisht që ta ngrisim pak vëmendjen edhe të institucioneve edhe të mediave dhe gjithë neve si qytetarë që të mendojmë se si ta adresojmë këtë grup, sepse pjesa më e madhe e tyre familjeve që janë në asistencë sociale në Kosovë nuk duhet të shihen si barrë as për institucionet as për qytetarët por si një grup për të cilin ne duhet të gjejmë mekanizma, politika, masa dhe mundësi që t’u ndihmojmë të dalin nga ai nivel i pabarabartë në të cilin janë”, tha Luzha.

Avokati i Popullit, Hilmi Jashari i cili mori pjesë në këtë konferencë, tha se para disa ditësh Europoli ka dalë me një qëndrim që gjatë periudhës së pandemisë nuk kanë arritur të mbledhin të dhëna të sakta, por megjithatë e theksojnë se “ka pasur një shtim të madh të rasteve të numrit të abuzimeve me fëmijë për shkak të kufizimeve dhe për shkak të përdorimit të shtuar të internetit”.

Jashari tha se “është detyrim i të gjitha institucioneve për të siguruar dhe për të qenë të përgjegjshme në rrugëtimin e mbrojtjes efektive të të drejtave të njeriut”.