Më 28 maj 2020, në orët e hershme të mëngjesit, në moshën 56 vjeçare ndërroi jetë Prof. Asoc. Dr. Ilirjana Raça-Bunjaku, profesoreshë në Fakultetin e Mjekësisë në Universitetin e Gjakovës “Fehmi Agani”.
Për nder të jetës dhe veprës së profesoreshës Ilirjana Raça-Bunjaku, Universiteti i Gjakovës “Fehmi Agani” organizoi mbledhje komemorative në Fakultetin e Mjekësisë, ku të pranishëm ishin familjarë, miq, kolegë dhe studentë të së ndjerës.
Rektori, Prof. Ass. Dr. Artan Nimani, u shpreh ngushëllime familjes, miqve dhe studentëve, duke vlerësuar lartë kontributin dhe veprën e së ndjerës, e cila la pas vetës një familje të mrekullueshme e që duhet të mburren i gjithë stafi dhe studentët e në veçanti familjarët. Rektori Nimani theksoi se pavarësisht gjendjes së rëndë shëndetësore, profesoresha e ndjerë nuk i la anash ligjëratat dhe deri në momentet e fundit të jetës dha kontribut në shërbimin e dijes për brezat e rinj.
Dekani i Fakultetit të Mjekësisë, Prof. Asoc. Dr. Idriz Berisha, për ish-bashkëpunëtoren paraqiti virtytet e saj njerëzore, karakterin, guximin dhe urtësinë që e karakterizonte atë dhe pavarësisht gjendjes shëndetësore, ajo arriti me dinjitet t’i shfaq vlerat e saj. Po ashtu, rrëfeu bashkëpunimin ndër vite.
Të gjithë u pikëlluan për ndarjen nga jeta të profesoreshës Ilirjana Raça-Bunjaku. Mes emocionesh, Prorektorja, Prof. Ass. Dr. Vjollca Dibra, e vlerësoi të ndjerën me fjalët më mbresëlënëse dhe e kujtoi njerëzish mërinë e saj me kuptimin e plotë të fjalës.
Fjalë krenarie për kontributin e saj thanë edhe familjarët, të cilët rrëfyen për lidhjen e saj me Gjakovën, e cila punoi në Spitalin Rajonal të Gjakovës “Isa Grezda” për një kohë të gjatë. Gent Bonjaku, djali i së ndjerës, i cili është në përfundim të shkollimit para universitar, me krenari kujtoi nënën dhe premtoi se do të bëhet një student i mirë dhe do të angazhohet që t’ia plotësoi dëshirat e nënës, duke i respektuar dhe çmuar profesorët, njësoj sikur studentët e saj.
Profesoreshë Iliriana Raça-Bunjaku do të mbahet mend nga të gjithë, si intelektuale, grua e zonja, e vyeshme dhe për kontributin e saj në zhvillimin e Universitetit të Gjakovës “Fehmi Agani”.
Me këtë rast, shprehim ngushëllimet tona të sinqerta, të gjithë familjarëve të profesoreshës Ilirjana, kolegëve të punës në Klinikën e Pneumologjisë në QKUK, studentëve dhe stafit të Fakultetit të Mjekësisë në UGJFA.