Të gjitha palët duhet të respektojnë vendimin e Gjykatës Kushtetuese, tha për DW eurodeputetja gjermane Viola von Cramon-Taubadel. Njëkohësisht ajo e konsideron të papranueshëm shkëmbimin e territoreve Serbi-Kosovë.
Pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës që dekreti i presidentit Hashim Thaçi për ta mandatuar Avdullah Hotin nga Lidhja Demokratike e Kosovës për postin e kryeministrit, është në përputhje me Kushtetutën, eurodeputetja gjermane dhe raportuesja e grupit parlamentar Të Gjelbërit/ EFA për Kosovën, Viola von Cramon-Taubadel, tha në një intervistë me DW:
“Të gjitha palët duhet të respektojnë vendimin e Gjykatës Kushtetuese; kjo është gjëja më e rëndësishme tani dhe nuk ka alternativë. Teksti i kushtetutës për fat të keq lë shumë hapësirë për interpretim dhe kështu e kuptoj se pse shumë njerëz janë të irrituar, por respektimi i shtetit të së drejtës do të thotë gjithashtu që të pranosh vendimin e gjykatës, pavarësisht nëse të pëlqen apo jo.
“Tani është përgjegjësia e Avdullah Hotit të gjejë shumicën në parlament dhe të formojë një qeveri të qëndrueshme për Kosovën. Si deputete e Parlamentit Evropian, mund të them se kush dëshiron ndryshime në peizazhin politik, duhet t’i arrijë ato përmes kutisë së votimit dhe jo në rrugë. Në zgjedhjet e ardhshme, shpresojmë që të fitojnë partitë që më në fund do t’i mënjanojnë hapësirat për interpretim në kushtetutë, të cilat shfrytëzohet vazhdimisht nga aktorët politikë në Kosovë. Njerëzit kanë të drejtë për një kushtetutë koherente! ”
Shkëmbimi i territoreve zgjidhje e papranueshme
Një nga mosmarrëveshjet e rëndësishme mes Kurtit dhe Thaçit ka të bëjë me qëndrimin e tyre ndaj Serbisë. Sipas një raporti të rrjetit të reporterëve hulumtues BIRN të publikuar në portalin mediatik Ballkan Insight, Ministria kosovare e Integrimit Europian në vitin 2019 (në qeverinë e atëhershme ky post mbahej nga PDK) me gjasa ka paguar një agjenci franceze PR për të promovuar jashtë vendit idenë e diskutueshme të një shkëmbimi territoresh mes Kosovës dhe Serbisë.
Lidhur me këtë ide raportuesja e grupit parlamentar Të Gjelbërit/ EFA për Kosovën, Viola von Cramon-Taubadel tha: “Unë vetëm mund ta përsëris me zë të lartë dhe të qartë: Një shkëmbim territoresh mes Kosovës dhe Serbisë nuk është një zgjidhje e pranueshme! Madje ajo nuk është asnjë lloj zgjidhjeje. Një gjë e tillë nuk do të zgjidhte asnjë nga problemet ekzistuese, nuk do të sillte më shumë stabilitet dhe nuk do të ishte në interes të shumicës së qytetarëve dhe qytetareve. Madje do të krijonte një precedent shumë të dëmshëm.
„Kurse për sa i përket firmës konsulente franceze unë mendoj se është absolutisht e papranueshme që të fshihesh pas një kompanie dhe të harxhosh për këtë para publike. Kushdo që në Serbi ose Kosovë mendon se shkëmbimi i territoreve është një ide e mirë, duhet ta thotë këtë publikisht dhe të angazhohet personalisht për të. Pas kësaj ne mund të paraqisnim shumë argumente pse kjo më tepër do ta destabilizonte rajonin sesa do të sillte paqe. Sidoqoftë, nga këndvështrimi i BE-së do të ishte interesante të zbulohej nëse ky i ashtuquajtur studim është paguar me fondet e BE-së. Nëse do të jetë kështu, kjo do të ishte një skandal. Ne do ta hetojmë këtë “.