Shoqata Ndërkombëtare e Transportit Ajror (IATA) publikoi një analizë të re, e cila tregon se pasojat e COVID-19 në trafikun ajror do të ndihen deri në vitin 2023, me një impakt të madh në udhëtimet me distancë të gjatë.

Deri sa të jetë i mundur rifillimi, udhëtimet brenda vendit do të drejtojnë tregun. Por IATA vlerëson se trafiku i pasagjerëve nuk do të rikthehet në nivelet e para krizës deri, të paktën, në vitin 2023. Në vitin 2021 pritet një rënie me 24% krahasuar me 2019 dhe me 32% krahasuar me parashikimet e bëra në tetor 2019. Të dhënat mbështeten në hipotezën e një rihapje të ngadaltë të shteteve të ndryshme dhe eliminimin gradual të kufizimeve që lidhen me udhëtimet, të cilat, megjithatë, në disa raste mund të vijojnë në tremujorin e tretë, për shkak të një vale të dytë të infektimeve prej virusit.

Organizata pretendon ndër të tjera se, masat e detyrueshme të karantinës (në rast të një vale të dytë) do të dëmtojnë më tej trafikun ajror, siç dëshmon një pyetësor i kohëve të fundit, ku 69% e të anketuarve u përgjigjën se nuk kanë ndër mend të marrin në konsideratë fluturime, nëse kjo përfshin 14 ditë izolim në vendin e mbërritjes. Qeveritë duhet të gjejnë alternativa për karantinën si pjesë e procesit të kthimit drejt normalitetit. Për të ardhmen e udhëtimit është e nevojshme të gjenden masa alternative që garantojnë harmoni globale dhe siguri.

Por edhe kështu do të duhet shumë kohë për të rindërtuar besimin e udhëtarëve, sipas Drejtorit të Përgjithshëm dhe CEO-s Alexandre de Juniac, i cili thotë se ata që udhëtojnë për kënaqësi apo për punë do të jenë më të prirë të kursejnë dhe të udhëtojnë në vende pranë shtëpisë.

“Për të mbrojtur mundësinë që aviacioni të jetë një vektor për zhvillimin ekonomik, duhet të përpiqemi të mos e përkeqësojmë situatën, duke i bërë udhëtimet jopraktike, me masa qëndrimi në karantinë” – tha Alexandre De Juniac. “Duhet të gjejmë një zgjidhje që të udhëtojmë të sigurt, duke zgjidhur këto dy sfida: pasagjerët duhet të rigjejnë besimin për të udhëtuar të sigurt, pa sforcime të panevojshme dhe qeveritë duhet të rigjejnë besimin në faktin se ne po i mbrojmë ata nga virusi”.

Burimi: Lonely Planet