Ballina ED/OP Qeveria Shqiptare pa transparencë, rrezikon integrimin e vëndit në BE –...

Qeveria Shqiptare pa transparencë, rrezikon integrimin e vëndit në BE – Nga Prof. Lisen Bashkurti

 

Shqipërisë tashmë i janë hapur dyert nga Bashkimi Evropian për negociatat e antarësimit. Është koha që vëndi të hedhë hapat për përgatitjen e Konferencën Ndërqeveritare, ku do nisin konkretisht këto negociata. Sic dihet, negociatat e antarësimit për në Bashkimin Evropian tanimë janë të bazuara në një metodologji të re të miratuar së fundmi nga Bashkimi Evropian. Koha po kalon dhe Shqipëria po lëviz shumë ngadalë me përmbushjen e kushteve të përcaktuara nga BE. Madje në aspektet e qeverisjes, duket që vëndi po bën hapa mbrapa. Këto hapa prapa kanë të bëjnë drejtpërsëdrejti me shkeljet e parimeve evropiane të qeverisjes, një nga parimet themelore të të cilës është transparenca.
Transparenca qeverisëse njihet si e drejta dhe mënyra për të ekzaminuar proceset e politikë-bërjes dhe vendim-marrjes. Në politikë, transparenca është përdorur gjërësisht si mënyra më e mirë dhe më efikatëse për të mbajtur punonjësit publik të hapur ndaj qytetarëve dhe për të luftuar korrupsionin. Kur mbledhjet vendim-marrëse të qeverisë mbahen të hapura përpara publikut dhe medias, cdo akt i saj, sic mund të jenë miratimi i buxhetit, i ligjeve dhe vendimeve të ndryshme janë të disponueshme për diskutime mund të konsiderohen transparente. Qeverisja transparente kufizon mundësitë abuzive të autoriteteve për interesa të tyre vetiake dhe shmangë cdo konfikt interesi.
Qeveria Rama në Shqipëri është duke i përkeqësuar treguesit e transparencës. Në mënyrë të vecantë, përgjatë mandatit të dytë të saj, që zë fill nga zgjedhjet e vitit 2017, Qeveria Rama ka ardhur duke u mbyllur gjithnjë e më shumë ndaj publikut dhe ka reduktuar së tepërmi aksesin ndaj informacionit mbi dokumentat qeveritare për qytetarët dhe median. Një numër i konsiderueshëm ligjesh, vendimesh qeverie, tenderimesh publike dhe veprimesh janë bërë dhe vijojnë të bëhen prapa dyerve të mbyllura dhe me dokumenta larg aksesit për informim publik. Qeverisja Rama po merr trajtën e plutokracisë, po distancohet nga qytetarët dhe ka hyrë në marrëdhënie shumë problematike me median e lirë.
Mugesa e transparencës po dobëson demokracinë pjesëmarrëse në Shqipëri. Demokracia pjesëmarrëse nën qeverisjen Rama po zëvëndëson transparencën dhe pjesëmarrjen e përditshme të qytetarëve dhe të medias në politikë-bërje dhe vendim-marrje me mungesë informimi, me keqinformim dhe me propogandë.
Demokracia pjesëmarrëse, që sigurohet nga transparenca dhe aksesi i vazhdueshëm për informim publik dhe mediatik është traditë e kahershme e demokracisë Evropiane. Kjo demokraci është përdorur zyrtarisht në Evropën Veriore prej shumë dekadash. Në Suedi, aksesi i publikut mbi dokumentat qeveritare është rregulluar me ligj qysh në vitin 1766. Ky model është shtrirë suksesshëm në të gjithë pjesën tjetër të Bashkimit Evropian, duke shpënë tek masat e njohura si ‘liria e ligjeve të informimit’ dhe ‘ligjet për lobime trasparencë’. Me qëllim që të promovohet transparenca politike, Hans Peter Martin, Paul van Buitenen dhe Ashley Mote te ‘Europa Transparente’ vendosën që të kooperojnë nën emrin ‘Platforma për Transparencë’në vitin 2005. Në nivele globale organizata të ngjashme që promovojnë transparencën janë Transparency International dhe Sunlight Foundation. Nërkohë një lëvizje politike po ngrihet kohëve të fundit në lidhje me kërkesat për transparencë, Pirate Party, pra një grup partishë politike në disa vënde që mbrojnë lirinë e informimit, demoracinë direkte, rrjetet neutrale dhe lirinë e përhapjes së dijeve.
Përkundër gjithë kësaj tradite Evropiane dhe të institucionalizuar nga Bashkimi Evropian në nivel Kontinenti, në Shqipëri, Qeveria Rama po shkel në mënyrë të vazhdueshme dy konceptet bazë të parimit të transparencës: së pari, konceptin që vendimet dhe veprimet e qeverisë të jenë të hapura për publikun dhe, së dyti, konceptin që publiku të gëzojë të drejtën që të ketë akses në dokumentat e qeverisë.
Të dy këto koncepte janë themelore për qeverisjen demokratike. Transparenca forcon besimin dhe, besimi është shumë i rëndësishëm për cdo marrëdhënie të shëndetshme politikë-publik, shtet-qytetar, qeveri-media. Ndërtimi i lumturisë dhe angazhimit përmes transparencës do të thotë mbajtja rregullisht e qytetarëve të informuar mbi politikë-bërjen dhe vendimmarrjen si në aspektin strategjik ashtu edhe në eventet e përditshmërisë.
Për mungesën e transparencës, të mbylljes dhe të bllokimit të aksesit për informacion mbi dokumentat e qeverisë përgjegjësisnë kryesore e ka lidershipi i qeverisë, pikërisht Kryeministri Rama. Kjo, sepse në sistemin demokratik për transparencën qeverisëse rol qëndror ka lidershipi. Transparenca në lidership do thotë mbajtja e gjithë antarëve të ekipit drejtues, në rastin konkret të qeverisë dhe parlamentit, të qytetarëve dhe medias të mirëinformuar, ndarja me gjithë këto faktorë e të mirave dhe të këqijave si dhe mirëpritja me ndërshmëri dhe durim e cdo reagimi nga ana e tyre. Në këmbim të transparencës lidershipi merr nga ekipi i tij qeverisës, nga qytetarët dhe nga media më shumë luajalitet dhe besim.
Krejt e kundërta po ndodh me qeverijes shqiptare nën drejtimin e z. Rama. Qeveria Rama po mban agjenda dhe situatave të fshehta, po krijon mungesë luajaliteti nga ekipi, rënie të madhe besimi nga vetë qytetarët si dhe konflikte të vazhdueshme me shoqërinë civile dhe median. Një sjellje e tillë qeverisëse me agjenda dhe situatave të fshehta, me qëndrime dhe veprime arbitrare po shoqërohet me frymë perjashtuese në politikë-bërje dhe vendim-marrje, me kufizime informacioni mbi dokumentat qeveritare, me një makineri të tërë propogande dhe shkelje të vazhdueshme të kushtetueshmërisë dhe ligjit.
Qeveria Shqiptare nën drejtimin e z. Rama në periudhën 2018-2019 e në vazhdim, me vendimet dhe veprimet e saj, sic janë ligji për KCK, ligji për mediat, i njohur si ‘ligji anti-shpifje’, ligji dhe vendimet për shëmbjen e Teatrit Kombëtar si dhe një sërë aktesh normative të ndërmarra pëgjatë pandemisë Covid-19, po vepron dyer-mbyllur dhe me askes informacioni tejet të kuafizuar ose më së shumti të vonuar.
Përgjatë mandatit të saj të dytë, 2017 e në vazhdim, Qeveria Rama ka ndërmarrë një sërë tenderimesh prapa dyerve të kycura, në shkelje të procedurave të hapura dhe publike. Tenderi i Unazës së Re, tenderi i rrugës Milot-Balldre, tenderimet në shëndetsi dhe një sërë tenderimesh gjatë kohës së pandemisë Covid-19 janë bërë jashtë cdo procedure të rregullt dhe transparence publike. Veprime të tilla tashmë po shndërrohen në norma të sjelljes së Qeverisë Rama.
Raporti i fundit i Kontrollit të Lartë të Shtetit, institucion kushtetues për auditimin e financave publike në Shqipëri, konstaton shkelje që i kalojnë mbi 2 Miliard Euro dëme financave publike. Në opinionin publik, në media si dhe në shumë organizatat të specializara ndërkombëtare, Qeveria Rama po përceptohet gjithnjë e më e korruptuar, shkelëse e parimit të transparenës në mënyrën e saj të qeverisjes, injoruese e shtetit ligjor dhe të drejtave të njeriut.
Transparenca është parim i rëndësishëm i qeverijes së mirë përsa kohë shkalla e lartë e qartësisë dhe hapjes lidhur me mënyrën sesi merren vendimet mund të ndihmojë për të ndërtuar aftësinë e njerëzve të thjeshtë dhe të margjinalizuarve për të luajtur rolin e tyre në formulimin dhe implementimin e politikave; për të ndikuar mbi këto vendime që ndikojnë në jetën e tyre; dhe për të inkurajuar pjesëmarrjen më aktive të të gjithë aktorëve dhe faktorëve të shoqërisë në politikë-bërje, vendimmarrje dhe në implementim.
Mungesa e transparencës së Qeverisë Rama është zëvëndësuar me mosinformim, keqinformim dhe propogandë. Reagimet e aktorëve dhe faktorëve të tjerë shoqërorë janë në rritje. Institucionet kushtetuese si Presidenti i Republikës Meta, Avokati i Popullit, Kontrolli i Lartë i Shtetit, aksioni politik opozitarë dhe në mënyrë të vecantë shoqëria civile dhe media po reagojnë gjithnjë e më shumë kundër arbitraritetit, autoritarizmit dhe plutokracisë së Qeverisë Rama.
Së fundi, mungesa e transparencës së Qeverisë Rama po shfaqet edhe në disa projekte, të cilat po lancohen publikisht në mënyrë tinzare si maja ajzbergu, por me rrezikshmëri të lartë për interesin publik. Kështu, Qeveria Rama kohët e fundit është deklaruar se ‘ka afro një vit që po punon për legalizimin e kanabisit medikal’, se ‘po drafton një ligj për aministinë fiskale’ dhe se po ‘projekton një sërë veprash të mëdha publike’, të gjitha pa kurrëfarë konsultimi të hapur, pa gjithëpërfshirje dhe pa akses të plotë informativ mbi dokumentat e qeverisë.
Rënia e transparencës dhe llogaridhënies e Qeverisë Shqiptare nën drejtimin e Kryeministrit Rama ka ardhur edhe si pasojë e ngadalësimit të reformës më drejtësi, të ndërmarrë me ndryshimet kushtetuese qysh në korrik 2016. Mungesa e Gjykatës Kushtetuese dhe e disa organeve të reja të drejtësisë në Shqipëri, kanë krijuar një vakuum në sistemin e drejtësisë, të cilin Qeveria Rama po e shfrytëzon për vendime e veprime abuzive, pa tranparencë dhe pa kurrëfarë llogaridhënie lidhur me politikat publike. Në këtë mënyrë qeverisja e Shqipërisë po ulë përformancën e saj demokratike, duke injoruar gjithnjë e më shumë parimin e transparencës të qeverisjes Evropiane dhe duke iu larguar kështu rrugës së integrimit në Bashkimin Evropian.