Është e vërtetë që tashmë nuk ka kohë për përzgjedhjen e një sistemi tjetër zgjedhor.

Përzgjedhja e një sistemi tjetër kërkon kohë, maturi, qetësi e konsensus politik, diskutime e analiza të gjata e mbi të gjitha parlament pluralist.

Ky argument qëndron.
Por nuk mjafton për të mbuluar çdo mundësi ndërhyrje në sistem.

PA NDRYSHIME NË KUSHTETUTË, sistemi aktual mund të zbutet ndjeshëm. Mjafton të miratohet një ligj për një numër më të vogël qarqesh.

Ligji ka 5 vite që është gati. Nëse Shqipëria organizohet në 4-6 qarqe siç sugjerojnë studimet e analizat, edhe sistemi zgjedhor bëhet më proporcional. PS, fjala vjen kështu e ka organizimin e saj politik. Dhe nuk e ka keq.

E përsëris kjo nuk kërkon ndryshime në Kushtetutë. As ndryshime në Kodin Zgjedhor, nëse nuk duan të hyjnë më thellë.

Mjaftom ulja e numrit të qarqeve dhe do kishim një terren shumë më konkurrues elektoral, shumë më proporcional në përfaqësim, edhe pa lista të hapura.
Mandatet përfaqësiese do ishin me vlerë elektorale shumë më të barabartë.

Është kaq e thjeshtë!

Kjo zgjidhje nuk prish, por veç ndreq punë për çdo grupim politik. Nuk ka asnjë sforco, as kohë nuk kërkon. I jep mundësinë të gjithëve të garojnë pa stresin e copëtimit të votës përshkak të ndarjes administrative. Partitë aktuale mund ti shpëtonte nga makthi i aleancave parazgjedhore… Ndoshta…

Nëse duan kjo është e mundshme dhe e thjeshtë. Sepse nuk ndryshon sistemi, thjesht efekti i tij në një territor të riorganizuar.

Për kaq ndryshim ka kohë plot.