Nga prof. dr. Abdulla MEHMETI – Maqedoni e Veriut

Ideja për bashkimin e Kosovës me Shqipërinë, para marrëveshjes finale mes Kosovës dhe Serbisë, për njohje të ndërsjellë mes dy shteteve të pavarura dhe sovrane dhe hapjen e rrugës për njohjen e Kosovës në OKB dhe strukturat ndërkombëtare, është më e rrezikshme se ideja e shkëmbimit të territoreve mes Kosovës dhe Serbisë, sepse e hap çështjen e ndarjes së Kosovës, jo vetëm ndryshimin e kufijve ekzistues.

Nëse Kosova dhe Serbia mund të bisedojnë për çështje të ndryshimit (korrigjimit) të kufijve të tyre, të trashëguar nga e kaluara e tyre e përbashkët nën ish-Jugosllavi, si dy njësi të të njëjtës federatë, implikimi i Shqipërisë në marrëveshjen mes Kosovës dhe Serbisë i rrënon të gjitha të arriturat e derisotme të luftës për liri dhe shtet të pavarur të Kosovës dhe krijon preteks për ndarjen e Kosovës, jo më si shtet, por si territor kontestues mes palëve, Shqipërisë dhe Serbisë.

Marrëveshja mes Kosovës dhe Serbisë, si dy shtete sovrane fqinje, duhet të mbyllet si çështje mes dy shteteve të dala nga rrënojat e ish-Jugosllavisë, me ndërmjetësim ndërkombëtar, jo duke e inplikuar edhe Shqipërinë.

Marrëveshje mes Shqipërisë dhe Serbisë mund të ketë vetëm përmes ndonjë konference ndërkombëtare, ku do të bisedohej për të gjitha trojet etnike shqiptare të okupuara nga Serbia dhe ish-Jugosllavia, nga viti 1878, 1913, 1943-45.

Asnjë forcë politike, apo qeveri shqiptare (Shqipëri, Kosovë, apo të dyja së bashku), nuk kanë të drejtë ta pranojnë si fakt të kryer dhe akt të përfunduar okupimin e trojeve etnike shqiptare nga shtetet fqinje, nga e kaluara deri më sot.

(25.V.2020)