Sava Janjiq vazhdon me avazin e tij prej një politikani i fshehur nën petkun e klerikut. Ai, edhe mëtej vazhdon me gjuhën e tij urrejtëse ndaj qytetarëve të Deçanit, por edhe të liderëve politik. Janjiq, edhe pse është i vetëdijshëm për pengesat që ia bën komunës për të pasur një zhvillim të hovshëm, nuk ndalon së ankuari, që sipas tij, institucionet komunale dhe ato qendrore, nuk po zbatojnë vendimet e institucioneve të drejtësisë. Kjo ka ardhur pas kërkesës politike të bërë nga Ambasadorët e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Britanisë së madhe, si dhe të përfaqësues së BE-së, që kanë kërkuar të zbatohet Vendimi i Gjykatës Kushtetuese të vitit 2016, duke i njohur manastirin pronësinë mbi 23 hektarë prona publike. Këtë rast, igumeni Sava Janjiq, nuk e ka lënë anash as Kryetarin e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj. Sipas Janjiqit, për mos zbatim të vendimeve të Gjykatave të Kosovës nga ana e institucionit komunal, po qëndron “klani i fortë i Ramush Haradinaj”. Pos kësaj, Sava Janjiq për mediat serbe paska thënë se manastirit të Deçanit po i konfiskohet prona, për ta ndërtuar autostradën që kalon nëpër zonën e mbrojtur e përskaj manastirit. “Qëllimi nuk është vetëm konfiskimi i pasurisë së manastirit, por edhe ndërtimi i një autostrade ngjitur me manastirin“, paska thënë Janjiq.
Por, Sava Janjiq duhet ta thotë të vërtetën si “njëri i Zotit”, e që më së paku e ka këtë rol. Sava e di mirë se vendimet që janë marrë me rastin e pronave të dy ndërmarrjeve publike APIKO dhe ILIRIA, janë vendime të ardhura nga presionet politike, e aspak nuk kanë të bëjnë me procese të mirëfillta gjyqësore. Këto vendime janë kundërshtuar vazhdimisht nga institucionet komunale dhe qytetarët e Deçanit. Mos zbatimi i këtyre vendimeve po bëhet nga institucioni komunal, nga kryetari i Komunës së Deçanit, e jo nga kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj. Edhe kësaj radhe, zbatimin e këtij vendimi e refuzon kryetari i Deçanit, Bashkim Ramosaj, e jo Haradinaj. Këto vendime, edhe më parë, i kanë kundërshtuar kryetarët e Deçanit, e jo Haradinaj. Sava Janjiq, më mirë të thotë se kryetari Bashkim Ramosaj, nuk është duke përfill Vendimin e Gjykatës për bartje të pronave në emër të manastirit. Mirëpo, Janjiq po tregon se ka sens prej një politikani, duke e futur në këtë lojë, edhe Ramush Haradinaj. Janjiq duhet të kupton se kryetar i Komunës është Ramosaj, e mos të bën lojëra politike duke përmend edhe Ramush Haradinaj, si person që po pengon zbatimin e Kushtetueses.
Ne, prapë i bëjmë thirrje klerikut Janjiq, që mos të pengon zhvillimin e Deçanit, ngase deçanasit e kanë ruajtur dhe do ta ruajnë monumentin kulturor-fetar, që është një nga resursit kryesor turistik i ynë. Manastiri i Deçanit është ruajtur dhe po ruhet nga banorët e këtushëm, e assesi nga forcat paqeruajtëse ndërkombëtare.
Zotëri Janjiq! Hiq dorë nga veprimet e dëmshme për qytetarët e Deçanit, dhe bëhu pjesë e zhvillimit ekonomik dhe të krijimit të raportve të ndërsjella njerëzore!