Paska ikë në botën e amshueshme Sylë Zhitia, miku im i shtrenjtë dhe shumë i dashur. Ende nuk po besoj se ai nuk do të jetë më në mesin tonë dhe nuk po mund të pajtohem se fryma dhe drita e tij nuk do të përshkojë më rrugëtimin tonë të mëtutjeshëm.
Derisa po i shkruaj këto fjalë, sytë po më tradhtojnë dhe kisha bërë një pakt me vetveten që pas vdekjes së babës, dhembjen e brendshme ta mundi me forcën e durimit. Por, ti vëlla Sylë më detyrove ta thyej këtë pakt dhe hallall të qofsh çdo kokërr e imja loti.
Sepse çka që të them për ty është pak. Çka do që të mundohem të shprehi me shpirt e zemër, sërish do të jetë pak, sepse ti ishe dhe mbetesh një gurë i çmueshëm në bashkëndërtimin e përpjekjeve tona për një atdhe me më shumë bardhësi.
Ende e kam në sy e mendje fytyrën tënde gjithmonë të buzëqeshur, sepse vetëm njerëzi si ti edhe buzëqeshjet i kanë fuqi dhe motivim për të tjerët. Tash e tutje do të më mungojë shumë ky motivim i yti, sepse tash e njëzetë vite ti ishte një ndër bashkudhëtarët më të çmuar në rrugëtim e bashkëpunim, duke filluar nga viti 2007, kur ti vëllai im i shtrenjtë, Sylë Zhitia ishe nxitësi dhe ideatori  kryesor për botimin e librit Hasan Prishtina-truri i lëvizjes kombëtare shqiptare, me autor prof.dr. Bedri Tahiri.
Nuk do ta harroj asnjëherë edhe idenë tënde për dhënien e çmimit Hasan Prishtina, i cili nga viti 2009 filloi t’u jepet individëve e institucioneve tona për merita të posaçme në fushën e afirmimit të vlerave kombëtare. Jam shumë i lumtur që më 8 tetor 2009 Komuna e Vushtrrisë pat nderuar gjigantin tonë të  rezistencës kombëtare, Adem Demaçin me Çmimin “Hasan Prishtina”, i cili me atë rast pat thënë fjalinë lapidare që gjithmonë kumbon aktuale:“Vetëm atëherë kur të krijohet shtresa e Hasanistëve te vertetë do të fitojmë Shqiperinë”.
Syla ishte edhe në karvanin tonë të përbashkët edhe me rastin e 100 e shënimit të vjetorit të çlirimit të Shkupit nga forcat kryengritëse shqiptare.
I dashur Sylë, ti po na lë neve fizikisht, por ikja jote do të na bëjë të jemi edhe më të përkushtuar në frymën atdhetare që ti dhe familja jote mbolle.  Sepse ne nuk guxojmë të mbetemi në gjysmë të rrugës, sepse ti asnjëherë nuk i deshte punët që s’përfundojnë. Ti ishe besnik dhe ndekës i përkushtuar i kauzë sonë kombëtare dhe një prej ithtarëve më të denjë të doktrinës kombëtare e politike të kolosit tonë Hasan Prishtina.
Në këto momente që më tepër të lëndojnë zemrën dhe shpirtin, do të vazhdoj jetoj me dhembjen për humbjen e një vigani të kohës sonë, emri i të cilit do të mbetet i pa shlyer në memorien e çdo atdhetari që ka njohur nga afër familjen  patriotike Zhitia, pinjoll i së cilës ishte Syla ynë i shtrenjtë.
Të qoftë dheu i lehtë, vëlla i dashur Sylë, dhe po betohem se asnjë milimetër nga përcaktimi që ti kishe për çështjen ton të shtrenjtë kombëtare, nuk do të largohemi. Madje do të punojmë më me përkushtim që ky përcaktim të jetë më dinamik dhe më gjithëpërfshirës.
Lamtumirë i shtrenjti dhe i paharruari Sylë Zhitia!
Mehmet Prishtina
Prishtinë , 17 maj 2020
(Në të dyja fotot autori i shkrimit, Mehmet Prishtina)