Në vendet e vogla lindin histori të mëdha.
Kurbanë për lirinë e Atdheut edhe fëmijët.
Oda e Junikut institucion i pleqërisë dhe drejtësisë.
Në Kullat e Junikut u njoh ndërkombtarisht UÇK-ja nga Buldazeri i Ballkanit Riçard Hollbruk.
Askush më bukur se populli ynë nuk ka përshkrur trimërinë e bijëve të vet:
“Mua po më thon’ Brahim Sadiki,
I kam kullat midis Juniki.
Ku t’qëlloj pushkën e nisi.
Vet po jes, pashën koriti”
E fillova kështu këtë opinioni timin, sepse në historinë e tij mijëravjeçare populli shqiptar është përballur me hordhi pushtuesish të shumtë, me perandori barbare, mbretëri mizore, sundimtarë gjakatarë.
Shqiptarët kanë qëndruar fort për ekzistencë, në këto përballje, por me sakrifica sublime.
Për të mbrojtur trojet e veta kanë luftuar heroikisht, por gjithmonë kanë menduar edhe fundin e vet, vdekjen, në mejdanet për liri e çlirim kombëtar, por që ajo të jetë me nder.
Ata kanë çmuar më shumë vdekjen me nder se sa vetë jetën.
Më shumë lirinë e Atdheut se familjen e vet.
Në historinë tonë të dhimbshme, por të lavdishme nuk ka pellëmbë toke shqiptare që të mos jetë larë me gjak për mbrojtjen e saj.
Nuk ka vit që të mos jetë i shënuar në enciklopedinë shqiptare për betejat homerike për liri.
Nuk ka trevë shqiptare që të mos jetë e shquar për kuvende, besëlidhje, kryengritje për çlirim kombëtar.
Që në krye të herës theksova se objek i këtij shkrimi do të jetë Juniku, aty ku 108-të vite më parë u mblodh Kuvendi i Junikut, i cili mori vendime shumë të rendësishme, përcaktuese për fatet e Kombit Shqiptar.
Motoja e të cilit ishte “Liria ose vdekja”.
Ai hartoj platformën për kryengritjen e përgjithshme kombëtare dhe shpalljen e pavarësisë nga Turqia Otomane.
Por para se të flas për këtë kuvend historik, i cili është djepi i pavarësisë së Shqipërisë do të përshkruaj shkurtimisht historinë e Junikut.
Ai shtrihet mes lumit Erenik dhe përroit Trava.
Rreth tij shtrihen Vokshi dhe Reka e Keqe, dy vatra tě shquara në histori, e para është adn- ja e Sylejman Vokshit, ndërsa të dytën e pagëzon si vatër kushtrimi Homeri i ndjesive shqiptare Gjergj Fishta kur i fton të bahen bashkë në betejat kundër pushtuesve.
Citoj:
“L’sho kushtrimin grishe Rekën
Del e piqu n’Haxhi Zekën
L’sho kushtrimin n’toskë e n’gegë
Mblidhnu tok si kokrrat n’shegë”.
Si kurorë lavdie mbi të ngrihen madhështore bjeshkët e Koshares e Gjeravicës.
Të gjitha burimet historike deshmojnë se aty kanë banuar dardanët, të cilët ishin fisi më i madh ilir, që themeloj Mbretërinë Dardane.
Tokat e saj u pushtuan prej perandorive romake, bizantine, serbe, otomane e lloj -lloj pushtuesish kalimtarë.
Popullsia e Junikut përbehet nga fiset Thaç, Gash, Berishë, Krasniqe, Morinë, Hot, Kelmend.
Sipas Ptolemeut Junik do të thotë bashkim, lidhje, gjaku i veçantë, unik.
Emri i tij përmendet edhe nga perandorët serbë Stefan Deçani dhe Stefan Dushani në krisovulat e tyre.
Sipas teftereve të pushtuesve osmanë është vendbanim i madh me emrin Alltën “Vend i artë”.
Oda e Junikut është e njohur në trevat shqiptare si institucion i pleqërisë dhe drejtësisë.
Juniku ra nën pushtimin otoman në shekullin XVI-të.
Gjatë sundimit të gjatë otoman shqiptarët organizuan kryengritje të mëdha e kuvende të shumta por edhe pse derdhën lumej gjaku, edhe pse humbën mijëra jetë njerëzore në keto beteja për çlirim kombëtar nuk arritën ti këputin vargonjtë e robërisë.
Lidhja Shqiptare e Prizrenit ishte kuvendi ku prijësit shqiptarë, rilindasit e mëdhenj ripërtërinë Epokën e ndritshme të Gjergj Kastriotit,(Skenderbeut).
Ata për herë të parë, pas katër shekujsh robëri, startuan me platformë të qartë politike, ku sanksionohej çlirimi kombëtar dhe bashkimi i katër vilajeteve në një vilajet të vetëm.
Megjithë kontributin e madh të patriotëve shqiptarë, entiziazmin popullor, sakrficën sublime, luftën heroike të Ushtrisë së Lidhjes por dhe gjithë shqiptarëve, gjakun e derdhur, mijëra jetëve njerëzore të dhëna në fushë betejë ëndrra nacionale nuk u realizua.
Edhe Lidhja e Pejës vazhduese e programit të Lidhjes së Prizrenit u shtyp.
Shqiptarët shpresuan tek Revolucioni Xhonturk por triumfi i tij pati kosto të madhe për ta.
Xhonturqit ushtruan masa të egra ndaj tyre, çka i detyroj të ngriheshin në dy kryengritje brenda një harku kohor shumë të shurtër, në kryengritjen e vitit 1910-të dhe atë të Malësisë Madhe në vitin 1911-të.
Por edhe këto përpjekje deshtuan për shkak se nuk u shndërruan në lëvizje kombëtare.
Në këto kushte ishte imperative një levizje panshqiptare.
Më dt. 21-25 maj të vitit 1912-të u mblodh Kuvendi i Junikut me pjesëmarrjen e 250-të delegatëve nga Vilajeti i Kosovës, sanxhakët e Shkodrës, Dibrës, Elbasanit dhe të përfaqësuesëve të jugut.
Ketij kuvendi kombëtar i paraprinë disa kuvende lokale ku kryengritësit u besëlidhën me betimin solemn:
“Bajmë be dhe e japim besën e burrave se kemi me ba çdo gja fli.
N’koftë nevoja me duart tona kemi me i ba kurban edhe fëmijët tanë”.
Pas Besëlidhjes së Lezhës, Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, Beslidhja e Junikut është besëlidhja më e madhe e shqiptarëve në historinë e tyre.
Porta e Lartë u mundua me çdo çmim për ta penguar organizimin e këtij kuvendi panshqiptar.
Trinomi i drejtimit të tij Prishtina, Boletini, Curri ia doli të neutralizojë elementët turkomanë dhe të ndërgjegjësojë të lëkundurit.
Njëzeri Kuvendi vendosi vazhdimin e kryengritjes së përgjithshme kombëtare me armë, pasi nuk u kishin lënë rrugë tjetër.
Truri i Levizjes Kombëtare, Hasan Prishtina, lëshoi Proklamatën: “Shpëtim a Vdekje”.
Ky Kuvend hartoi Platformën për Kryengritjen e Përgjithshme dhe Shpalljen e Pavarësisë si dhe programin politik të tij.
Ai përmbante këto pika themelore.
Njohjen e autonomisë së Shqipërisë.
Vendosjen e administratës shqiptare.
Caktimin e Gjuhës Shqipe si gjuhë zyrtare me Alfabetin Kombëtar të Manastirit.
Ngritja e Flamurin Kuqezi në të gjithë vendin.
Caktimin e një Guvernatori të Përgjithshëm të një stërnipi të familjeve princërore shqiptare.
Caktimin e kufijëve të Shqipërisë.
Garancia për zbatimin e këtij programi u kërkoj fuqive të mëdha.
Për këto vendime u njoftua edhe Porta e Lartë.
Ky program ishte Libri i Kuq i hartuar në Memorandumin e Greçes, me pak ndryshime.
Kuvendi u bëri thirrje të gjithë atdhetarëve kudo që ndodheshin për të jetësuar këto vendime me çdo çmim .
Kuvendi i Junikut vendosi Liri a vdekje.
Menjëherë filluan pregatitjet në terren.
Mijëra kryengritës, të udhëhequr nga korifeu Hasan Prishtina, “Robinhudi Shqiptar” Isa Boletini, tribuni popullor Bajram Curri, në gusht të vitit 1912-të çliruan Shkupin dhe në tetor thirrën Kuvendin e Shkupit.
Hasan Prishtina kërkoj bashkimin e katër vilajeteve në një vilajet të vetëm, me kryeqytet Shkupin.
Kjo Kryengritje finalizoj “Nëntorin e Dytë”.
Plaku i Vlorës Ismail Qemali shpalli pavarësinë, pikërisht me dt. 28 Nëntor, ditën kur Gjergj Kastrioti – Skenderbeu kishte ngritur krenarë Flamurin tonë në Kalanë e Krujës në vitin 1443.
Kuvendi i Junikut është prologu i pavarësisë.
Zëri brilant i Shkurte Fejzës na përcjell mrekullisht madhështinë e këtij Kuvendi, në vargjet e poetit Hamit Aliaj, “Mjeshtër i Madh” me rastin e 100- vjetorit të tij:
“O Junik me kulla guri.
Prej tek ti u nis Flamuri.
Prej n’Koshare n’Kaçanik
Thërret Kosova: – o Junik”.
Vitet kalojnë e Juniku kthehet përsëri në qendër të historisë.
Konferenca e Paqes së Parisit një shekull më parë krijoj Mbretërinë serbo-kroato-sllovene.
Kosova mbeti nën thundrën e saj.
Nga dhjetori i vitit 1921 deri në shkurt të vitit 1923 Juniku shpallet zonë neutrale.
Livizja kaçake e Azem Bejtës dhe neutraliteti i Junikut ishin ende shpresë për shqiptarët, por u shua shpejt, sepse forcat çetnike malazeze u futën në Junik vranë 60-të burra, dogjën 12-të shtëpi dhe plaçkitën gjithë zonën neutrale të Junikut duke shkaktuar panik të madh tek populli.
Një vit më vonë u vra Azem Bejta, u shua levizja e tij kaçake e shterroj edhe ëndrra e shqiptarëve që besonin ende bashkimin e tyre.
Krejt Kosova mbeti nën Mbretërinë sllave, gjithashtu edhe pas Luftës Dytë Botërore nën Jugosllavinë Titiste për më shumë se pesë dekada gjersa doli në skenë UÇK-ja e lavdishme.
Shqiptarët pritën me gezim të jashtëzakonshëm njohjen ndërkombëtare të saj nga Buldazeri i Ballkanit Riçard Hollbrik në Oden e Met Shalës, në Kullat e Junikut.
Tre luftra të fuqishme u zhvilluan në Junik mes UÇK-së dhe ushtrisë sllave, ajo e Zharreve, Kallavajit, Rogopeqit, sepse ai ishte nyjë nevralgjike, fotosinteza e UÇK-së.
Mbi 20- mijë luftëtarë të saj kaluan nëpër të duke u furrnizuar me armatim në vitet 1988-të-1999-të.
Për mbrojtjen e tij ranë në fushën e nderit për t’u përjetësuar në pavdekësi dragojtë e lirisë Bedri Shala, Bekim Berisha, Permet, Vula Elton Zherka.
Aktin e tyre heroik e ka skalitur zeri brilant i kollosit Ilir Shaqiri.
“Kullat e Junikut nga një gjamë e lshojnë
Bedriu dhe Bekimi thon’ k’tu do t’luftojmë”
Në vitin 1997-të me dt 31 janar ranë në Vushtri, në altarin e lirisë Edmond Hoxha nga Juniku, Zahir Pajaziti dhe Hakif Zejnullahun të cilët janë pagëzuar si pushkët e para të lirisë.
Juniku ishte mbështetje e fuqishme e betejave të UÇK-së në Koshare ku u thye kufiri Shqipëri-Shqipěri dhe u nënshkrua në rrasat e saj ngadhënjimi lirisë.
Në vendet e vogla lindin histori të mëdha.