(Vlerësime e qëndrime karshi bukës, tradita, doke, zakone, besime, besëtytni e idealizimi i motivuar i saj)

—Kjo temë për bukën se gojës si mit e ushqim, por edhe shenjtërinë e saj do jetë përndryshe temave të tjera të cilat lidhen me bukën sikurse janë:

—Trajtimi i teknologjisë agroteknike të prodhimit të drithërave të bukës, trajtimi i teknologjisë së prodhimit të bukës e llojeve të tij, të shijuarit organoleptike e ndikimit gastrologjik të bukës.

—Mbase është hera e parë që kjo temë trajtohet kaq gjerësisht e thelbësisht, parë nga një këndvështrim i caktuar që kërkon shterimin e kësaj lloj trajtese sikurse është “Shenjtëria” e bukës së gojës.

—Kurse trajtesë letrare i ka bërë bukës shkrimtari ynë, Migjeni me temën “Legjenda e misrit”.

—Për bukën e gojës ka pasur e ka vlerësime e mbivlerësime sipas kushteve e situatave të ndryshme, por asnjëherë nënvlerësim.

—Buka historikisht ndër shqiptarë në përgjithësi e malësorët në veçanti është vlerësuar jo vetëm si bazë jetese, por si një kult, si diçka e shenjtë dhe është arritur deri aty saqë asaj t`i jepet edhe natyrë mistike e besëtytnie.

—Si gjëja më me vlerë për ekzistencën e njeriut që është produkt i punës, në bukën është bërë beja, (përbetimi) nga ato be` që janë quajtur më të rëndësishmet, lidhur me bukën janë dhënë urimet, etj.

—Kur dy veta takoheshin në rrugë me njëri-tjetrin e s`ishin parë prej kohe, dvetja (pyetja) e parë ishte: “ a i kie robtë e shpisë” (njerëzit e shpisë), “ a mun ke ba hall për bukë”, “a ke mujtë me sigurue bukën e robve”. (A.M.)

—Po të ndodhte që malësori të ishe në udhëtim e sipër hypur në kali (kaluar) e rrugës gjeje se kishin rënë kokrra misri, zbriste nga kali e i mblidhte ato kokrra misri që gjendeshin aty duke i futur në xhepin e tij. (A.M)

—Po ashtu në raste të caktuara janë dhënë edhe mallkimet (nemtë) që peshojnë në bukën e dhënë. Pra parë në kompleks buka ishte e është kult, me të lidhen besëtytni, me të lidhen tradita, me të lidhen herezi e mëkate, me të lidhet besa, përmes bukës lindin detyrime të pa marrveshura më parë, buka është e shenjtë, ajo nuk shkelet.

—Ka qenë një traditë e lashtë beja në bukë edhe pse pagane si ndër gjërat më të shenjta në të cilën bëhej beja.

—Pra beja në bukë ishte be e madhe e me rëndësi e cila nuk bahej kollaj si e tillë e po të bëhej rrejshëm ishte mëkat: Ishin si be më te përdorura : “pasha bukën e krypën”, beja tjetër : “m’i qerroftë buka sytë”, e paça qesatë bukën e gojës” në qoftë se jam duke rre (mashtruar), etj.

—Respekti për bukën ka qenë e duhet të mbetet deri në adhurim: “Buka nuk shkelet edhe kur është në tokë”, ajo largohet nga vendi ku mund të shkelet dhe vendoset, kush e vlerëson tamam bukën e gojës edhe e puthë para se sa ta lënë në një vend të përshtatshëm që të mos ketë mundësi për t`u shkelur.

—Sipas rastit kjo bëhet në respekt të bukës, me qëllim që ta përdorin nevojtari, por me të të ushqehen ose buburrecat ose shpendët e malit.

—Edhe mbledhja e trohave të bukës në sofër, tepsi ose në tavolinë, pavarësisht ku serviret ajo është një vlerësim për bukën dhe mundimin që është harxhuar e sakrificat që janë dashur për sigurimin e saj.

Buka nuk shahet: edhe po të jetë me cilësi të dobët, buka nuk shahet, aq më pak po të hash bukën e tjetrit, pavarësisht nga cilësia e saj apo mundësia e njomjes me harxh, (gjellë, bylmet, etj) “nuk i shahet buka tjetrit”.

Është ofendim i madh kur tjetri ta shanë bukën: Kur tjetri thotë se “ma shau bukën” do thotë se ai ndjen një ofeze të rëndë nga ai qëndrim. Pavarësisht nga mundësia dhe cilësia e bukës që ta jep tjetri, për atë është gjëja më e vlefshme për të cilën ka derdhur mund e ka bërë sakrifica për ta siguruar, ua ndan robëve të shpisë nga goja për ta dhënë atë kur je mysafir.

— Buka e pastër – Kur thuhet se te filani (X) “E han bukën e pastër”, do thotë se po hëngre bukën te ai person “nuk ta zënë në fyt”, nuk të kërkon favore, nder apo kundër-shpërblim. —Por bukdhënësi edhe pse e ka dhënë bukën pa asnjë interes ka ndodhur që ajo bukëdhënie e ka nxjerrë nga ndonjë situatë e vështirë kur ka rastis me ndodhë sepse ka ndodhur shpesh që tjetri që kishte diçka në dorë të thotë: “ja kam hangër bukën”.

—Pra po e bën xhymerin ajo të del dikund. Thuhet se: “xhymerin edhe po e hodhe në det, ajo të kthehet me kripën e detit”. Në situata të ndryshme të pa parashikuara e të rrezikshme për dikënd ka ndodhur shpesh “E shpëtoi buka që ka dhanë”.

—Buka nuk i është ndaluar tjetrit edhe atëherë kur është quajtur si herësi nga regjimi komunist se nuk duhej me dhanë bukën kundërshtarëve te regjimit. Janë me qindra raste që kanë vuajtur dënime të konsiderueshme e internime sepse u kanë dhënë bukën kundërshtarëve të regjimit. E megjithë këtë edhe pse e dinin se do penalizoheshin nuk kanë hezituar për t`ia dhënë bukën atij që ia ka kërkuar për të shpëtuar shpirtin.

Krahasimet: Njëri nga krahasimet më të rëndësishme ka qenë dhe është akoma në një masë të gjërë ai, “Si buka e gojës”, ashtu sikurse sikurse ishte dhe është krahasimi ai “Si dritën e syve”, “Si mendjen e kresë”, gjë e cila tregon se çfarë rëndësie ka pas e ka akoma buka e gojës, rëndësia e të cilës del në plan të parë kur është e racionuar apo mungon fare ajo.

—Lidhej me besëtytni të ndryshme; që lidhen me bukën është ajo se: “po shkele trohat (therimet) shkele meleqt” prandaj pasi mbarohet ngrënja e bukës, asnjëri që ishte në një sofër buke së bashku me të tjerët, nuk duhej lëvizur nga vendet ku ishin ulur edhe pasi ngrihet ajo deri në momentin që të fshihet vendi, pastaj lahen edhe duart e secili zë vendin e vet të ndenjes në odën e burrave apo gjetkë.

—Buka nuk përbuzet. Po e përbuze bukën e nuk e “respekton” atë por e keqtrajton atë kur nuk e ke nevojën aq të madhe për të, “të humbet bereqeti”.

— Nuk quhej shpërdorim i bukës: Kur atë ua jepje atyre bagëtive: dele, dhi, lopë kosi të cilat kishin nevojë për t’u n’kamur nga shëndeti sepse përmes tyre sigurohej kosi i fëmijëve.

Pas bukës e minimalisht kripës, komponenti më i rëndësishëm egzistencial i të ushqyerit sidomos për fëmijët ishte edhe kosi.

Kur pyesnin njëri-tjetrin njerëz që njiheshin ose jo me njëri-tjetrin, pyetjet e radhës ishin: A janë roptë (njerëzit e shpisë) a janë gjaja (bagëtija). Më pasë vijonin dvetjet (pyetjet): A ke mujt me u siguruar fëmijëve bukën e kosin?.

Pra kur buka i hiqej gojës së ropve të shtëpisë e u jepej bagëtive kur kishin nevojën, kjo ‘sakrificë” bëhej për t’ua siguruar atyre të njomtë e bukës së paku me kosin, por edhe bylmetet e tjera, qumësht, psheren, djathin, tlyenin, gjizin, kumshtin (hirr e zanme me tharmin e saj), hirrë, cik, etj.

Praktika të tilla ka gjithandej, por për të evidentuar shpërndarjen e saj ndër viset shqiptare, sjellim një shembull nga Tahir Ibishi i fshatit Deje,- Rahovec – Kosovë, shënuar nga Xhafer Bytyqi, ka thënë:

-Kur isha i ri kullosja delet, tha. Gjatë kësaj kohe kishte dele që ju dobësohej shëndeti dhe ngelnin mbrapa në kullosë. Hanin rrejshëm. – Në këto raste merrja copa buke misri në jangjik (çantë krahu barinjsh) dhe herë pas here i jepja nga një copë buke.- Pas disa dite delja forcohej dhe dilte para me shoqet në kullosë. Duhet ushqyer të dobëtat se të fortat kullosnin vetë, mjaftonte t’ i nxirrje në kullosë.

—Sot për bukën ka tjetër disponim, pasi shoqëria e polarizuar ka krijuar shtresën e pasur e cila e ka hequr fare nga menyja e ushqimit, por masivisht e shtresa e polarizuar në mënyrë ekstreme në varfëri, akoma vuan për bukën e gojës.

Ishte agjitacion e propogandë me e “sha” bukën në Monizëm: Për ironi të fatit, përndryshe tradicionales, gjatë sistemit monist po ta shaje bukën që gatuhej në furrat e sistemit komunist, kryesisht në furrat e Kooperativave Bujqësore, ishte “agjitacion e propogandë kundër sistemit komunist” dhe dënoheshe deri edhe me burg apo diskreditim para organizatave të masave, Frontit Demokratik, etj.

—Duhet kuptuar se gjatë asaj periudhe ishte arritur shoqërizimi maksimal i shoqërisë saqë as buka nuk mund të gatuhej në shtëpi pasiqë nuk kishe tokë për ta mbjellur e korrur prodhimin sepse ajo ose ishte shtetëzuar ose ishte pronë “grupi”, por jo private, personale e në pëdorim vetjak. Kështu që buka prodhohej në furrat e përbashkëta, cilësia e të cilës linte shumë për të dëshiruar, e po ta pohoje atë fakt të merrej për ters, etj.

—Ka qenë herezi, mëkatore e rreptësisht e ndaluar, për çdo lloj arsye me e vra tjerin duke ngrënë buke ose me kashore (kafshatë) në gojë edhe kur ishte rasti për të marrë gjak sipas kanunit, kur tjetri e kishte gjakun borxh.

—Biles janë të shënuara raste jo të pakta kur gjakmarrësi i cili po e gjurmonte për një kohë të gjatë hazmin, kur ka hasur në të e ka gjetur duke ngrënë bukë, nuk e ka vra e është bërë sebep ai rast që ai i ka shpëtuar për një kohë të gjatë por edhe përherë pasi që janë shtjelluar rrethanat në atë kahje.

—Rreptësisht e ndaluar: “Nuk vritet duke hangër bukë”, “e ka vra me bukë në gojë”, gjë e cila shënon kulmin e poshtërsisë në traditën tonë shekullore.

—Buka ishte edhe si një garanci për tjetrin sepse po të ishte dikush mysafir në shpi dhe ta hante bukën, njohur e pa njohur, me dhe pa dijeni se mysafiri ose udhëtari që ishte ose kanë ndonjë gjak apo hasmëri, buka e dhënë nga ajo shpi ishte si garanci e besë.

—Po të ndodhte një gjë e tillë, lindte detyrimi për të ju përgjigjur sipas Kanunit të asaj që kishte ndodhur se: “E ka vra me bukën time që ka hangër te shpija ime”, Buka ishte garanci sepse: “Sa të mbajnë buka ime ashtë në besën time”.

—Në Dibër katër vetë po gjurmonin gjaksin e në ndjekje e sipër ndodh që gjaksi shkon te shija e njërit nga ndjeksit e i kërkon bukë të zojës së shpisë pasiqë ishte i uritur. Pasi ikën ai nuk vonojnë e vinë ndjekësit njëri nga të cilët e kishte shtëpinë e tij. Pyet nëse e panë një njeri duke kaluar këndej pari. Po thonë, ishte njëri i uritur i dhamë bukë me vete dhe iku. Shoqëruesit e tij hovin për ta ndjekur me vrap, por ai që kishte shpinë e tij ku mori bukën iu thotë: Lene këtë punë se është në bukën time. (A.M)

—Gjynah; Ishte gjynah me lëshuar gazra gjatë ngrënies bukë si vetë personi apo edhe kur ishte duke ngrenë dikush tjetër, me ndodhur një gjë e tillë i thuhej tjetrit se ma pordhe bereqetin.

—Bukëdhënia; Buka e dhënë ka lidhur edhe miqësi të përhershme në mes njerëzve e si e tillë ata persona që janë njohur në kushte të tilla, ose e kanë pasë në hatër njëri-tjetrin, por edhe nëse miqësia nuk ka arrit në atë shkallë në mes tyre, buka e dhënë nuk është harruar nga tjetri asnjëherë.

—Në shumë e shumë raste ka histori nga më të ndryshmet që vetëm fakti i dhënies së bukës, apo hangjes së bukës te tjetri, e ka detyruar atë person që të mos mbaj qëndrime të papërshtatshme për atë të cilit ja ka hangër bukën edhe një herë të vetme po pati ndodhur ajo.

—Ka ndodhur që atë që i ka hëngër bukën ta shpëtoj nga një siklet i madh vetëm e vetëm duke u bazuar se: “Ja kam hangër bukën”. Janë me shumicë ndodhi të tilla të cilat kanë të bëjnë me bukëdhanien.

— Tradicionalisht njerëzit kanë lëvizur në këmbë apo kali nga një vend në tjetrin përmes rrugëve të gjata këmbësore dhe lodhja e bënte punën e vetë sidomos nga uria e për këtë ta impononte nevoja që të kërkoje bukën në ndonjë shtëpi të veçuar apo fshat të radhës.

— Nuk ka ndodhur apo rrallë ishte që ndokush të mos i përgjigjej kërkesës për dhënien e bukës në sofër apo për të mos e vonuar drumtarin i cili duhej të arrinte në destinacion të largët me vete. Kur buka i jepej tjetrit me vete, merrej buka më e freskët e sipas rastit e mundësisë e sapo nxjerrë nga çerepi duke e thyer një copë të konsiderueshme e njomur me djathë, turshi, qepë e rast pas rasti edhe me gostare të mbushur me kos i vendosej në një facoletë apo shami dhe i jepej me vete.

— Buka hahej ose në rrugë e sipër kaluar në kali apo edhe në këmbë, ose nën ndonjë hije afër ndonjë burimi ku ulej/shin për të pushuar.

— Në ato raste të rralla shtëpitë që nuk e jepnin bukën, etiketoheshin nga opinioni dhe “damkoseshin” me turp si shtëpi që nuk japin as “gurin me i ra kokës”, pa le që të japin bukën e quheshin shtëpi të shtrenjta në xhymeri ose jo bukëdhënëse.

Urimet: Urimet që lidhen me bukën janë disa sikurse është urimi: “Zoti e shtoftë”, bëhet menjëherë pas bukës kudo që të ndodhesh si dikund mysafir edhe në shpinë tate. Kurse urimet: “Për të mira e shtrofshi”, “Gjithmonë për të mira në këto troje”, “Ma shumë mote se sot”, “Zoti ta shtoftë bereqetin”, bëhen pasi përfundon ngrënia e bukës kur dikush është mysafir dikund. Kurse urimi “i voftë për shpirt”, bëhet pasi kthehet buka e përcjelljes së dikujt për në varr ose qelimja. Kurse urimi: “Për të mira e në gëzime e shtrofshi pas sotit” bëhet në ato raste përkujtimoresh, të dyzetat, vjetori i vdekjes së dikujt, etj.

—Nemtë: Nemtë që lidhen me bukën janë të rënda: sikurse janë “Të vraftë buka që ta ka dhanë”, kur dikush e din për tjetrin qëndrimin mosmirënjohës që ka mbajt karshi atij që ja ka hangër bukën të dikujt karshi tjetrit, nemja “Të vraftë buka që të kam dhanë”, kur bukëngrënsi e ka harruar bukën që i ke dhënë e ta shpërblen atë me mosmirënjohje të çfarëdo lloji karakteri qoftë ajo. Kurse nemja “s’asht gjynah me e vra me bukë në gojë” është atëherë kur bëhej fjalë për një kriminel e të paudhë i cili me bëmat e tij kishte tejkaluar çdo kufi njerëzor.

—Pra shprehja: “s`ësht gjynah me e vra me bukë në gojë”, është më shumë si masë e fajit që ka ba tjetri se sa ajo që ai duhet “me u mbytë me kashfatë në fyt”, e cila ishte si herezi për ta bërë një gjë të tillë pavarësisht rrethanave.

Kurse nemja: “Të mbet buka në fyt” bëhet atëherë kur padrejtësisht, me vjedhje, përvetësim, dhunë mashtrim dikush e ha djersën e tjetrit.

Etiketimi bukëshkelsëve (bukshkal) është si për njeriun më të ultë nga karakteri e zakoni. Etiketimi është në të gjitha ato raste kur tjetri të pret në besë në bukën tate, sikurse thuhet: “është bukshkal”, “Ja ha bukën e përmys kupën”, “E harron bukën që ka hangër” “E paska pas harruar bukën që ja ka dhënë në ditë të vështira”.

—Etiketime vlerësuese ku bën pjesën kryesore të tyre fjala bukë sikurse është: “Më ka dhanë bukë me duert e veta”, në atë rast kur flitet mirë për dikënd e për ta pohuar këtë konstatim jo direkt por përmes një fakti, përdoret ky vlerësim konkretizues.

Etiketimet e papërshtatshme e të pa justifikuara thelbësisht e kombëtarisht, lidhur me bukën: sikurse është: “E ha bukën e turkut e ban dertin e kaurrit”.

—Disiplinimi i fëmijëve në sofër: Kur vinte vakti i bukës si mjes, drek apo darkë, duhej që fëmijët të uleshin të gjithë së bashku e jo tek e tek. Me këtë rast fëmijët porositeshin që gjatë ngrënies së bukës të kishin disa gjëra parasysh e ato porosi u servireshin atyre në mënyrë të kuptueshme dhe fiksueshme përmes disa epiteteve sikurse janë:

—“Mos e le kashatën e fundit se të jesin krushqit në rrugë”,“ me i mbledhur trohat se të bahen vjam”,(njerëzit mbaheshin të dobt e vjami quhej pozitivitet për shëndetin) “hani bukën me kumsht (cikun që ndahej pas zënies së djathit) se të kuqen faqet”, (për ta justifikuar edhe atë mënyrë të ushqyeri) “mos e ndërro lugën se ndërron kunorën”, “haje  bukën por leni vendin ujtë” (mos me e tepruar e tejngopur pasi ajo bëhet e dëmshme për shëndetin).

—Janë raste të rralla zemërimi kur u thuhej fëmijëve: “Të mbetë në fyt po pse po lue me bukë. A e dini çka hjek baba juaj me e siguruar bukën tuaj”, kur teprohej me ndonjë paudhësi lidhur me bukën u thuhej “mos të mrriftë me e çue poshtë”, e kjo ndodhte kur me bukën bëheshin lojra të papranueshme, por kësi rastesh ishin vetëm tek ata persona që nuk e përmbanin zemërimin.

—Ka qenë rregulli: I zoti i shtëpisë e kërkon vegshin pa e hequr nga zjarri me një lug që ja jepte e zonja e shtëpisë me qëllim që t`i provojë për kripë e për të mestitune.

—Po ashtu i zoti i shtëpisë i lante duart i pari me pa se sa te shtrohej buka për të gjithë e aq me tepër kur kishte mysafir, me qëllim që se në qoftë se është ujtë tepër i ngrohtë ose tepër i ftohtë ta provojë ai i pari se mbase mysafiri vihet në pozitë e nuk tregon për të mos e korit zotin e shpisë.

—Ka qenë rregulli: Me i la duart me ujë para e pas buke me qëllim pastërtie por edhe që buka të mos preket me duer të pa pastra, kurse pas buke me qëllim që buka të mos mbartet me duert që sapo ke ngrënë bukën.

Buka në sofër nuk jepej me rracion por sa të donte sejcili: Në sofër vinte buka e çerepit e pa nisur ashtu sikurse kishte dal nga çerepi e ajo nuk pritej me thikë por thehet (ndahej) nga i zoti i shtëpisë, copa jo fikse, pra  jo me racion sikurse aplikohet prerja e bukës me thikë në mënyrë përpjestimore. Kjo bëhej vetëm e vetëm që ndarja e bukës të mos i ngjasojë racionimit, se përndryshe i zoti shpisë quhej bereqet humbur.

—Shkundja e duarve me njëra-tjetrën pasi të mbarosh bukën me qëllim që thërrimet të bien mbi sofër e të mos hapeshin në shtëpi për t`u shkelur, por edhe të mos bien në legen ku lahen duart. Por shkundja e duarve bahet edhe me ja lënë bereqetin të zotit të shtëpisë, si dhe me treguar se je ngi (ngopur me bukë e ushqim).

—Nuk çohesh nga sofra pa mbaruar të gjithë bukën, çohet sofra, fshihet vendi e lahen duart. Pastaj ikën sejcili në vendin e tij ku do rrijë.

—Zija e Bukës: Edhe zija e bukës është një fenomen ekonomik  i cili është shoqëruar me mungesën e theksuar të bukës që ka ardhur për pasojë të luftrave, epidemive, seneve të këqija (viteve me thatësirë), menaxhimit të keq të bujqësisë, por që kanë lanë gjurmë të rënda në jetesën e popullsisë masive të një vendi, rajoni, shteti, shtetesh, etj. Është një fenomen jo vetëm shqiptar e si i tillë i përsëritur historikisht herë pas here duke krijuar situatë me pasoja në popullsi deri në vdekje masive. Edhe sot zija e bukës pllakos herë pas here vendet e varfra, por mungesa e bukës është edhe në shoqëritë e polarizuara ekstremisht e pa programe sociale. Ato janë mbajtur e mbahen mend për pasojat që shkaktojnë.

—Demonstrata e bukës: Brenda dhe jashtë Shqipërisë janë shënuar protesta lidhur me gjendjen ekonomike e varfërinë sociale, politikat e gabuara ekonomike, por ka pas edhe demonstrata të posaçme që janë emërtuar “Demonstrata e bukës”, por edhe janë motivuar si të tilla.

—Gazepi për bukën e robve të shpisë: Ndër gazepet më të mëdhaja për burrin, është gazepi për bukën e familjes. Kur i zoti i shpisë nuk arrin që të ua sigurojnë bukën e vaktit e aq më keq kur i mbeten pa bukë pa e ditë se ku ta sigurojë atë.  Janë shumë raste të cilat mund të merren si shembuj, por njëri nga më të keqardhurit është rasti i Isuf Ozmanit (Ali-Rrustem-Ukë-Zmajl-Isuf-Ozman) të Kepenekut, vëllazria e Mulaje. Vitin e nemces (kur kishte pushtuar Austro-Hungaria Shqipërinë, kishte pllakosur zija e bukës. Isuf Ozmanit të Kepenekut i kishin mbet familja pa bukë e merr kalin thasë e del të kërkojë hua drithë por nuk gjen askurrkund e kthehet natën në shtëpi. Kur vjen te shpija, afrohet te dera e dëgjon fëmitë duke qarë për bukë. Për t`i pajtuar nana e tyre u thotë:” bani durim se vjen baba i juaj e na sjell bukë”. Atë e mlon gazepi, lëshon thasët e drithit bosh në tokë dhe merr litarin e varet në degën e mandit. Të nesërmen kur ngrihen e gjajnë të varur në degën e manit e thasët bosh në tokë. Nga ai moment kur binte kush në hall e nuk shihte rrugë për zgjidhjen e hallit, thoshte: “Për zoten nuk kam çfarë të bëj veçse në bafsha si Isuf Ozmani” – me i dhanë fund jetës.

—Koritja (turpërimi).  Koritjet në raport me bukën tradicionalisht kanë qenë: Koritje e mysafirit. Kjo quhej e tillë në qoftë se nga racioni që ja hidhnin mysafirit para nuk kthente një sasi për tërvesë (sofër) sepse mundet të epitetohej me e pa deklarim publik si i babëzitur, barkaçok, por ishte edhe si një mundësi që nëse sasia e bukës në atë familje ishte e kufizuar por që mysafirit ju kishte servirur e gjitha, ai duhej që ta kishte parasysh se fëmijët e asaj familje mbeteshin pa bukë.

—Kurse ishte koritje për të zotin e shtëpisë në qoftë se mysafiri i lanë sahanat. Pra pasi mbaronte ushqimin në sahan, fërtere, tepsi, i fshinte ato me kafshatat e fundit të bukës më parë se sa ta lente bukën së nginjuri.

—Po ashtu ishte koritje e asaj shtëpie ku ke qenë mysafir në qoftë se ai del nga aty e ha fillë (menjëherë pa u vonuar) bukë dikund tjetër në atë lagje, katund ku kishte buajtur, pavarësisht nëse kishte ngrënë ose jo bukë.

Edhe bukëbërja ka qenë një traditë e konsoliduar cila ka pasë përvojë të mirë me gatimin e kryesisht edhe pjekjen e bukës në çerep, por edhe furra tradicionale, sipas rastit pjekjen në tepsija, etj. Por ka qenë e përmendur, bukë çerepi e cila ka humbur si një traditë e tillë.

—Gatimi i bukës në çerep ka qenë tradicionalisht i aplikueshëm në krahinën e Bytyçit-Berishës, në mbarë Malësinë e  Gjakovës, sikurse janë krahina e Gashit, Krasniqes, Nikaj-Merturit, Shipshanit, por edhe në Has, Pukë, Mirditë por edhe në Kosovë në shumë zona ku kushtet ishin të përshtatshme sikurse duheshin drutë e oxhakut me bollëk.

— Sot do të ishte një formë “luksi” që dikush ta gatuajë bukën në çerep si njëra nga format më të mira e të shëndetshme tradicionale të gatimit.

— Po ashtu sot për sot është një brez i dytë dhe i tretë në moshë i cili e di mënyrën dhe rëndësinë e kësaj forme gatimi tradicionale, por kjo traditë e cila duhet nxitur dhe stimuluar është venitur dhe po harrohet.

Bukëberja është një traditë e trashegueshme: pra zeja e bukëbërjes e cila sot e kësaj dite jo vetëm që trashëgohet brenda familjes, nga brezi në brez, por ky zanat është i përvetësuar nga zona të tëra të cilat dallohen për këtë zeje, sikurse janë Hasjanët e rrafshit në Kosovë, të Hasit të Gurit në Shqipëri, por tipikisht në Zymin e Hasit – Prizren.

— Kjo lloj zeje e mundimshme por edhe jo fitimprurëse, aplikohet prej atyre që e kanë përvetësuar dhe trashëguar si të tillë, jo vetëm në vendin e tyre të lindjes, por nga ana e tyre shtrirjen e kësaj zeje e kanë bërë në Kosovë, Shqipëri, gjatë sezonit të turizmit në bregdet, por edhe vende të tjera të Gadishullit Ilirik, (përndryshe Gadishullit Ballkanik) sikurse janë vendet e ish Federatës Jugosllave, në Kroaci, Bosnje, Serbi, Vojvodinë, Maqedoni, Malin e Zi, e gjetkë.

Ornamentet e bukës realizoheshin me ndonjë pirun, menjëherë sa ajo hidhej në çerep, më parë se sa t`i vihej saça për pjekje. Ornamentet ishin në formë rombesh, si fuza, ose forma figurash të tjera gjeometrike, sipas rastit lile, etj.

—Emërtimi i pjesëve të bukës sipas madhësisë e formës janë një thehe buke, (prerje ansore e bukës së rrumbullakët), mysi i bukës, copa e bukës, kafshata e bukës, trohat e bukës, thërrimet e bukës.

—Historikisht buka ka qenë komponenti bazë i ushqimit të njeriut, tregues i gjendjes ekonomike, i bujarisë e mikpritjes, por edhe kurrnacisë e etiketimeve negative për ata që nuk kanë qenë bujarë apo e kanë shpërdoruar dhënien e bukës me interesa, që kanë shkelur bukën e tjetrit, etj.

—Pavarësisht komponentëve të tjerë të ushqimit, buka ndër shqiptarët në përgjithësi dhe malësorët në veçanti, historikisht ka qenë dhe mbetet si komponenti bazë i të ushqyerit dhe mbijetesës.

—Ndonëse në vende të ndryshme e periudha të ndryshme, në strukturën e të ushqyerit buka ka zënë përqindje të caktuar e në reduktim e sipër, por atëherë kur shoqëria njerëzore në rangun global ka qenë sa më afër nayralitetit, buka ka qenë si komponenti bazë i të ushqyerit.

—Pavarësisht sa e ngase është zëvendësuar dhe zëvendësohet menuja e tavolinës së bukës, është thënë e thuhet: “Po ulemi për të ngrënë bukë”, “u shtrue sofra ose tavolina e bukës”, “do të vish të hamë bukë”,  “u ngrit sofra ose tavolina e bukës”, etj.

—Pra çdo gjë që hahet në vaktet e ditës e shtrohet në tavolinë ose sofër për të ngrënë, janë sinonime e të ngrënit buke.

—Edhe kur e thërrisnin ndokënd për darkë pavarësisht nderimit që do t`i bënin deri aty sikurse ka qenë “me i prerë pulën, kanxhin, qingjin, edhin, dashin ose cjapin, i thuhej: “A po vjen sonte për darkë ose drekë e të hamë së bashku bukë e kripë e zemër të bardhë”.

—Pra ndër ushqimet e njeriut, buka ishte e para për nga rëndësia e ushqimit bazë të njeriut, me pas simbolikisht vinte kripa e cila ishte jo vetëm për ta përdorur në gjella, por edhe me e njom e bukën kur nuk kishte gjellë, për të mos e përcjellur thatë e kjo quhej si një sakrificë që atë që më qëllon po e ndajmë së bashku. Kurse zemra ishte mikpritja me qejf që do t`i bëhej mysafirit, shokut, mikut apo njeriut tënd të cilin e kishe thirrur.

—Çdo herë kur varfëria ka qenë dhe është prezente, ndër lutjet kryesore të njeriut ka qenë dhe akoma mbetet ajo që është thënë e thuhet: “Falna Zot bukën e gojës”.

—Po të sigurohej buka e gojës, sigurohej edhe mbijetesa e ekzistenca individuale, familjare apo edhe kolektive qoftë ajo.

—Nuk janë të pakta rastet në periudha të ndryshme historike ndër shqiptarë apo edhe popuj të tjerë kur ka pllakosur zija e bukës, si në raste luftërash, epidemish, thatësirash të tejzgjatura të cilat nuk mundësonin prodhimin e bukës, e për pasojë rrezikohej ekzistenca e njeriut, por edhe kanë vdekur masivisht për mungesë të bukës .

—Në periudhë zije buke jo vetëm se ka pasur vdekje masive, por për mbijetesë ushqimi i njerëzve është realizuar me mjete rrethanore, sikurse kanë qenë të ushqyerit me hithra, lakra bjeshke e barishte të tjera të ziera me ose pa qumësht.

—Por në periudha kur ka munguar ushqimi, janë përdor edhe lastarët e njomë apo një vjeçar të dushkut, manaferrave, barishteve të ndryshme me kërcell të trashë e të ujshëm, lëndat e lisit, deri sa edhe lëvore ahu etj.

—Shqiptari në përgjithësi e malsorët në veçanti të lidhur me vendin e tyre si traditë, për një arsye apo një tjetër, edhe atëherë kur nuk kanë arritur për ta siguruar bukën për jo vetëm më shume se sa dy muaj, janë detyruar që të shkojnë larg vendbanimit të tyre me e ble bukën e vitit, me e shkëmbyer me ndonjë prodhim tjetër, sikurse kanë qenë bagëtitë e trasha apo të imta, me e marrë hua, me e marrë borxh.

—Në traditën e hershme e të vonë, ndihej si një këmbanë alarmi koha e të vjelave të prodhimeve kur mësohej se sa prodhim ishte marrë e ai nuk ishte i mjaftueshëm e në kësi rastesh thuhej se: “Nuk e ka siguruar bukën nga ara veçse për dy muaj bukë”.

—Por nuk janë të pakta rastet që e kanë lypur bukën e fëmijëve e të familjes edhe diku tjetër, sikurse thuhej “ngjeti” për sevape me ua falur atë vetëm që të shpëtonin njerëzit nga urija apo edhe vdekja unit (urije).

—Kur të mungon buka e fëmijëve dhe e familjes, e i sheh ata “ka dergjen unit (urie)” je i detyruar e vjen në shprehje si asnjëherë tjetër ajo se: “Buka e fëmijëve të çon në derë të hazmit”.

—Po ashtu në raste krize familjare për bukë vjen për mbarë shprehja tjetër se: “Buka e fëmijëve të shtin në të keqiat”. Pra i bie se ky fakt të shtrëngon në një detyrim sublim, kur të shkelet ndonjë e drejtë që ka të bëjë me bukën e fëmijëve.

—Në këto raste ekstreme kur mungon buka e fëmijëve dhe familjes, edhe pse për krenari e forcë zakoni, tjetrin që e ke zanë hazmën për një arsye apo tjetër, nuk i nënshtrohesh e nuk i ligështohesh, por kur është në pyetje e qasje rasti që fëmitë të kenë mbetur pa bukë e nuk durojnë unit (urije), është pranuar pa kushte, për ta gjetur zgjidhjen edhe te hazmi e me ua siguruar për mbijetesë bukën e gojës fëmijëve.

—Por ka qëlluar e ka shumë raste të spikatura që edhe hazmi të mos e shfrytëzojnë ligësisht këtë lloj rasti për kundërshtarin e të mos i gjendet, e aq më pak ta kushtëzojnë për ndonjë kompromis.

—Në kushtet e zhvillimit social-ekonomik të traditës te populli ynë, ka qenë kryesorja sigurimi i kushteve ekzistenciale, pra sigurimi i bukës së gojës. E në kësi rastesh kur tjetri rropatej me shumë sakrifica për ta siguruar bukën, thuhej se: “Është ka lufton për bukën e gojës”.

— Sigurimi i bukës në shumë e shumë raste ka qenë dhe është mundësia ekzistenciale jo vetëm për individin, familjen e zonën por edhe për një shoqëri të tërë apo shtet qoftë ai.

 

Politizimet që lidhen me bukën si në Monizëm ashtu edhe në demokraci

Në kohën e Monizmit, gjatë periudhës 1945-1990:

— Edhe në Shqipëri, në kushtet e vetizolimit, thënë ndryshe të “Rrethimit imperialist-revizionist” të regjimit Komunist, është thënë se sigurimi i bukës në vende u shënua si arritja më e madhe për gjatë një gjysmë shekulli të atij regjimi e kjo arritje u trumbetua me të madhe se: “E siguruam bukën në vend”.

—Sigurimi i bukës në vend ishte motoja kryesore e ekonomisë në “Sistemin Socialist” të Shqipërisë, aq sa ky motiv ishte përcaktuar edhe në njërin nga sloganet më të njohura përgjatë asaj periudhe sikurse ishte: “Lufta për bukën është lufta për socializmin”.

E jo vetëm kaq, por përveçse u trumbetua por edhe u aplikua hapja masive por edhe pa kriter e tokave të reja nën sloganin, “T`u qepemi kodrave dhe maleve dhe t`i bëjmë pjellore ato si dhe fushat”, duke shkatërruar habitatin me pasoja të rënda ekologjike, vetëm e vetëm që të sigurohet buka në vend si asortimenti bazë i ushqimit të popullsisë.

Jo vetëm aq por në periudhën e Monizmit edhe një pjesë e pasurive të nëntokës, krahasoheshin me bukën.

Në ketë rast ndonëse nafa quhej si “ari i zi” i nëntokës, vlerësim i cili ishte i përvetësuar nga shtete të tjera pasi që nafta shkaktonte kriza në ato vende dhe si e tillë ajo ka pasur e ka përparësi e nga ajo varej zhvillimi.

Kurse mineralet e tjera së paku në vendin tonë kur nuk arrihej që të sigurohej buka për të ushqyer popullsinë e vendit përgjatë gjithë vitit, minerali i kromit për të cilin kishte kërkesë në tregjet ndërkombëtare, krahasoheshin me bukën dhe etiketoheshin si: “Kromi është buka e nëntokës”, “kromi e çan bllokadën”, pasi që me të dilej në tregjet ndërkombëtare e përveçse sigurohej valuta për arkën e shtetit, ai shkëmbehej me drithra buke, etj.

-Kurse në demokraci, pas vitit 1991: Për interesa të verbra, të ngushta korruptive, por edhe të inspiruar nga faktorë të jashtëm që donin ta kthenin dhe e kanë kthyer Shqipërinë të varur nga produktet e tyre, u luajt egërsisht me kartën e bukës.

-Duke përfituar nga fakti që populli shqiptar në Monizëm kishte vuajtur për bukën e gojës, si për nga sasia ashtu edhe për nga cilësia, në demokraci populli u josh se “do sigurohen 7 lloje bukësh”, por jo nga prodhimi vendas por nga jashtë vendit duke e abandonuar bujqësinë e prodhimin bio vendas me drithra që vinin nga pastrimi i magazinave të shteteve të tjera, kryesisht të Rusisë e Serbisë, të cilat jo vetëm kanë qenë te denatyruara, por edhe me rrezatime radioaktive, me vlera të pakta ushqyese e ndikim negativ për shëndetin.

—Me bukën si bazë e të ushqyerit lidhen shumë fenomene shoqërore, por edhe tregues vlerash e antivlerash që mbarte individi apo grupacioni i njerëzve e cila edhe u ka mbetur si një vlerësim damkë për keq apo si një vlerësim për mirë, “flamur që duket”.

—Njëri nga vlerësimet bazë për tjetrin apo shtëpinë malësore në veçanti, dhe atë shqiptare në përgjithësi,  ka qenë edhe ajo kur tjetri është cilësuar atë si shtëpi “bukëdhënës”,“shpi bujare që e jep bukën”,”shpi buke”.

—Pra me bukën lidhen një seri treguesish socialë e shoqërorë të cilat kanë luajtur një rol me rëndësi në jetën shoqërore të një krahine, regjioni e vendi.

—Tradicionalisht ka qenë në shprehje ajo se: “Sofra e xhymerit e pushka e të fortit nuk ndalen kurrë”.

— Në ato raste kur në mënyrë të përcaktuar është thënë për tjetrin se: “E ka dhanë dhe e jap gjithmonë bukën”, në këtë rast si një vlerësim nga opinioni aktiv i atij vendi tregon se kjo veti është një traditë familjare ndër breza e cila është trashëguar me përpikmëri e pa u ndalur ndonjëherë.

—Me një fjalë po qe se je xhymer buka jepet e nuk ndalet e pavarësisht nga kjo ka ndodhur gjithherë vetvetishëm pa e pritur se buka e dhënë e nxjerr veten.

—Ka ndodhur që e kanë pyetur malësorin se: “kur e ke ndjerë veten më në zor? E ai është përgjigjur: “kur më kanë ardhur mysafirët në derë e nuk kam pasë me u kthye mjesin, drekën, darkën” apo sipas rastit duke kaluar udhëtar e kanë kërkuar bukë. Pra, në këtë rast malësori nuk e ka marrë në konsideratë familjen që e ka pasë pa bukë, por mysafirin.

—Po ashtu ka ndodh kur malësorit i kanë shkuar mysafiri në derë e ai nuk e ka pas millin me gatuar bukën e rastit. Por në këtë rast ka shkuar në arat e kollomoqit (misrit) ka zgjedhur kallinjtë më të fortë që ka pasur parcela e tij, i ka marrë ata e shkokluar i ka blue në mokër dhe e ka gatuar bukën e nuk i ka lanë mysafirët pa bukë.

—Tradita: Bujaria ka qenë dhe duhet të jetë ajo kategori shoqërore tradicionale e cila mbart vlerat eprore për një familje, krahinë apo vend të caktuar e si e tillë bujaria ka qenë e duhet të jetë njëri ndër treguesit bazë të vlerësimit për njeriun.

—Në krahinën e Bytyçit, Malësinë e Gjakovës e jo vetëm janë të kodifikuara në traditë e zakon disa rregulla të shenjta përsa i përket bujarisë, dhënies së bukës, rregullit në sofër, nderimit të bukës, etj.

—Në Bytyç e jo vetëm, buka është dhënë derë për derë, por ka pasë nga ato shtëpi të cilat për një arsye ose tjetër por edhe qëndrimi i saj i konsoliduar në drejtim të bujarisë, të cilat janë njohur veç të tjerave dhe si e tillë jo vetëm mysafirët që kanë shkuar aty për të bujtur, por edhe drumtarët i kanë “mësyrë” për bukë kur kanë qenë të uritur e asnjëherë nuk kanë dalur duarthatë.

—Po ashtu ka pasë shtëpi në Bytyç e cila ishte në drumin e Gjakovës (rrugëkalim për Gjakovë) i cili nuk pushon asnjëherë nga lëvizjet e udhëtarëve e jo vetëm se ajo e jepte bukën për drumtar të uritur, por kishte nxjerr shkallët e odës së burrave direkt në drum, jashtë havklis (rrethimit) të shpisë e kush ishte i uritur futej pa thirrur në odën e burrave në të cilën gjente sofrën me bukë të shtruar e hante bukë e merrte udhën për kthim.

—Ka qenë rregulli bazë se “nuk i ndalet buka drumtarit” (udhëtarit të rastësishëm i cili ka nevojë për bukë).

—Shpijat e sojshme e me tradita të konsoliduara, nuk hanin bukë para orës 22.00 të darkës se mbase vjen dikush si mysafir, e jo vetëm kaq por vegshi (vorba) mbushej me raciona rezervë edhe për mysafir.

—Po ashtu ka qenë rregulli bazë se: “Çfarë kie për veti nuk i fshihet mysafirit”.

—Është me rëndësi për ta trajtuar edhe faktin se gatimi i bukës në përgjithësi e në çerep në veçanti ka qenë specialistët e tradita e mirë e cila mundësonte një bukë të shijshme e të shëndetshme.

—Ndonëse drithi mbahej në kosha e thahej në hije duke u ajrosur, gruni mbahej në hambar, kurse milli mbahej në magjë ku edhe gatuhej buka.

—Buka ulej e zinej në plangin e magjes ose në kusinë bukatore, shtrihej në fundin e drunit dhe me këtë e kalonin në çerep për t`i vënë saçen me qëllim pjekjen e saj.

—Pjekja e bukës në çerep në krahinën e Bytyçit në veçanti e në Malësinë e Gjakovës (Tropojë) në përgjithësi, është përmes një teknologjie tradicionale e pa zëvendësueshme deri më sot për sa i përket cilësisë së bukës pasi buka piqet gradualisht në çerep balte prej argjile të pjekur, duke ja thithur lagështinë gradualisht e duke mundësuar krijimin e një përmbajtje buke shumë të shijshme e të shëndetshme.

—Ka qenë një traditë e mirë që të bëhej edhe “Festa e bukës”, ose thënë ndryshe “Festa e lamës së drithit”, apo edhe “festa e të vjelave”.

—Kryesisht mbilleshin fara tradicionale, ose ndryshe farë vendi, si e grurit ashtu edhe ajo e misrit e quajtur farë vendi e kuqe apo marave e bardhë, nënvade apo mbivade e cila kishte qëndrushmëri ndaj thatësisë me konsistencë qelqore nga e cila dilte buka shumë e shijshme.

—Pra tradicionalisht ka qenë si eveniment vjelja e prodhimit të ri e aq më mirë kur ai ishte i begatë, kjo festohej me një darkë ku thirreshin komshinjtë, njerëz të afërm e dashamirë.

— Edhe bluarja në mulli kishte teknikën e duhur pasi që duhej bluar avash avash e jo duke e ngutur blurjen sepse mielli dilte i “djegur”, e si e tillë edhe e humbte shijen e mirë.

—Për çdonjërën pikë të kësaj trajtese ka me shumicë shembuj konkretizues të jetuar e përjetuar faktikisht nga njerëz, familje e grupacione njerëzish evidentimi i të cilave i jep një forcë konkretizuese e memorizuese këtij punimi.

Burimet:

-Agron Isa Gjedia, nga blloku i shënimeve mbajtur ndër vite.

-Tradita familjare, tradita e zonës krahina Bytyç – Berishë, ajo tek dajët e mi ne Hoxhaj të Gashit, (Elez Hysen Hoxha, Shpend Sadri Hoxha, Hajdar Hajdar Hoxha, Zojë Gurec (Gjedia) Hoxha, Gjyk Baram (Gjoça) Hoxha) të cilat janë evidentuara nder vite nga ana ime.

-Nga tradita familjare e Isa Gurec Gjedia, fshati Çorraj-Krahina Bytyç, Malësia e Gjakovës-Tropojë.

-Ajshe Hysen (Hoxha) Gjedia, amvisë në shtëpinë e Isa Gurec Gjedia – fshati Çorraj – Krahina Bytyç, Malësia e Gjakovës – Tropojë.

-Hatman Gurec (Gjedia) – Hajdarmetaj, si amvisë në shtëpinë e Zeqir Duq Hajdarmetaj, Markaj – Tropojë, por jo vetëm.

-Ajshe Hysen (Pali) Gjedia dhe Rush Hysen (Pali) Gjedia, si amvisë në shtëpinë e Lah Zeq Gjedia dhe Zenun Dakë Gjedia, fshati Çorraj – Krahina Bytyç, Malësia e Gjakovës – Tropojë.

-Fatime Halil Gjedia, si amvisë në shtëpinë e Zenel Din Gjedia, por edhe Selim Zenel Gjedia, si furrtar i Kooperativës Bujqësore Pac,  Bytyç Tropojë, të gjithë këta të një shtëpie nga fshati Çorraj – Krahina Bytyç, Malësia e Gjakovës – Tropojë.

-Ali Rrustem Mula, fshati Kepenek – Krahina Bytyç, Malësia e Gjakovës – Tropojë.

-Zizë (Dauti) Gjidia – Zogaj, fshati Zogaj – Krahina Bytyç, Malësia e Gjakovës – Tropojë.

-Tahir Ibishi i fshatit Deje, – Rahovec – Kosovë, shënuar nga Xhafer Bytyqi – po nga ai fshat.