Hyrje

Punimi ka për qëllim që të sjell një pasqyrë të shkurtër të indikatorëve të njohur dhe të pranuar ndërkombëtarë të cilët përdoren për të bërë matjen kualitative dhe kuantitative të veprimtarisë kërkimore – shkencore në vendet e zhvilluara dhe në zhvillim. Paraqitja e këtyre indikatorëve dhe aplikimi i tyre do të mundësojë që vendet dhe institucionet të kenë një numër instrumenteve me të cilat ato mund ta masim performancën shtetërore por edhe në nivel të institucioneve. Qëllimi i këtij punimi është ofrimi i informatave themelore lidhur me instrumentet matës të veprimtarisë kërkimore-shkencore p[r komunitetin shkencor por edhe për lexuesit e thjeshtë.

Definicioni dhe llojet

Indikatorët paraqesin prezantim relevant kuantitativ të punës kërkimore shkencore të fokusuar në:

  • qëllimin,
  • cilësinë dhe
  • vitalitetin e shkencës dhe inxhinierisë.

Indikatorët janë të shumtë dhe të shumëllojshëm. Në përgjithësi, bazuar në dokumentet ndërkombëtare, ata përmblidhen në tri lloje kryesore që përfshijnë fushën e financimit, atë të të dhënave lidhur me veprimtarinë dhe të publikimit. Kohëve të fundit, sidomos në Evropë, përdoren edhe indikatorë të tjerë të cilët merren me matjen e impaktit (ndikimit) të veprimtarisë kërkimore – shkencore në zhvillimin ekonomik dhe social të një vendi dhe që ka të bëjë me fushën e inovacioneve. Ne në këtë punim do të flasim kryesisht lidhur me tre lloje të indikatorëve të cilët mund të klasifikohen në:

  • Indikatorët buxhetorë
  • Indikatorët statistikorë
  • Indikatorët bibliometrikë

Indikatorët Buxhetorë

Tregojnë se cili është buxheti (% e GDP) që ndan një vend apo një regjion për hulumtimin, zhvillimin apo inovacionin. Në përgjithësi dihet se vende të caktuara dhe regjione të caktuara në botë kanë hartuar strategji dhe dokumente të posaçme që e rregullojnë këtë fushë. Bashkimi Evropian, p.sh., me deklaratën e Lisbonës, kishte venë shifrën 3% të bruto prodhimit kombëtar (GDP) si një qëllim që vendet e këtij unioni duhet të arrijnë deri në vitin 2017. Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në anën tjetër, përdorin instrumente të tjera të cilat bazohen kryesisht në ruajtjen e lidershipit amerikan në ekonomi dhe zhvillim tekniko-teknologjike. Gjithashtu edhe vendet e Azisë kanë vendosur caqe dhe qëllime lidhur me këtë fushë.

Duhet të ceket se Kriza ekonomike e vitit 2008, sidomos në Evropë, ka ndikuar që 3% i GDP ende të jetë larg nga realiteti edhe pse disa vende të veçanta e kanë arritur dhe tejkaluar tashmë. Më poshtë do të paraqesim një hartë[1] të investimeve në disa nga vendet evropiane ku shihet se vetëm pak vende janë në kufijtë e paracaktuar evropian:

Por paraqitja grafike[2] është më  e qartë ku shihet konkretisht paraqitja sipas vendeve:

Nëse dëshirojmë të flasim në terma globalë atëherë mund të themi se ende SHBA-ja është vendi lider i investimeve në këtë fushë me 32.2% të investimeve botërore. Gjithsesi se, bazuar në trendet e zhvillimit ekonomik dhe përpjekjeve të vazhdueshme për konkurrencë botërore për tregje dhe mbizotërim ekonomik, SHBA përcillet në mënyrë të vazhdueshme nga Azia Jugore dhe Juglindore që investon 31.6% të investime botërore dhe Evropa që qëndron në shifrën prej 24%. Përqindjet e vendeve dhe regjioneve tjera janë jokonkurrente, nëse i krahasojmë më shifrat e përmendura më lartë.

Interesante është edhe prejardhja e investimeve që bëhen në vendet e zhvilluar në botë. Shembujt nga SHBA, Evropa dhe Azia na tregojnë se sasia më e madhe e investime  të përgjithshme të vendeve të zhvilluara, praktikisht vjen nga sektori i industrisë dhe ekonomisë, ndërsa një pjesë tepër e vogël e këtyre investimeve rrjedhin nga sektori qeveritar apo institucionet tjera akademike dhe shkencore. Shembulli i ShBA[3] është një tregues shumi qartë i këtyre trendeve. Në këtë vend rreth 70% të investimeve totale vijnë nga industria ndërsa vetëm rreth 30% të investimeve të përgjithshme  janë investime qeveritare apo nga institucionet kërkimore – shkencore, akademike apo organizatat joqeveritare. Më poshtë do të paraqesim një grafik ku paraqitet origjina e investimeve për HZhI (hulumtim, zhvillim dhe inovacion) në ShBA:

Indikatorët statistikorë

Indikatorët statistikorë janë instrumente të cilat përdorën për të paraqitur përformancën e vendeve të caktuara dhe të institucioneve. Gjithashtu indikatorët statistikorë janë instrumente matëse edhe për matjen e performancës individuale të shkencëtarëve. Bazuar në dokumentet evropiane dhe botërore ekzistojnë dy lloje kryesore të indikatorëve statistikorë të cilët përdorën për  matjen e hulumtimit shkencor dhe për inovacioneve. Në bazë të kritereve të njohura ndërkombëtare mund t’i veçojmë këta indikatorë për hulumtimin shkencor:

  • Numri i hulumtuesve të punësuar për 1000 të punësuar;
  • Përqindja e femrave në numrin e përgjithshëm të stafit akademik-shkencor;
  • Numri i të doktoruarve në njëmijë banorë të moshave 25-34;
  • Numri i publikimeve ndërkombëtare për 1 milion banorë për vit;
  • Numri i publikimeve në 10 revistat më të cituara në krahasim me numrin total të botimeve;
  • Numri i hulumtuesve të punësuar me kontratë të fiksuar kohore;
  • Numri i doktorantëve të huaj të diplomuar në vendin e caktuar;
  • Numri I hulumtuesve postdoktoralë që kanë kryer mobilitete ndërkombëtare në 10 vitet e fundit;
  • Përqindja e doktorantëve të huaj karshi numrit të përgjithshëm të doktorantëve tç doktoruar në vendin e caktuar,

Ndërsa indikatorët e inovacionit janë:

  • Përqindja e doktorantëve në shkencat inxhinierike;
  • Të diplomuarit në shkencat inxhinierike në proporcion me popullsinë;
  • Investimet publike dhe private në hulumtim dhe zhvillim (R&D)
  • Shpenzimet kombëtare për Inovacione;
  • Shpenzimet kombëtare për ICT;
  • Inovacionet e pavarura dhe me bashkëpunim të NVM;
  • Të punësuarit në sektorin e teknologjisë së lartë në proporcion me popullsinë dhe numrin e përgjithshmen të të punësuarve;
  • Shkalla e eksportit të teknologjisë së lartë;
  • Numri I prodhimeve të reja në treg brenda një viti;
  • Balanca teknologjike në mes pagesës dhe prodhimit;
  • Numri I patentave, markave tregtare dhe dizajnit sipas EPO USPTO dhe Triadike (SHBA, BE dhe Japonia).

Duke e njohur gjendjen në vendin tonë dhe në Shqipëri, mund të konstatojmë se si vende por edhe si institucione kërkimore – shkencore dhe subjekte ekonomike qëndrojmë tepër poshtë në realizimin  e mesatareve evropiane sipas këtyre njësive matëse. Për ta pasur një pasqyre të gjendjes në vendet evropiane po e sjellim rastin e Gjermanisë krahasuar me BE 27 dhe grupin e vendeve më të zhvilluara në fushën e inovacioneve:

Indikatorët bilbiometrikë

Bibliometrika përfshinë një grup i metodave të përdorura për të studiuar ose për të matur tekstet dhe informacionin shkencor që botohet apo bëhet i qasshëm për komunitetin shkencor. Koncepti së pari u paraqit nga Dr Eugene Garfield  dhe ky koncept u zhvillua shumë para zhvillimit të teknologjisë së informacionit i cili zhvillim bëri që koncepti të zgjerohet në një numër nënistrumentesh që vlerësimin e punës kërkimore – shkencore e bëjnë shumë të dukshme në aspektin statistikor. Ky koncept aplikohet për autorët individualë, revistat, punimet shkencore dhe për institucionet.

Çka merret parasysh

Tek indikatorët bibliometrikë merren parasysh një varg faktorësh të cilët ndikojnë që një matje të paraqesë cilësinë dhe ndikimin e punës kërkimore-shkencore e cila mëton të arrijë cilësi dhe kualitet të tillë sa për të qenë e pranueshme ndërkombëtarisht. faktorët që do t’i sjellim më poshtë janë të rëndësishëm për tu marrë parasysh dhe në të cilët, shpesh, bazohet vlerësimi i një punimi aspo reviste shkencore:

  • Standardet botuese
  • Recensimi (Peer to peer review),
  • Konventat botuese
  • Përmbajtja e botimit
    • Njohuritë shtesë (të sjella) në fushën specifike shkencore
  • Diversiteti
    • Ndikimi ndërkombëtar dhe rajonal i botimeve. i autorëve, redaktorëve, këshilltarëve
  • Analiza e citimit
    • Puna e mëhershme e redaktorëve dhe autorëve.

Indeksi i citimit

Indeksi I citimit është një indikator që impakton institucionin, revistën, autorin dhe punimin. Një nga elementet që përcaktohet nga numri I botimeve është edhe indeksi I njohur Impact factor ose faktori I ndikimit (FI). Faktori i ndikimit (IF) i një reviste akademike është një masë që reflekton numrin mesatar të citimeve të artikujve të botuar kohëve të fundit në atë revistë. Rreth 15% të revistave[4] e rrisin numrin e citimeve në kuadër të botimeve të tyren ndërsa që në garën për tu indeksuar me këta faktorë brenda vitit konkurrojnë rreth 1200 revista të reja prej të cilave vetëm 15% e tyre ia arrijnë këtij qëllimi. Sa për ta ditur se çka paraqet impakt faktori po e vë këtu formulën e thjeshtë të kalkulimit të tij:

Nese me A= numri i citimeve për vitin 2020

B= citimet e vitit 2020 pre punimet e botuara në vitin 2019

C= Numri i punimeve të botuara në vitin 2019

Atëherë: D=B/C = me faktorin e ndikimit për vitin e 2020.

Përveç IF-së në botë viteve të fundit janë zhvilluar edhe dy faktorë të tjerë. I pari prej tyre është faktori H[5] (Hirsh) ndërsa i dyti faktori G i cili kalkulohet bazuar ne numrin më të madh (eksponencial) të citimeve të fituara nga një punim. Kohëve të fundit përdoren edhe indekse të tjera siç janë H-G indeksi dhe G indeksi të cilët e bëjnë edhe më të komplikuar vlerësimin e veprimtarisë shkencore në një vend të caktuar. Për ta demonstruar se çka nënkupton faktori Hirsh, po e sjell më poshtë një skemë të mënyrës se si llogaritet ky faktor në botën e shkencës:

Gjithashtu ky faktor mund të llogaritet edhe në mënyrë matematikore me anë të formulave apo aplikacioneve të gatshme që i ofrojnë botuesit apo faqet që merren me publikimin e punimeve shkencore dhe të revistave. Kështu, nëse dëshironi ta shihni se si Scopus-i e llogaritë këtë faktor, mjafton të shkoni në faqen e internetit të këtij ofruesi dhe me anë të një aplikacioni që ofrohet falas mund ta llogaritni faktorin individual tuajin apo të secilit prej autorëve punimet e të cilëve mund të gjinden në Scopus. Njësoj veprojnë edhe Ggogle Schoolar dhe botues e ofrues të tjerë. Meqenëse punimi ka më shumë qëllim informues se analitik, nuk do të flasim më shumë për faktorët tjerë të ndikimit apo për indikatorë shtesë.

Përfundim

Nga sa u tha këtu është një infrastrukturë tejet e komplikuar e indikatorëve të cilët e vënë punën kërkimore – shkencore para një filtri të jashtëzakonshëm. Aplikimi i këtyre indikatorëve i vë të gjithë faktorët para një detyre shumë të rëndësishme dhe para një pune të rëndë dhe kualitative. Angazhimi i qeverive, implikimi i industrisë dhe ekonomisë si dhe puna serioze shkencore e shkencëtarëve është një kërkesë imediate për ta mundësuar futjen e vendeve tona brenda sistemit të vlerësimit të punës kërkimore-shkencore në nivele ndërkombëtare. Duhet të fillohet me vlerësimin e brendshëm dhe aktiviteti duhet të jetë i pa kompromis e jo sikur deri tash kur më shumë se 40% të punimeve autorin e parë e kanë një të huaj apo kur më shumë se 84% prej tyre janë të botuara në revista me indeks faktor më të vogël se 1. Po kështu rreth 68% e autorëve kanë nga 0 deri në 7 citime. Vetëm duke e vlerësuar cilësinë shkencore të punimeve dhe botimeve tjera shkencore, brenda dhe jashtë vendit, ne mund të krijojmë një lakore në ngritje të cilësisë së projekteve dhe punimeve tona kërkimore-shkencore.

[1] Harta  për të cilën po flasim është marrë nga: http://www.ons.gov.uk/ons/rel/rdit1/gross-domestic-expenditure-on-research-and-development/2012/stb-gerd-2012.html?format=print, më 30.04.214

[2]  E shkarkuar nga Eurostat-i

[3] Shih për këtë në:

http://www.nsf.gov/statistics/seind14/index.cfm/etc/pdf.htm

[4] Është me rendësi se një numër I revistave për ta mbajtur apo për ta rritur IF-në e tyre, me qëllim e ngrisin numrin e citimeve të botimeve të tyre duke I obliguar autor në këtë. Ky faktor e bën IF-në një koncept bukur diskutabil.

[5] Nënkupton që një shkencëtar ka një indeks h  kur ka botuar h punime  dhe secili  prej tyre është cituar nga të paktën h herë. Edhe faktori h ka të metat e tija të cilat shpesh nuk e paraqesin perfomrancën e vërtetë të shkencëtarit të veçantë.