Të gjitha të arriturat dhe dështimet 21 vjeçare të shtetit të Kosovës janë meritë e përbashkët e gjithë spektrit politik, shoqërisë civile, mediave, intelektualëve, studentëve, bujqëve, afaristëve, artistëve, krijuesve, këngëtarëve dhe mërgimtarëve.

Pa dyshim, se pa ndihmën tonë, asnjëra nga partitë politike nuk do të mund të qeverisnin më gjatë se një mandat, pa ndihmën tonë nuk do të ngritej në karrierë asnjë politikan i nivelit qendror apo lokal.
Përderisa me ndihmën e politikës u pasuruan skajshmërisht një pjesë e estradës muzikore dhe artistike në Kosovë, shumë intelektual u bënë krijues të famshëm me botimin e librave me paratë e qeveritarëve, gjegjësisht me paratë e taksapaguesve të varfër të Kosovës.
Me paratë e mërgimtarëve u zhvilluan shumë bisnese përmes restoranteve, me organizimin e dasmave moderne (në kundërshtim me traditat e lashta iliro-dardane), para të cilat riciklohen më pas në llogaritë e politikanëve (pronarëve faktik të këtyre bizneseve dhe të tjerave të jashtëligjshme).
Megjithatë, në tërë mozaikun e dështimit tonë si shtet dhe shoqëri civile, përgjegjësia më e madhe bie mbi kastën më të ngritur, në atë të intelektualëve që defiluan nga njëra tek tjetra parti e skenës politike kosovare.
Mbajtja e “isos” politikanëve mashtrues dhe të korruptuar nga ana e intelektualëve të kalibrit, e ka dëmtuar më shumë se asgjë tjetër procesin e ndryshimeve pozitive në vendin tonë.

Intelektualët interesgjinjë e ndërrojnë “gëzofin” qysh të ndërron moti

Intelektualët e prekur me virusin kancerogjen i korrupsionit dhe krimit të organizuar, reagojnë vetëm atëherë kur ju preken interesat e tyre personale apo të ndonjë familjari të tyre, ndryshe as që ju dëgjohet zëri kundër dukurive të përditshme negative në vendin tonë.
Të tillët, pra intelektualët e heshtur, të prekur me virusin korruptiv, reagojnë ashpër kundër secilit analist apo gazetar që ua rrezikon interesat e tyre përmes kritikave të shëndosha ndaj partisë politike apo liderit në veçanti, por jo edhe kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar si dukuri kancerogjene në Kosovë.
Kjo çasje “pragmatike” e intelektualëve të zhytur në korrupsion, bie ndesh me politikën e pavarur editoriale të mediave, mendimin e pavarur dhe konstruktiv të analistëve dhe publicistëve që nuk pranojnë të futen nën tutelën e pushtetarëve të inkriminuar.
Respekt për secilin intelektual të rreshtuar në një parti politike, që mbronë me nder parimet dhe frymën politike të subjektit politik që i takon, por assesi atyre intelektualëve që e ndërrojnë “gëzofin” qysh të ndërron moti (partia në pushtet).
Intelektualët interesgjinjë, duke e luajtur lojën e viktimës, me lehtësi ju përshtaten ndërrimeve të pushteteve, duke u shtirrur e çirrur si viktima para pushtetarëve të rinjë derisa të nxjerrin të dëshiruarën prej tyre.
Me të rënë nga pushteti të subjektit të deridjeshëm, i bashkangjiten sërish subjektit tjetër që vjen në pushtet, me përkushtim e dashuri, thuajse kanë lindur me atë subjekt!
Ndryshe nga intelektualët interesgjinjë, intelektualët e pastër dhe të vërtetë qëndrojnë vertikalisht përkrahë interesave të popullit dhe gjithmonë janë avangardë e ndryshimeve dhe proceseve pozitive, duke e luajtur rolin e “qiririt”, që digjet për t’u bërë dritë për të tjerëve, duke sakrifikuar interesin e vet personal për interesin e përgjithshëm shoqëror dhe shtetëror.
Pra, intelektualët duhet të jenë iluminist që ndriçojnë ardhmërinë e kombit, e jo materialist që përfitojnë nga fatkeqësia dhe tragjedia e popullit për mirëqenje personale.
Ndryshe, intelektualët materialist të zhytur në llumin e politikës, e mbrojnë një lider partiak për të mbrojtur interesat e veta personale apo e kundërshtojnë atë vetëm ateherë kur iu humben privilegjet nga ish partia në pushtet.
Me këtë dua të themë se, targën e dështimeve të rrugëtimit tonë 21 vjeçar si shtet dhe shoqëri civile nuk e bartë një liderë apo një parti e vetme politike, por e bartim të gjithë nga pak.

Secili nga ne duhet të marrim pjesën që na takon, për të mirë apo për të keq

Unë si akter indirekt dhe i pavarur nga politika kosovare, jam i gatshëm ta marrë përgjegjësinë për pamundësinë e angazhimit tim të drejtëpërdrejtë në politikë.
Për këtë arsye, reagimet e mia janë shprehje e brendshme shpirtërore, e dashurisë së pakufishme ndaj atdheut dhe qytetarëve të vendit tim, për të kontribuar sado pak në funksion të ndryshimeve pozitive, e asnjëherë në funksion të një subjekti apo subjekti tjetër politik.
Interpretimet e mia politike nuk janë të gërshetuara me interese personale, pra, janë të pandikuara nga liderët e partive politike, janë janë krejtësisht të lira dhe pavarura, por që janë produkt i zhvillimeve politike në vend, si të tilla, nganjëherë mund edhe të mos jenë të përshtatshme për një pjesë të lexuesve shkaku i paanësisë partiake, por jam dhe do të mbetëm i tillë derisa të më punojë mendja dhe zemra për të mirën e popullit dhe vendit tim të shenjtë.
Edhe pse kam pasur oferta për t’iu bashkangjitur disa prej partive të skenës politike dhe nismave të fundit partiake nga diaspora, nuk e kam bërë një gjë të tillë për faktin se, nuk kam dashur ta kufizojë pavarësinë e mendimit dhe krijimit brenda konjukturave të një partie politike por edhe për faktin tjetër akoma më të rëndësishëm, se, futja brenda sistemit nuk e ndihmon ndryshimin, përkundrazi e favorizon dhe ndihmon sistemin aktual qeverisës në vendin tonë.

Intelektualët materialist janë shndërruar në virus brejtës të ardhmërisë së shtetit dhe qenjes sonë kombëtare. Aq sa uzurpatorët e shtetit, janë bërë të rrezikshëm edhe pseudopatriotët e veshur në petkun e intelektualit, që u shërbejnë me zellë të gjitha pushteteve.

17.05.2020