Brazili ka shënuar rritje të rasteve me koronavirus, duke kaluar Italinë dhe Spanjën që ishin epiqendra e virusit në Evropë. Ministria e Shëndetësisë në Brazil ka regjistruar 14,919 raste të reja në 24 orë duke e çuar numrin total në 233,142 raste. Sipas statistikave, Brazili ka numrin më të madh të rasteve pas Shteteve të Bashkuara, Rusisë dhe Britanisë.
Rusia ka raportuar për 9,200 raste të reja me koronavirus, nga 10,598 që u raportuan një ditë më parë. Task-forca e COVID-19 në Rusi, tha se numri total i rasteve në nivel endi ka shkuar në 272,043. Brenda 24 orëve kanë vdekur 119 persona, duke e çuar numrin e viktimave në 2,537. Rusia është ndër vendet me numrin më të lartë të të infektuarve me koronavirus në botë, menjëherë pas Shteteve të Bashkuara. Pavarësisht shqetësimeve se hapja e ekonomisë mund të ndikojë në shpërthime tjera të pandemisë, presidenti rus, Vladimir Putin ka njoftuar më 11 maj se do të përfundojë masa e prezantuar në muajin mars, e cila u ka mundësuar punëtorëve jo të domosdoshëm, të qëndrojnë në shtëpi.
Nderkaq, Gjermania është një ndër vendet europiane që ka menaxhuar më mirë pandeminë dhe këtë e tregojnë dhe shifrat e vdekshmërisë si pasojë e koronavirusit. Ajo ka qenë një ndër vendet e para që kanë liruar masat shtrënguese dhe ditën e shtunë nisi dhe futbollin elitar, por pa dyshim që me stadiume të boshatisura. E megjithatë njerëzit janë të pakënaqur. Mijëra persona kanë dalë në rrugë në qytetet kryesore për të kërkuar nga qeveria gjermane që të lehtësojë dhe më tej masat për t’i hapur rrugë ekonomisë të rikthehet aty ku ishte. Qindra prej tyre zaptuan sheshet kryesore, mes tyre edhe atë përpara parlamentit, duke zbatuar me sa kishin mundësi distancimin social. Protestuesit mbanin në duar kopje të kushtetutës gjermane dhe kërkonin zbatimin e lirive të tyre.
Europës së vjetër po i lehtësohen plagët e shkaktuar nga koronavirusi dhe kjo gjë po shihet në raportimet që vijnë nga vendet më të goditura nga pandemia si Spanja dhe Franca. Te dy vendet raportuan shifra të përmirësuara 24 orët e fundit, por pavarësisht kësaj kryeministri Sanchez po mendon që të shtyjë më tej gjendjen e emergjencës në vend.