Në Britani të Madhe do të bëhen kërkime nëse qentë falë nuhatjes do të mund të përcaktojnë apo jo koronavirusin e ri (COVID-19) tek njerëzit para shfaqjes së simptomave, transmeton Anadolu Agency (AA).

Në një deklaratë me shkrim nga Ministria e Shëndetësisë thuhet se qentë do të kenë një trajnim të veçantë dhe se do të jenë pjesë e një hulumtimi të ri lidhur me virusin.

Shteti do të sigurojë një fond prej 500.000 paund për hulumtimin i cili do të zhvillohet në bashkëpunim nga shkolla mjekësore e higjienës dhe tropikale në Londër, Universiteti “Durham” dhe Qendra kërkimore e emëruar qentë diagnostikues mjekësorë.

Në këtë punim do të bëhen kërkime nëse qentë që mund të diagnostikojnë sëmundje të tilla si kanceri, malaria dhe parkinson, mund të zbulojnë apo jo koronavirusin tek njerëzit nëpërmjet mostrave të aromave, edhe nëse ata nuk shfaqin simptoma.

Në fazën e parë të punimit do të mblidhen mostra të aromave tek personat bartës dhe jo bartës të koronavirusit. Më pas 6 qen do t’i nënshtrohen një trajnimi gjithëpërshirës për të përcaktuar virusin nga mostrat. Nëse arrihet sukses, qentë do të përdoren në luftën kundër pandemisë.

Zv.ministri i Shëndetësisë, James Bethell tha se ky punim është i rëndësishëm nga pikëpamja për të arritur rezultate të shpejta në përcaktimin e virusit. “Norma e saktësisë është e rëndësishme. Kjo është arsyeja pse ky eksperiment do të na tregojë nëse ‘qentë COVID‘ mund të zbulojnë apo jo në mënyrë të sigurtë virusin dhe nëse do të jenë apo jo efektivë në ndalimin e përhapjes së tij”, tha ai.