Ambasadori i Italisë në Kosovë, Nicola Orlando, ka bërë të ditur se vendi tij është duke ndërmarrë veprime për të ndihmuar Kosovën, në menaxhimin e situatës së krijuar nga pandemia e koronavirusit të ri.

Ambasadori Orlando, gjatë një takimi me kryeministrin në detyrë të Kosovës, Albin Kurti ka kërkuar nga qytetarët që të vazhdojnë me respektimin e masave të vendosura nga qeveria për parandalimin e shpërndarjes së koronavirusit, thuhet në njoftimin e zyrës së kryeministrit të Kosovës.

Në takim, kryeministri në detyrë, Kurti, ka thënë se pas hartimit dhe zbatimit të Pakos Emergjente Fiskale, Qeveria e Kosovës ka filluar diskutimin gjithëpërfshirës për hartimin e pakos së dytë, atë të rimëkëmbjes së ekonomisë.

Ekspertët thonë se rimëkëmbja ekonomike pas përfundimit të pandemisë së shkaktuar nga koronavirusi, do të jetë sfidë për Kosovën.

Shumica e bizneseve në Kosovë, gati në të gjithë sektorët, kanë raportuar vlera të mëdha të humbjeve financiare dhe zvogëlim të kapaciteteve prodhuese që nga 13 marsi kur u vendosen masat në kufizimin e lëvizjes dhe e si pasojë u pezulluan shumë veprimtari ekonomike.