Ballina ED/OP Fejton (2) / KOLONA E PESTË – (Fünfte Kolone / Fifth Column)...

Fejton (2) / KOLONA E PESTË – (Fünfte Kolone / Fifth Column) – Shkruan: Shefqet Dibrani

 

ÇFARË ËSHTË KOLONA E PESTË?

 

Siç e theksuam në fillim, KOLONA E PESTË, është formacion i dyshimtë, që ka mision të caktuar. Por me “Kolonë”, kuptojmë vargonjtë, radhët e njerëzve a sendeve. Në fushën e gazetarisë, një kolon ka kuptimin e një shtylle vertikale në një faqe gazete. Ndërsa si shprehje politike e ushtarake, ka kuptimin e formacioneve të dyshimta, qofshin të strukura në kuadër të sistemit për tu aktivizuar në situata të caktuara, ose si formacion i cili futet tradhtisht për të pushtuar kalanë nga brenda, siç është rasti me LDK-në në Kosovë. Me sa duket këtë kuptim e ka marrë nga spanjishtja që do të thotë trupë, përkatësisht togë ushtarësh[1], të cilët kanë mision për të vepruar në mënyrë klandestine, me bërë veprime subversive, qofshin ato veprime aktive, a forma të tjera pasive.

 

Qëllimi ishte për ta fituar luftën me metoda subversive, ose për ta përmbysur një sistem shtetëror duke shantazhuar e sabotuar, duke marrë veprime të pa matura edhe në kohë pandemie[2], siç ka vepruar sivjet LDK-ja, duke i tradhtuar proceset në emër të një kauze e cila pas një kohë do të kuptohet se paska qenë e rrejshme. Kolona e Pestë, mund të ketë mision për të devijuar një koncept demokratik të një partie politike (rasti me LDK-në), e përmes këtyre çrregullimeve për t’i prolonguar shumë procese, madje duke mos u merakosur fare se janë duke rrezikuar edhe pavarësinë e brishtë të vendit tonë, gjë që është shqetësuese[3].

 

Pra, qëllimi i këtyre formacioneve, (në tekstin vijuese vetëm si “Kolona e Pestë”), është për të abuzuar çdo veprim të mundshëm, formë kjo për ta destabilizuar sistemin, për t’i ashpërsuar raportetet edhe me tej me kundërshtarët, dhe duke i komplikuar ato me aleatët, gjithmonë në emër të një kauze?!, d.m.th. Kolona e Pestë, ka synim të rrëzojë rendin ekzistues dhe të shkatërrojë atë që mundet, pra edhe shëndetin e popullit, siç ishte rasti i sivjetmë duke shantazhuar e sabotuar çdo vendim të Qeverisë në Detyrë. Pikërisht pse është kaq aktive Kolona e Pestë, asnjë qeveri e vendit tonë, nuk ka pasur sukses për të vënë rend e rregull, prandaj nuk kanë arritur për ta dërguar mandatin e tyre deri në fund. Në Kosovë, formacionet e tilla janë duke kryer veprime sipas mënyrave dhe konceptit të Kolonës së Pestë, dhe fare pak ka rëndësi nëse janë të strukturuara apo qëndrojnë si organizata pasive!

 

Në Kosovë, nëse nuk ka formacione të tilla, ka veprime nga Media, Parti dhe grupe, ku fushëveprimin e kanë të shtrirë në dy rrafshe:

 

  1. Rrënimi i rendit ekzistues shtetëror bashkë me rrënimin e sistemit të vlerave demokratike, pastaj rrënimin e sistemit të drejtësisë, sigurisë, ekonomisë, arsimit e shëndetësisë, d.m.th. duke prekur çdo pore të sistemit.

 

  1. Çoroditja e kodit etik në media, ku përmes tyre është krijuar një fjalor fyes e vulgar, për të prodhuar dyshime, për të krijuar konfuzion, duke nxitur klimën e urrejtjes e të shpifjes, ose mënyrave të shantazhit mediatik, prandaj kontrolli mbi mediat është njëri nga fushëveprimet subversive të Kolonës së Pestë, e cila duhet ta ketë epiqendrën në një vend armik, që si duket ka funksionuar me sukses në Kosovë.

 

Përmes këtij rrjetëzimi janë abuzuar të gjitha vlerat e një shoqërie e cila mëton për të ndërtuar rend e rregull demokratik në përputhje me kërkesat e vendeve nga Bashkimi Evropian, po sidomos në përputhje me synimet Amerikane për të krijuar paqe të qëndrueshme në Ballkanin Perëndimor.

 

Për ta rrënuar sistemin e një vendi, fillimisht rrënohen vlerat e demokracisë, sikurse për ta rrënuar sistemin ekonomik që duhet të rrënohen vlerat e konkurrencës. E në Kosovë, të gjithë e dimë se nuk funksionon sistemi i vlerave dhe i meritokracisë. Ky perceptim, dukshëm shihet në zgjedhjet e brendshme partiake, ku ndodhin veprime skandaloze dhe në kundërshtim me konceptin demokraci. Aty rreshtohen, sistemohen, trajnohen dhe edukohen duke i përgatitur skuadrat për veprim, të cilët gjithçka mund të bëjnë përveç vlerës dhe demokracisë.

 

Në anën tjetër, prodhimi i krizave është detyrë e mediave, (të cilat mund të keqpërdoren për arsye të krizave financiare)[4], prandaj ne kemi skandale të pandalshme, po ashtu janë edhe format subversive të veprimit, përmes të cilave vendoset kontrolli mbi çdo segment të shtetit, andaj jo kot është thënë se mediat janë shtylla e fuqishme e sistemit, nëse jo shtylla parësore. Mediat kudo duhet të japin kontribut në funksionimin e demokracisë dhe përmbushin funksione të caktuara për shoqërinë[5].

 

Deri sa në vendet me demokraci Mediat kontribuojnë në stabilitetin e sistemit politik, ato ndikojnë në ndryshimin e vazhdueshëm të shoqërisë. E kjo arrihet përmes mediave që mbulojnë të gjitha fushat kryesore të shoqërisë, d.m.th.: veçanërisht politika, biznesi, kultura dhe çështjet sociale, sigurojnë sa më shumë informacione faktike dhe të kuptueshme, kontribuojnë në formimin e mendimeve në një diskutim të lirë dhe të hapur dhe shoqërojnë me kritikë dhe kontroll përmes gazetarisë hulumtuese. Kështu mediat marrin rolin e ndërmjetësuesve dhe kujdestarëve, thuhet në një studim të instituteve për gazetari të lirë[6].Ndërsa mediat në Kosovë e kanë humbur pavarësinë e vet, të paktën në këto vitet e fundit kështu duken. Paralelisht me sektorët tjerë, Kolona e Pestë, është treguar e suksesshme në fushën mediatike dhe të informimit. Në botën e lirë dhe demokratike, fati i një rendi dhe sistemi shoqëror, varët nga liria dhe kontrolli i sigurisë shtetërore mbi media.

 

Nëse thuhet se funksionimi i Mediumit Publik, është i rregulluar me ligj, dhe ai medium kontrollohet nga shteti, askush nuk mund të garantojë se emisarët e Kolonës së Pestë, nuk janë brenda atij mediumi. Vet fakti i nepotizmit dhe analfabetizmit të tepruar me administratë të stërngarkuar, flet se diçka nuk është në rregull as me mediumin publik. Pastaj nëse merren për bazë vlerat që emitohen, duket se amortizimi është i paramenduar, me qëllim për t’ia ulur ndikimin, për t’ia zbehur fuqinë që mund ta ketë një Televizion Publik, po më shumë për ta humbur besimin në te. Në këtë mënyrë Kolona e Pestë, ka ushtruar një fushëveprim më të rehatshëm, sidomos mbi mediumet private, të cilat janë stimuluar e fuqizuar në mënyrë enorme, ndërsa drejtuesit e tyre mendohet se janë bërë zapt përmes infuzioneve financiare.

 

Askush nuk ka hulumtuar për të parë se si arritën të bëhen të pasur, madje milioner[7], disa nga drejtuesit e mediumeve private, në një Kosovë të vogël dhe relativisht e varfër në raport me vendet e rajonit dhe vendet e BE-së.

 

Por misioni i këtyre mediumeve duket të jetë linçimi dhe shantazhimi i gjithë elitës politike që nuk kanë arritur ta kontrollojnë. Metodologji kjo për të prodhuar kaos i cili tashmë është i dukshëm, gjithmonë duke i reflektuar veprimet negative në raportet me Bashkësinë Ndërkombëtare, duke i lënduar marrëdhëniet e mira me Amerikën, që është shqetësuese, pasi rreziku mund të ketë pasoja afatgjate. Mediat janë ato që po ia japin flakën atdheut, mediat po e kryqëzojnë intelektualin, qoftë edhe duke e dhunuar atë fizikisht. Me një fjalë në studiot e udhëhequra nga djemtë e udbashëve kriminal, po dhunohen fizikisht intelektualët.

 

E gjithë kjo veprimtari subversive po bëhet me porosi të caktuar, dhe në interes të një fuqie agresive e cila me subvencionet financiare në media, synon të destabilizojë Kosovën, pasi rivalitetet për ndikim dhe dominim, në kuadër të rajonit janë të mëdha. E gjitha ka të bëjë me raportet kundruall Amerikës, qoftë në planin politik ose gjeostrategjik, pa i mohuar sferat e tjera, në fushën, ushtarake, ekonomike e kulturore.

 

Edhe termi për formacionin “Kolona e Pestë” është krijuar në Luftën Civile Spanjolle të vitit 1936[8], por qysh nga atëherë janë aplikuar forma të ndryshme. Sa i përket Kosovës, kur flasim për Kolonën e Pestë, duhet të kemi parasysh se po iu referohemi mbështetësve të Isa Mustafës, brenda LDK-së, ndërsa në Republikën e Frankos, në Spanjë, Kolonën e Pestë, e përbënin ata ushtar që kishin mbetur brenda në zonë, pasi atje kishte ndodhur grusht shtet. E pra imagjinoni Agim Veliun, Lutfi Hazirin, Ismet Beqirin, Haki Rugovën, atë strukturën e brendshme në LDK-në e Ibrahim Rugovës, të cilët morën mbështetje të pahezituar pikërisht nga formacioni i jashtëm, që në rastin e LDK-së ishte e Kolona nga Riinvesti, e përfaqësuar nga Isa Mustafa, i cili kurrë më parë nuk ka qenë anëtarë i LDK-së, përkundrazi veprimtaria e tij anti LDK-iste është e njohur, por nuk u pengua nga askush, qofshin institucionet për sigurinë kombëtare e as nga strukturat që kanë menaxhuar aspektet ligjore dhe funksionimin e demokracisë në vendin tonë.

 

Këto grupe ashtu si grupet e Isa Mustafës brenda në LDK, kishin detyrë për të ndërmarrë veprime kur të ishte e nevojshme. Fjala është edhe në kohë të pandemisë, edhe atëherë kurë rrezikohet shteti i Kosovës. Sot në LDK, këto formacione po i udhëheq Akademiku Isa Mustafa, ai që njihet si sabotues i udhëtimeve të dr. Rugovës drejt Amerikës, gjatë viteve të nëntëdhjeta. Derisa gjeneralit spanjoll, iu kishte dashur t’i drejtonte katër kolona, e për të qenë ofensiva e tij e sigurt, ai u dashtë të aktivizoj “kolonën e pestë“, përkatësisht atë turmën e ndjekësve të Francos që rrinë të strukur brenda në Madrid, siç është shembulli me apostrofuarit e lartcekur brenda LDK-së.

 

A nuk ka vepruar kështu kundër Republikës së Kosovës, çuditërisht në kohë Pandemie, edhe komunisti Isa Mustafa, a nuk i aktivizoi edhe ky katër divizionet: 1. Kolona e parë “Lidhja Demokratike e Kosovës”, 2. Kolona e dytë “Klani nga RIINVESTI”, 3. Kolona e tretë“Solucioni LIDHJA”, 4. Kolona e katërt “BREZI I REPUBLIKËS”, dhe 5. Kolona e pestë, janë “MEDIAT dhe TV-të”, që udhëhiqen nga bijtë e udbashëve me damkë. Tashmë mediat janë shndërruar në Kolonë e Pestë, dhe kanë mision për ta shkatërruar Republikën e Kosovës.

 

Edhe atëherë sikurse tashti, suksesi përmes Kolonës së Pestë, ka qenë jashtëzakonisht i madh, tashti mediat e udhëhequra nga djemtë e udbashëve me damkë të cilët janë bërë milioner pa pasur fabrike, kanë prodhuar shpifje, kanë kryqëzuar intelektualët në Studiot e Tyre, kanë dhunuar fizikisht Njerëzit, me një fjalë Mediat bartin përgjegjësi të madhe për gjendjen e krijuar. Le të krahasohet veprimi i “Kolonës së Pestë”, në Madrid, me udhëheqjen e “Kolonës nga Riinvest” që vepron brenda LDK-së dhe t’i lidhim ngjashmëritë, se si u pushtua Madridi dhe si është pushtuar LDK-ja nga Isa Mustafa. Janë zhvillime identike, taktizime sipas rrethanave, por pushtimi i plotë i LDK-së tashmë ka ndodhur, prandaj pasojat e veprimeve ngjasojnë si veza me vezën.

 

Rrënimi i vlerave dhe demokracisë brenda LDK-së është një luftë hibride[9]antiamerikane, etimologjia e së cilës “përcakton luftën si një kombinim të mënyrave konvencionale, qofshin të parregullta ose të kombinuara me veprime terroriste dhe sjellje kriminale[10], për t’ua bërë me dije Amerikanëve dhe aleatëve nga vendet e Bashkimit Evropian, se ja ky brumë që nuk bëhet bukë, dhe këta politikan që nuk reformohen, janë produkt i demokracisë, më të cilët nuk bëhet shteti, prandaj dy fronte të pashmangshme veprojnë kundër LDK-së dhe Kosovës: 1. Klani nga RIINVESTI dhe 2. Mediat – TV-të që udhëhiqen nga bijtë e udbashëve me damkë.

Vijon…

Burimi:

[1] WIKIPEDIA, die freie Enzyklopädie; Spanischer Bürgerkrieg: https://de.wikipedia.org/wiki/Spanischer_B%C3%BCrgerkrieg

 

[2] Deutesche Welle, “Kosovë: Rrëzohet qeveria e Albin Kurtit-synohet krijimi i një qeverie të përkohshme”: https://www.dw.com/sq/kosov%C3%AB-rr%C3%ABzohet-qeveria-e-albin-kurtit-synohet-krijimi-i-nj%C3%AB-qeverie-t%C3%AB-p%C3%ABrkohshme/a-52919184

 

[3] Albeu, 10/02/2013, ora 14:55, “Pavarësia e Kosovës po rrezikohet të komprometohet”, http://www.albeu.com/kosove/pavaresia-e-kosoves-po-rrezikohet-te-komprometohet/100018/

– Gazeta “Bota sot”, 10 SHKURT 2013 NË ORA: 14:30, “LDD: Pavarësia po rrezikohet të komprometohet”: https://www.botasot.info/kosova/210310/ldd-pavaresia-po-rrezikohet-te-komprometohet/

 

[4]“Kriza financiare e goditi rëndë median në rajon, sidomos botimet e shtypit që kishin qenë në vështirësi që më parë, faqe 61. (Libri: “Gazetaria Profesionale Vetë-Rregullimi Media të Reja, Dilema të Vjetra në Europën Jug-Lindore dhe Turqi”, Botuar nga Organizata e Kombeve të Bashkuara për Arsimin, Shkencën dhe Kulturën 7, place de Fontenoy, 75352 Paris 07 SP, Francë 2011).

 

[5] Media Social, 22.11.2016, “Funktionen der Medien in einer demokratischen Gesellschaft I und II”: https://www.bpb.de/gesellschaft/medien-und-sport/medienpolitik/189218/funktionen-der-medien-in-einer-demokratischen-gesellschaft-i-und-ii

 

[6] Po aty, ” Funksionet e mediave në një shoqëri demokratike I dhe II”, https://www.bpb.de/gesellschaft/medien-und-sport/medienpolitik/189218/funktionen-der-medien-in-einer-demokratischen-gesellschaft-i-und-ii

 

[7] Ina, 14.03.3019; “Këta janë gazetarët milionerë shqiptarë, ja kush e thotë?!”, https://ina-online.net/foto-keta-jane-gazetaret-milionere-shqiptare-ja-kush-e-thote/

– Krahaso: Kosova post, prill 2020, Ja pse u bashkuan Politikanët e Gazetarët milionerë: https://kosovapost.net/tali-ja-pse-u-bashkuan-politikanet-e-gazetaret-milionere/

 

[8] Andalusien360.de: Der Spanische Bürgerkrieg (1936 – 1939), https://www.andalusien360.de/magazin/spanischer-buergerkrieg

 

[9] Lufta hibride përshkruan një formë fleksibile të veprimit, e përzier në mes mënyrave të hapura dhe veprimeve të fshehta, mënyra këto herë të rregullta dhe herë të parregullta, simetrike dhe asimetrike, ushtarake dhe joushtarake me qëllim të mjegullimit dhe ashpërsimit të situatës midis raporteve e shteteve në kohë lufte ose të krizave në paqe.

 

[10] “Zürichsee-Zeitung”, Donnerstag, 2. April 2015, S.2.

– Hybridkrieg, Wikipedia, Die freie Enzyklopädie: https://de.wikipedia.org/wiki/Hybridkrieg#cite_note-2