GURI I SHPU’M
– Gratë beronja ndër përbirime
kërkojnë fatin, këndojnë ninulla
për foshnjet e palindura…
Në mitrën e livadheve rri perforim me kurorë vetmie –
Dobiç i truar rreziku është në të vonuarit e magjisë,
Emri yt zjarrtiset në ëndrra – në ujësirë përjetësie
Që ndillet në dëshirë, në rrufena si dënesje e fëmisë.
Vinin të pangime etshëm ta njomnin gjirin për miradë
Në unaza shprese – ndër shtatë përbirime fshihej fati
Tri stinëve të plleshme hatërmbajtëse kthenin mirjadë
Gurrë e pangushëlluar malli, në lot çurg mbytej shtrati
Venin e vinin gratë beronja me drithërimë në zemër
Dëshira gërryen shpirtin; hurbas s’mbarset ibërshimi
Me ofshet e gurit dhembja afrohej pa shkelur në thembër –
Për të lëvizur nisma e re ngjizja s’nis nga fundi e thërrimi
Për ethet e gurit arsyen mendonte okarina jeh në heshtje
Në të diellit fluror! Bredh ankthshëm rrufeja butë – butë
Visarona zgjonte ndiesi që shpiejnë në legjendë pa mekje
E qenë domosdoshmëri lindjesimi në përsiatjen e rrudhtë
KRONI I ILAÇIT
– Të verbërit kërkojnë dritën
çdo ditë duke i larë sytë para
agmisë.
Kjo ka ngjarë kaherë vrundull në ballin e fushës së mirë –
Në zemrën e strallit të verës kur plaste mallë i gjakimit,
Fshehur n’gishtrinjtë e lulebjeshkës zambak ende pa mbirë
Në damarë ndjelljesh shëruese vesa i qeshi amshimit.
Durimit fort i erdhi keq kur dhembjen eshka kaploi…
Mellinës i ndriti balli si oazë stolisur me bukureza,
Se qepallat u hapën me shakoni pa terratisje në bebëza
Humbëtirën e legjendës sorkadhja me thundra e mbjell
Gjuhë e madhërishme mori guximin, klithi në hapësirë
Nga fillimi porositë e blerta në visore janë mbështjell’
Ndërmjet shpresës e zemrës ilaçi nxorri kokën e vdirrë.
Kush e di cili u kthye pas atakut: kulçedra apo dragoi?
Shqim brigjet e përgjumura zgjoheshin, shkrepte zemërimi.
Në jone të vazhdueshme i magjepsur seç vrulloj kroi.
Seç ngushëlloi trishtueshëm përjetësisht stolis gjelbërimi.
GUR’T E AK’LLIT
– Tre gurë që kurrë si përshkon
dielli në stinët e motit.
Dridheshin si trenjakë në lashtësi t’ngricës e t’neverisë
Thuase në ju ruhej zikzak zakoni i fosileve të fshehura.
Kumbonte djersa e acarit vrerë me gojën e pangopësisë
Për t’i kafshuar rrudhat e pezmatuara në ju të shprehura.
Si relikte të rralla ruani buzët e njoma të pranverës,
Në rrjetat e acarit përplitej lulja (lodër) ndrydhur nyje;
Janë të gatshëm për t’i lënë prangat pragut të derës
Vetëm të çelte një mesditë në ndonjë gjurmë drejtësie
Nën lëkurë të shekujve dielli shpesh u kthye në gjakim,
Në ju jetoi mallkimi i lashtë duke fshehur emrin e vet…
Në ju pranverat rrudhën ballin, sytë i dehën në përflim,
Eoli i trazonte erërat, kaprolli hapin dikah nisi ta qet…
Koha i gjasonte vetes, eshtrat dëshironin dramë të trilluar
Dënes e hershme një thikë blerimi në zemër që qe murosur
Ndër legjenda të reja ujërat krijuan trimëri të sheshuar
Egërshani i trishtimit një natë në ju gurë qe trullosur!
Vjeshtë, 1979
Verë, 2012
GUR’T E ÇIK’S
(motiv i flijimit)
Ç’ti bëj rrëfimit që fillin e vet e do të qartë!
– Koha e shkuar flet e flet për një trim të robëruar
Për mëmëdheun e dhembjes – stërdigjej zemërzjarrtë
Si mungoi guximi në ninëza – vdekjen duke sfiduar
Robëruesit nxorrën reng e peng shpatijeve të Nefellës,
– Kush i bartë këta tre gurë hata në cikol të kodrës?!
…Gurët rrinin si lubi rrokullisur thellë prej shpellës!…
Unë, jehoi zëri i motrës, ia ndali rreptë zhurmën lodrës
Pushuan fare lodrat, t’irnosur zabitët shikonin me habi,
Shpatat i nxorrën – shohim – provoje, moj trimëreshë!
Pesha e gurëve – në forcën e fatit – do të keni liri! –
Thanë: “Ty, do të kemi heroinë”, duke u zgërdheshë…
– Jam mëkuar me qumësht dhie, betohem në këtë tokë!
Si gjeraqinë i rrëmbeu dy me duar, u nis përpjetë…
Sipas betimit të tretin askerët me mund ia vunë mbi kokë
Çapitej trimëresha si sorkadhe me shpresën e vërtetë
Çatisi në kikë me gurët, ç’po çmerritej dhe kodra…
Të huajt nga llahtaria klithnin: “Aferim, aferim!”
Nëpër shatore shkrepnin batare – gjëmonin lodra
Të pabesët s’njohin tradita, koka e trimit ra flijim!
Sot e atë ditë, “Gur’t e Çik’s” shqim të heshtur rrinë
Janë me nishane – dy me gishta të duarve vashërore,
– I treti me tepen e kokës, si çanak dergjet nëpër stinë
Presin ta zbardhin trimërinë e vashës shpirtvirgjërore…
GUR’T E AK’LLIT
(Variantë)
Fshehur nga dielli përmbi rreze ëndërroni
Fshehur sohishtës – stinët mbi ju s’kthehen,
Si qengja të fosilizuar – kleçkat i gjeneroni
Dhe krusmat e pafund që në ju s’dehen
O, Gur’t e ak’llit – në korrik jeni borë!
Kropalla po ua gërryen në mëni ato djersë…
Në agoninë trishtuese prekur ju kam me dorë
Nga vetmia juaj jam larguar ballin me vesë
Ballin me vesë në fëmijëri se kuptoja fare,
As Përroi i Shavarinës s’më dha shpjegim?!
Gur’t e ak’llit s’lëvizin nga bota qindravjeçare
Ikje e diellit shakull – ju jeni peng e kujtim…
gusht, 2011,
Në vendlindje
ZGJIM PRANVERE
Mikut tim, poetit Qazim D. Shehu
Zjarr përjetësie me cingërime po ndizet blerimit
Ja dhe unaza e blertë me gurët të vockël, të çmuar
– Hënë mali ndër vete stina po i fshehet ylltrimit
Nën fluromat e qetësisë leckave të lumit-lakadredhuar
Ngjashmërinë pranojnë akacjet dendurisht na thërrasin
Nga rrënjtë e lashtësisë mijëvjeçare me blerimin pareshtur
E shkërmoqin mugëtirën – amësimin monopatit e nuhasin
Me dritën e zemrës së natyrës pranverore buzëqeshur
Ngjeshur përvidhet në shpirtin e gonxhës që s’ka çelur
Po na vjen era behar ditë e majit bulon e trëndafiltë…
Për ta përshëndetur bilbilin me këngë kurrë s’është velur
Si çunak i mitur vrulltas me gaz shpërthej i klorofiltë.
Mbi majole shpatesh po shprushet qiell’i dashuruar
Krahëve të ndehur mbi rreze na mbushin ëmbëlsim
Gjithnjë i bindem gjelbërimit që s’ka fare të mbaruar
Madhështia: “Pranverë, ç’bukuri” në sytë e shpirtit tim!
21/22 maj, 2012
Në vendlindje
LEJLEKU
(Ciconia ciconia)
Kur vjen shtegtari në folen magjike n’oxhaqet tona
s’është mysafir gnostik artis pranvera të hareshme
engjujtë ia ndrisin ninëzat nëpër netët dhe tevona
lejleku zbret cepit të kënetës me rrezet e herëshme
as nyjet e pengut, as njerëzve rrugën s’ua rrëfen,
ashtit as botën e brendshme fare s’ia njeh askush
Zogun e shenjtë kush parë se ka kur ik, as kur vjen
nëpër taluren e hënës i derdh lulenuset me push
plepat dhe laraskat ia përqeshin njollë fluturimin
lejleku – njeri me këmishën e bardhë krenohet
ai s’ka shëmbëllim para dritës e zgjon agimin
me diellin në sqep mbi çerdhe falet, shpuplohet
i paftuar nëse ndalet në ndonjë kulm të ri
pastaj lejleku harkon dhuratë lenë dashurinë,
kopshtijeve mbijnë sytha – ujitur nga i arti shi –
stinëve të gjelbërta buzëqeshja kaplon shtëpinë
ndër njëmijë zogj dallohet arie në largësi
shpresën e së mirës me të livadhet e shtojnë
fëmijët me sy si yje e thërrasin në lojë me mirësi
që ta bëjnë të rrojë nga zemra mikun e urojnë!…
E diel, 29 prill 2012
Në Shkup
USULNAME
(Libri i parimeve)
Nga kureshtja e zjarrit, zjarri dhe asgjë
Ndeshet me të stërëmblin parim të diellit,
Librin e parimeve e ruan lulja e elbët pa zë
Me nenin më të lartë – yjësia himn i qiellit.
Historia në mes të rreshtave ka gjëra intime
I shënon ëndërrat unji prekur nga thembrat
Ngjarjet e posaçme i qëmton deri n’përimtime
Le të ruhen fermanet për të gjitha zemrat…
Mendimet reale flasin për tkurrjen e visit
Gurmokra rrokulliset para ndjenjës me lot
– Pirgu i lartë le të ngulitet në shesh të fisit,
I shkruar me penë t’artë mos të harrohet dot!
Usulnameja s’ndizet me strall, as me bujë
Nuk vjen pa parime veç me vistër emrash…
– Kërshëritë e plakave i ndalon të bëjnë kujë! –
Nga rrënjë lisi buron qumësht për kurajë zemrash.
18 mars, 2012
Në Shkup
KOLASHINË
Verë për verë magjepsur në çdo verë,
Ndër kujtime si zogu kthehet secila stinë…
E gatshme pa shpjegim rrinte si përherë
– Magjja jonë lëvizëse – e vogla kolashinë,
E ngarkuar me thasë, me drithëra përsëri,
Qetë e vyeshëm të mbrehur ecnin ngadalë,
– Kolashinën e tërheqnin rrugës pa mërzi
Pse, babai shkëmbente vështrime pa fjalë?
Nëpër rrugën gjarpërore – makadam –
Mbi kolashinë rrinte një djalkë i thjeshtë.
– Rrotat boshtit lëviznin me rang e dang…
Etshëm shikonte imazhe me shall të leshtë
Mullisi gungaç priste, vetullat me paskaj’
Prej vitesh trokashka s’ndalej, i njejti avaz
Thasët i shkarkonin, radha vinte më pastaj…
Një tufë rosash hareshëm notonin mbi jaz.
Qetë e vyeshëm shikonin erën e marrë
I çmbrehnim nga zgjedha pa përtesë,
Përpara u venim dengje me sanë sa më parë,
Të dytë – babai – i puthte në ballë, për besë…
E premte, 20 maj 2011
Në Shkup
BJESHKA PA BAGËTI
Zemërak mbeta kësaj pranvere,
Duke ëndërruar sikur në fëmijëri…
Mësyva tëbanat e bjeshkës kësaj here,
– Për ta bërë stinimin me bagëti…
Oh, kot sytë i kullota në ato maje,
Barinjë me grigja s’gjeta as te mrizi!
Puhiza hapat mi bartte nëpër lugaje
Beft më ngjoku një gjemb murrizi!
Lotët e blertë derdhnin ato fusha
Gjithandej ku – unë – e rrita shtatin…
As cing këmbore, s’pash delet kallusha,
As shqerra, ç’qe kështu i shkruar fati?!
S’duron zemra – pa jehona fyelli,
Derdhen me pikëllim përrojet me suvale…
– Emrat e barinjëve i ka harruar pylli!
Pse pa bagëti mbetën të lashtat male?!
Amën e pashtershme krojet e kanë sydlirë,
Në zemrat e cemta ruajnë një fshehtësi…
– Grishin e thërrasin me valëza – zemërmirë –
Pranverën tjetër të mbushet bjeshka me bari.
E enjte, më 21 prill 2011
Në shkup
ÇATISI E HARRUARA
– Sirenës së purpurtë
Çatisi e harruara
nga ajri heshtak i agimit,
nëpër rrugën e shtendosur
me liburinë pa busullë dhe kohë avulli.
Ajo,
më e nxituara
kah shafrani dhe trëndafili i paprekshëm
Zemra e detarit,
dallëndyshe në breg – jasemin,
si karagjoz i mallëngjyrë pa lot
mbi humbellë që fluturon-kanionet.
Me krahun e plagosur,
udhëton me harresën si ndonjë erë e verdhë
çatis me grigjatë dhe beharblegërimat…
Çatisi me kumbanoret e diellit
e rrahura dhembjemadhe nga oqeani
i shqetësuar – tramundanë;
shfaqet vetëm një çast –
e gris maskën e të kënaqurit
kalon nëpër – fat – kapton ylberin
nën hënë të errët me dy xixëllonja,
me skërmitje dhëmbë ujkoje.
Me hap të padukshëm fluture
prej mëndafshi e reje, si kadifeje
engjulleshë e kësaj buzëmugëtire
mall përvëllonjës i pagjumësisë sime blu
nëpër dhiare pa emër hapëron
me bisturi floriri, e pashpirt, shakullimë.
Dëbora resh mbi flakë,
nata mbi dëborë që harron – rreze ylberi
e lëvarur në degë përpëlitëse
gjithmonë e përhapur, e flakëruar
ndrydhja e hijes së marrëzisë
larash i uritur nga pelini i mrrolshëm,
Ajo –
mbi mallin tim – ndrojtje
Ajo me bajrakun e fatit tim me thekët si opali
kurorë e rrallë manushaqeje, kaçunkë
secili diell – kupë e ndalur para meje
është një diell
plot me nisje triumfale:
“që ta shijojë frytin e pashpirtshmërisë.
Oh, pashpirtësia e saj papërdhoke
s’di pse gëzohet nga gëzimi!”
as lotët e bukurisë s’rrjedhin ujëvarë
e kthen mizorin, plagën e thellë ligatinë.
Kurorë lari e vetmisë
për përtritjen e natyrës në pranverë
(vangjelizmoi)
thellë e depërtuar në palëvizshmërin’e kohërave
E mirëpret verën fitimtare
me beriha madhështore të përleshjeve
e then heshtjen durimtare, qetësinë stoike
Ajo –
çliruese prej mureve, gardheve të blerta
si drita vërshuese fluturon mbi detet e drithërimës
ndërmjet të përmbyturave të shurdhëta
ndërmjet të shndërruarve tutje pyllit virgjër
Ajo –
ÇATISI E HARRUARA!
LETËR BABAIT
Në 52-vjetorin e vdekjes së tim eti,
tre kerberë bastard shqiptarë po ia
lëkundin eshtrat në varr.
Ti ike i panjollë kur fytyra ime s’kishte qime
O, zemërshkëmb emrin tënd ta kanë nxjerr në letër!!!
Çdo rrënjë kanë gërmitur thellë në botën time,
Kainët e lemerisë sillen vërdallë që nuk dijnë tjetër
Cok të përbaltin emrat demonët pa ngjyrë njeriu,
Turren në vrapim të parreshtur nëpër shtigje prore
Jagot, nëpër gulfa gjaku më helmërak se ariu –
Llurbëtirës shkrryhen për ca kërcij gaforre…
Që në pragun e qëndresës ua shurrë mëshirën!
– E kam shkrepur strallin nga palca e vetvetes…
Nga çanakët e punëdhënësit le ta pijnë dhe shëllirrën.
Unë biri yt besnik mbështetem në levën e vërtetës.
Përpanjat e fisit do t’i rris në amforë lashtësie,
Nga librat e shenjtë mësuam ç’kalvar pësuan profetët!
Të ligët me ligësi do t’i shoh në një shtrat lemerie –
Shën shëlbimet e tyre të verdha dot si vrasin poetët!…
Baba i dashur, në këtë letër thuhet e vërteta…
Satanët e lëngatës ngelin kurrë të pashërueshëm
Le të ndezin zjarr me eshtra gjakut nëpër epruveta,
Trishtili i vargut tim më del më i pranverueshëm…
Nga hiri si feniks flatrimet më mbushin frymë,
Kerberët lëkurën e tyre – ngrehin në daullet e veta…
– Me kokën lartë të pamaskuar me llohë e brymë!
Pash më pash do eci stinëve me këmbë të lehta…
Nëpër ngushtica të pjerrta le të fryejnë erëra,
Shekujt u gjunjëzuan – lisat bashkë kokëmëkokë…
Heu! Frymët e vdekura me ndjesat e tyre të ndjera!
Jam si këmbë e Anteut lidhshëm për këtë tokë!
N’agime të blerta dora e nënës shtrihet në magje,
Kur i shoh luciferët mbi rrogoza të leckosur…
Një uratë hyjnore vjen më futet nëpër vargje…
Të mjerët deshën të ngritën u zgjebën të nxirosur
Durim, bablok durim, prore mbetet për të rrëfyer.
Aristoteli foli: “… mos me u idhnue kur lypset, asht marri!” –
Ajme! Në këtë lëngatë kohe duan qenien time për ta thyer?
Me këngën e mjellmës – laraskat – trumbetojnë lapërdhi!…
Kerberët e dëshpëruar vërsulen në prushe të thekshme,
– Unë, as Perunit t’Madh s’ia vari kurrë torbën…
Vdektarët n’ëndërr fluturojnë me flatra të vdekshme,
Ujit të lumit Leta kerberët kokat t’i ziejnë lypin vorbën!…
E shtunë, e martë 11/14 gusht 2012
Në Shkup
TIM’ETI IA PRESIN LISAT
Tim’eti ia presin lisat – lisat e trashëguar,
mua më duhen – thotë – për trarë, kulmarë e dru! –
Ditë për ditë mali vjen duke iu rralluar
dhe i shkrep mallëngjimi sikur në qiellin blu.
Tim’eti ia presin lisat me të tëra mesazhet,
trungu pranë trungut rrinë të brengosur…
Ai ecën thellë i menduar, i shikon tatuazhet
i mbështetur ofshan, duhan tymos i mllefosur!
Niset ngadalë, i shtohet plagë e vjetër
me hapa e mat malin, oh ç’fat i mallkuar!
Nëpër lirishtë shikon vëngër, me një sy tjetër –
mos ka mbirë ndonjë lastar si fëmi’ i dëshiruar.
E shikon i përlotur lisin, atë më të gjatë,
e miklon duke i thënë: një stine kemi lerë:
“Po, i dashur për ty ëndrrova ditë e natë,
sa keq, e padukshme dorë të paskërka prerë!”
Thotë: më kujtohet, kam qenë çunak i përgjëruar
e ti – shpresa ime – bilonjë e hollë gjelbërimi…
– Për ty jam kujdesur me mirësi të tepruar! –
se doja të ndërtoja një urë durimi!?”
Aty ati im shpejtë u ndal i djersitur
ktheu shpinën – lajthishta pehaste me rezhda…
– O bir, mbaj mend mirë, s’je më i mitur,
dy hapa larg blirit – andej – është mezhda…
Tim’eti ia presin lisat, balli i nxjerr flakë…
Druvarët me mëkat apo pendesë nga bjeshka zbresin…
Ati im tha: “Se unë di të marr dhe hak!”, e
Mua më bëhet se babain tim ngapak ma presin!
E enjte, më 22 janar 2009
Shkup