Komisioni i Venecias, i quajtur me emrin qyteti ku mbahet, është një organ këshillues i Këshillit të Evropës, i cili zyrtarisht mban emrin e “Komisionit Evropian për Demokraci përmes Ligjit”. Ai përfshin subjekte të pavarura nga kombe të ndryshme, ekspertë të së drejtës kushtetuese.

Kontestimi i Gjykatës Kushtetuese për jo profesionalizëm dhe anshmëri si dhe kërkesa drejtuar Komisionit të Venedikut (Commissione di Venezia) lidhur me kompetencat e Presidentit të Kosovës sa i përket mandatarit dhe shpërndarjes së Kuvendit pas mocionit të suksesshëm të mos-besimit, janë shprehje e mosbesimit të Albin Kurtit ndaj Gjykatës Kushtetuese institucioneve të shtetit në përgjithësi!

Përgjigja e Komisionit të Venedikut është e qartë; “Pasi Gjykata Kushtetuese ka marrë vendim për vendosjen e masës së përkohshme deri më 29 maj, duke e pezulluar veprimin e Dekretit të Presidentit, dhe meqë Gjykata po e trajton këtë çështje, Komisioni i Venedikut rekomandon që të respektohet masa e përkohshme dhe vendimi final i Gjykatës Kushtetuese”.

Me këtë rast Komisioni i Venedikut e shprehu besimin dhe mbështetjen e plotë për Gjykatën Kushtetuese dhe profesionalizmin e saj.

Siq dihet, Komisioni i Venedikut e ka kundërshtuar kërkesën e Qeverisë për interpretimin e Kushtetutës, pasi e njëjta çështje është në pritje të interpretimit të Gjykatës Kushtetuese.

Për dallim nga Qeveria e shkarkuar e Albin Kurtit, Komisioni i Venedikut e vlerësoi lartë punën e Gjykatës Kushtetuese duke i dhënë mbështetje të plotë në marrjen e vendimeve të pavarura dhe profesionale.

Përderisa Komisioni i Venedikut dhe ambasadorët e shteteve të “Quintit” i respektojnë vendimeve të Gjykatës Kushtetuese, do të ishte paradoksale mos respektimi i vendimeve të kushtetueses nga cilido subjekt apo lider i yni partiak!

Përveq Venecias që a e dha rekomandimin e qartë, së fundi edhe ambasadori i Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë, Nicholas Abbott, ka sugjeruar, që vendimi i Gjykatës Kushtetuese duhet të jetë profesional, i pavarur dhe i pandikuar nga subjektet politike.

Përderisa “qeveria në ardhje”, gjegjësisht shumica parlamentare në Kuvendin e Kosovës tashmë janë deklaruar pro-pranimit të çfarëdo vendimi të Gjykatës Kushteuese, pakica parlamentare (VV) apo më mirë me thënë ‘qeveria e shkarkuar’ ende nuk është qartësuar, nëse do e pranoj verdiktin e Kushtetutës, përveç gatishmërisë për të pranuar vetëm opsionin që i konvenon, pra atë të shkuarjes në zgjedhje!

Sikurse vendimi i përkohshëm, ashtu edhe ai final mund të jetë i ndikuar vetëm nga situata epidemiologjike, por jo edhe nga interesat e partive politike, prej asaj se kush dhe sa do të fitoj nga vendimi i kushtetueses.

Të gjitha palët janë pajtuar me vendimin e përkohshëm të kushtetueses për të përfituar kohë dhe për të mos rrezikuar gjendjen shëndetësore të qytetarëve të vendit.

Meqë është kështu, vetëm Gjykata Kushtetuese e ka të drejtën e konstatimit të ligjshmërisë së dekretit të Presidentit të Kosovës për mandatarin e ri pas rrëzimit të ‘Qeverisë Kurti’.

Pra, se a ishte i ligjshëm apo në kundërshtim me Kushtetutën dekretimi i Avdullah Hotit, do të mësojmë pas verdiktit përfundimtar të Gjykatës Kushtetuese.
Deri atëherë, liderët e partive politike duhet të tregohen të përmbajtur në deklaratat publike rreth verdiktit final të kushtetueses.

Vendimi i Gjykatës Kushtetuese, për pezullimin e dekretit të Presidentit ka qetësuar shpirtrat e trazuar dhe ka ngjallur shpresat për një zgjidhje sa të drejtë, po aq të arsyeshme, në përputhje me momentumin politik dhe epidemiologjik nëpër të cilin po kalojmë si shtet dhe si shoqëri njerëzore.

07.05.2020