Kosova po përballet me dy kriza, por kriza më dëshpëruese është ajo e cila vjen nga politika e papërgjegjshme, e cila ka dështuar të jetë në nivelin që e kërkojnë rrethanat
Kosova po kalon nëpër dy kriza: atë shëndetësore, me pasoja për shëndetin dhe jetën e njerëzve dhe atë politike – me pasoja për ardhmërinë e vendit. Përderisa kriza e parë është e imponuar nga jashtë, si një deus ex machina, e dyta është motivuar dhe zhvilluar brenda. Përballja me këto dy kriza e vë në sprovë çdo qeveri, por, në rastin e Kosovës, sprova është e shumëfishtë.
Jo vetëm për faktin se aktualisht kemi një qeveri në detyrë, por edhe për shkak të kompleksitetit të skenës politike kosovare, e cila është me mjaft kundërthënie e armiqësi të brendshme, këto kriza në të shumtën e rasteve gjejnë pikëtakime, duke e ushqyer njëra -tjetrën me çështje që e bëjnë jetën tonë edhe më të padurueshme.
Pandemia globale në gjithë botën po trajtohet me mjetet që i kanë në dispozicion shtetet dhe qeveritë e ndryshme. Në Europë dhe në rajon tashmë janë bërë publike strategjitë për rikthimin e gjendjes normale, duke paralajmëruar hapjen graduale të bizneseve e të veprimtarive që janë të domosdoshme për jetën e qytetarëve, por pa e rrezikuar shëndetin e tyre.
Për rrjedhojë, edhe BE ka hartuar planin për hapjen graduale, pas izolimit më shumë se një mujor. Plani parashikon tri faza. Faza e parë ka filluar më 14 prill, me hapjen e bibliotekave dhe të kioskave. Ka vazhduar më 18 prill, me rihapjen e ndërmarrjeve bujqësore dhe industriale. Më 4 maj ka rinisur lëvizja e njerëzve, por me maska dhe duke mbajtur distancë sigurie me njëri-tjetrin. Më 4 maj gjithashtu janë hapur dyqanet e mëdha të tekstileve, mobileve dhe veshjeve por jo qendrat tregtare. Më 11 maj do të hapen gjykatat dhe zyrat profesionale. Baret, restorantet dhe veprimtaritë tjera të hotelerisë do të hapen më 18 maj, por klientët duhet të respektojnë distancën mes njëri-tjetrit. Më 25 maj mund të rifillojnë punën parukeritë dhe berberët, por me maska dhe me një klient të vetëm. Më 31 maj do të rifillojnë kampionatet e futbollit dhe garat e sporteve tjera kolektive, ndërsa më 8 qershor do të rihapen qendrat sportive, por vetëm për sportet individuale. Në shtator të këtij viti shkollat e mesme do të rihapen me turne dhe me mësime në internet. Ende nuk është vendosur për çerdhet dhe shkollat fillore. Në dhjetor parashikohet hapja e kinemave dhe e teatrove. Në mars 2021 do të hapen diskotekat dhe stadiumet, ndërsa më 31 mars të vitit të ardhshëm parashikohet edhe rihapja e kufijve dhe përfundimi i të gjitha kufizimeve të deritanishme.
Ky është një plan që mund të ndryshojë në varësi të situatës e në konsultim me ekspertët, duke parë ecurinë dhe mbarëvajtjen e gjendjes shëndetësore në terren.
Edhe Kosova do të ndjekë ritmin e shteteve evropiane sa i përket rikthimit të gjendjes normale, kështu që, siç është paralajmëruar, heqja e kufizimeve do ta bëhet në tri faza. E para, nga 4 maji deri më 18 maj, që nënkupton shtimin e kohëzgjatjes së lëvizjes nga 1.5 deri në 3 orë, hapja e ndërtimtarisë, zyrat e konsulencës, bizneset e vogla. Faza e dytë do të fillojë më 18 maji dhe do të zgjasë deri në 1 qershor, ndërkohë që masat e reja relaksuese do të varen nga rekomandimet e IKSHPK-së. Nëse nuk ka rritje të numrit të rasteve të të infektuarve me Covid-19, atëherë do të ecet përpara. Nëse ka infektime atëherë sigurisht institucionet shëndetësore do të jenë të detyruara ta rikthejnë gjendjen e mëparshme.
Pra, siç po shihet, kriza shëndetësore po arrin të mbahet nën kontroll, ndonëse, në situata të tilla emergjente, ka edhe njerëz të pakënaqur. Por, ka edhe të tjerë që në këtë situatë duan të përfitojnë ndonjë poen të lirë politik. Aktualisht, kjo e fundit po ndodh pas vdekjes së një 26 vjeçari nga Gjilani, e cila ka ngjallur reagime të shumta ndaj kryeministrit në detyrë Albin Kurti dhe ministrit në detyrë të Shëndetësisë, Arben Vitia. Sipas partive politike të bllokut kundër Vetëvendosjes, përgjegjës për vdekjen e 26 vjeçarit janë Kurti dhe Vitia, të cilëve po u kërkohet të japin dorëheqje. Duke e parë këtë vale të madhe të kritikave dhe akuzave, ministri i Shëndetësisë Arben Vitia ka deklaruar se edhe e ka menduar dorëheqjen.
Por, a është koha që energjitë politike të shpenzohen në një rast fatkeq si ky, i cili ende nuk është ndriçuar dhe hetuar deri në fund dhe përgjegjësia eventuale mund të kufizohet në persona apo institucione të caktuara që kanë bërë lëshime, por jo edhe në krerët e institucioneve qeveritare.
Kur jemi te ky rast është për t’u admiruar apeli i kryetarit të Gjilanit, Lutfi Haziri, i cili kërkoi që kjo tragjedi të mos politizohet dhe. me të drejtë, kërkoi edhe hetim edhe përgjegjësi.
Roli i opozitës është të korrigjojë veprimet e pushtetit, prandaj jo rastësisht është thënë se pushteti moral i një populli është opozita. Mirëpo, jo gjithmonë opozita duhet të luajë në kartën e korrigjuesit, kur situatat nuk janë normale dhe në kushte të atilla kur as parlamenti nuk funksionon. Çfarë efekti do të kenë sjelljet e tilla të opozitës, kur në shumë shtete demokratike të botës opozita i ka ulur armët dhe është bashkuar me pushtetin për t’i luftuar sfidat me të cilat ballafaqohen?
Sigurisht që në kohët më të mira që do të pasojnë do të ketë hapësirë edhe për kacafytje partiake, sepse gara politike ka kuptim vetëm në kushte normale.
Jehona e grindjeve politike të Kosovës ka mbërri edhe në dyert e Europës. Zyrtarë të ndyrshëm në Bruksel dhe në Strazburg kanë shprehur disa herë shqetësimet e tyre mbi përmasat e kësaj situate kaotike politkke në Kosovë. Raportuesi i Asamblesë Parlamentare i Këshillit të Evropës (APKE-PACE dhe deputeti gjerman i PE-së, Peter Beyer, bie fjala, ka kërkuar përgjegjësi politike dhe sundim të ligjit në Kosovë në kohë të pandemisë dhe të krizës politike që po mbretëron në vend. Ai ka thënë se populli i Kosovës është goditur rëndë nga kriza e shkaktuar nga koronavirusin, sikurse edhe shumë vende të tjera në botë, ndërkohë që i ka mirëpritur koordinimet e kohëve të fundit ndërkomunitare dhe ndërkufitare, si edhe solidaritetin e treguar mes profesionistëve kryesorë shëndetësorë dhe zyrtarëve, përtej dallimeve etnike dhe politike.
Por, politikani gjerman nuk ka lënë pa përmendur edhe situatën politike në Kosovë. Sipas tij, Kosova gjendet edhe në mesin e një krize politike e kushtetuese që nga rrëzimi i Qeverisë me votë mosbesimi, në fund të marsit, pikërisht në kohën kur po shqpërfaqej kriza e Covid -19.
“Në këtë situatë dramatike është qenësore për të ardhmen e Kosovës dhe popullit të saj të sigurohen kontrollet dhe pushtetet (balancimi i pushteteve). Kjo vlen në veçanti për një Kuvend plotësisht funksional dhe për një sistem të pavarur gjyqësor kushtetues”, tha Beyer.
Nëse në ditët e javët në vazhdim do të gdhijë një ditë e bukur, pa pandemi, çka mund të thuhet për ekonominë, e cila ka përjetuar goditjen më të madhe që prej krizës globale financiare të vitit 2008. Parashikimet e ekspertëve thonë se ekonomia e Kosovës do të humbë deri në 500 milionë euro, si pasojë e pandemisë me Covid-19, ndërkohë që pas përfundimit të pandemisë dhe largimit të masave kufizuese, rimëkëmbja ekonomike do të varet shumë nga masat ekonomike të ndërmarra gjatë dhe pas pandemisë.
Kosova, për fat të mire, ka një nivel të ulët të borxhit publik në raport me BPV-në, gjë që mundëson fleksibilitet për sa i përket pakos së rimëkëmbjes, por pasojat e krizës shëndetësore mbetet të shihen në një të ardhme jo të largët, pasi të jetë skenuar gjendja e përgjithshme në të gjithë sektorët ekonomikë.
Krejt në fund: Kosova po përballet me dy kriza, por kriza më dëshpëruese është ajo e cila vjen nga politika e papërgjegjshme, e cila ka dështuar të jetë në nivelin që e kërkojnë rrethanat. Po del që pandemia politike të jetë më e dëmshme se Covid-19, kurse gjetja e terapisë për këtë lloj pandemie mbetet sfida më e madhe në të ardhmen.
Prishtinë, 6 maj 2020