Pse gjatë izolimit po ulet ankthi te disa njerëz?

Ideja që pandemia e koronavirusit mund të ketë disa gjëra që mund të na ndihmojnë të jetojmë një jetë më të mirë, mund të duket pothuajse e paimagjinueshme përballë shkatërrimit dhe vdekjes që ajo ka shkaktuar deri më tani.

Dhuna në familje është rritur, familjet e varfra po përjetojnë përkeqësimin e pasigurisë ushqimore. Edhe ata me të ardhura më të qëndrueshme po hasin vështirësi.

Siç e tha akademikja Cynthia Enloe: “Ne nuk jemi të gjithë së bashku në këtë. Jemi në të njëjtin det, por jemi në anije shumë të ndryshme. Dhe disa nga varkat fusin ujë. Dhe disa nga ato anije kanë motorë më të fuqishëm. Ne nuk jemi të gjithë në të njëjtën varkë”.

Ka disa fije shprese

Megjithatë, në gjithë errësirën ka pasur disa fije shprese. Për disa nga ata fatlumë që kanë një ambient shtëpie të sigurt dhe nga i cili ata mund të punojnë.

Njerëz me probleme të shëndetit mendor kanë raportuar se ndihen shumë më mirë që nga fillimi i bllokimit. Daisy Fancourt po udhëheq një ekip në University College London, në një studim për të parë ndikimin psikologjik dhe shoqëror të pandemisë së koronavirusit.

Deri më tani, rezultatet e anketave të mbi 74.000 njerëzve kanë treguar se, megjithëse kishte një rënie fillestare të lumturisë para fillimit të bllokimit, mirëqenia është rritur gjatë javëve të fundit dhe nivelet e ankthit kanë rënë si për njerëzit me probleme ekzistuese të shëndetit mendor, si dhe atyre pa probleme ekzistuese.

Ndërsa ekspertët thonë se prirja mund të ndryshojë në ditët e ardhshme pasi bllokimi vazhdon, edhe pse nivelet e ankthit gjithmonë janë më të larta për njerëzit me sëmundje mendore, sesa për ata pa probleme të shëndetit mendor, gjetjet e studimit janë intriguese.

Kjo rënie e ankthit mund të jetë e përkohshme, por arsyet prapa saj ia vlejnë të hulumtohen.

Jasmine Cooray është një këshilltare që punon me njerëz që vuajnë nga ankthi dhe depresioni. Ajo ka vërejtur se “lehtësimi i masave të izolimit” ka rritur përsëri ankthin te njerëzit që kanë nivele të larta të presionit të brendshëm.

Kohë pasigurie

Në pasigurinë e këtyre ditëve, e vetmja gjë e qartë është që ne po përballemi me një urgjencë shëndetësore të paparë në numër dhe forma. Një nga pasojat është izolimi social, i cili duket se është garancia e vetme efektive për të parandaluar infeksionin e mundshëm.

Si mund ta trajtojmë atë nga një këndvështrim psikologjik? Në një kohë pasigurie si kjo, perceptimi ynë për ngjarjet është përgjithësisht negativ dhe kjo mund të shkaktojë ankth dhe shqetësim. Është e nevojshme të mos i japim trurit tonë mundësinë për të hyrë në një të ardhme të mbushur me dyshime dhe pyetje, por të sigurohemi që të përballemi me të tashmen në një mënyrë pozitive. Jemi përballë një periudhe historike të pashembullt dhe duhet domosdo të përshtatemi me rregullat e reja të jetës që duhet të ndjekim.

Në këtë proces të adaptimit, duhet të mbajmë në mendje se disa vendime nuk janë nën kontrollin tonë, por janë “imponuar” nga COVID-19: prandaj nuk duhet të ndihemi fajtorë nëse nuk mund të jemi pranë anëtarëve të familjes sonë, ose nuk kemi qenë në gjendje t’i themi lamtumirë atyre që na kanë lënë.