Izolimi ka ndihmuar rrjetin e famshëm social të rritet. Përveç videove të shkurtra argëtuese, mund të gjeni edhe clip-e të profileve autoritare si OBSH, që azhurnojnë përdoruesit mbi ecurinë e koronavirusit dhe veprimet që duhet të zbatojnë.

TikTok, rrjeti i njohur social për krijimin e videove, i dashur veçanërisht nga gjenerata Z, ka kapërcyer kuotën 2 miliardë shkarkime. Këtë e bëri të ditur shoqëria e njohur për analiza, Sensor Tower, e specializuar në monitorimin e ecurisë së aplikacioneve në lidhje me shkarkimet dhe fitimet në platformat Android dhe iOS. Që kur nisi aktivitetin në janar, Sensor Tower ka zbuluar për Tech Crunch që asnjë aplikacion tjetër – përveç Facebook, WhatsApp, Messenger e Instagram nuk ka arritur ndonjëherë të regjistrojë këtë shifër.

 

Rekord falë karantinës

Rritja ka qenë befasuese veçanërisht në tremujorin e parë 2020, që u mbyll më 31 mars. Në këtë hark kohor, TikTok është shkarkuar 315 milionë herë, numri më i lartë i regjistruar ndonjëherë nga ndonjë aplikacion në tre muaj. Në të njëjtën periudhë, WhatsApp ndalet në 250 milionë shkarkime.

India është vendi që kryeson për instalimin e TikTok, me 611 milionë shkarkime të aplikacionit, ose 30,3% të totalit. Kina renditet në vend të dytë, me 196 milionë shkarkime deri më sot, ose 9,7% të të gjithë shkarkimeve, në versionin e saj të aplikacionit, i njohur si Douyin. Shtetet e Bashkuara të Amerikës plotësojnë tre vendet e para në lidhje me shkarkimin e aplikacionit, 165 milionë instalime, ose 8.2%.

TikTok është shkarkuar deri më sot 1,5 miliardë herë në Google Play ose 75,5% të totalit. Ndërkohë, në App Store regjistrohen 495,2 milionë shkarkime, ose 24,5%.

Pavarësisht se TikTok ishte në rritje konstante që para vitit të ri, nuk ka dyshime që izolimi – si masë për të ndalur përhapjen e koronavirusit – ka ndikuar në këtë rezultat në tremujorin e parë. Me shkollat e mbyllura, shumë të rinj, të detyruar të qëndrojnë në shtëpi, janë vërshuar drejt aplikacionit kinez. TikTok ofron një hapësirë, edhe pse virtuale, për t’i shpëtuar monotonisë dhe rregullave të izolimit.

Ajo që e dallon nga gjithë aplikacionet e tjera është përdorimi i tij në shtëpi. TikTok është aplikacioni ideal për të kaluar ditët në shtëpi, duke regjistruar video nga çaste argëtuese me familjarët. Kjo ide mbështetet edhe nga David Nichols, nga Universiteti i Melburnit i cili shpjegon për “The Guardian” se “prej kohësh ka qenë platforma për adoleshentët që qëndrojnë në shtëpi, tani kjo gjendje i përfshin të gjithë”. TikTok, për shumë përdorues të saj adoleshentë, është rrjeti social që i përfaqëson më shumë, ndryshe nga Instagram i cili cilësohet prej tyre sipërfaqësor.

I dobishëm edhe për t’u informuar

Por TikTok nuk është veç një aplikacion për t’u argëtuar, por edhe për t’u informuar. Me përhapjen e pandemisë, rrjeti social është shndërruar në një hapësirë për të promovuar edhe sjelljet e duhura gjatë izolimit. Organizata Botërore e Shëndetësisë, për shembull, ka hapur një profil për të ndihmuar përdoruesit që të qëndrojnë të përditësuar.