Pas vetëvrasjes tragjike të Agon Musliut, akuzave të opozitës kundër qeverisë Kurti, për antiamerikanizëm, serbofili dhe autoritarizëm, iu shtuan edhe ato për nekropolitikë (politikë e vdekjes).

Nuk ka dyshim që kemi të bëjmë me një taktikë djallëzore të përdorimit të një vdekjeje shumë të dhimbshme, si mjet për të fituar kapital politik. Ky veprim dëshmon që pushtetmykurit e Kosovës i ka braktisur ҫdo ndjenjë humane, ҫdo etikë dhe moral njerëzor.

Ata, në ndërgjegjen e të cilëvë rëndojnë vetëvrasjet e dhjetëra ushtarvë të UҪK-së, pa mbajtur kush përgjegjësi, qoftë edhe për një rast të vetëm; ata, që akuzohen për vrasjen e Astrit Deharit, pa mbajtur kush përgjegjësi morale, politike, ligjore jo e jo; ata që rrëmbyen 6 qytetarë turq për t’i dërguar drejt vdekjes apo burgimeve të përjetshme të regjimit të Erdoganit, pa u ndëshkuar kush, pavarësisht shkeljes së hapur të kushtetutës sonё dhe konventave ndërkombëtare për mbrojtjen e të drejtave të njeriut, të paktën, duhet të gjejnë forcë për të heshtur. Para se të kërkojnë shfaqjet e nekropolitikës tek të tjerët, ata duhet t’i shohin tek vetja e tyre.

Ajo që duhet të bëjmë të gjithë ne, bashkërisht, është që t’i lëmë organet e drejtësisë të bëjnë punën e tyre, në mënyrë të pavarur dhe ato të vendosin për përgjegjësitë ligjore të secilit, nëse ka, për shkallën e saj dhe ndëshkimin e fajtorëve. Përcaktimi i përgjegjësisë ligjore i hap rrugën ndëshkimit politik, për të cilin vendos subjekti përkatës dhe populli me votën e tij, në zgjedhejt e radhës.

Në këto momente të dhimbshme, të gjithë ne duhet t’u gjendemi pranë prindërve që humbën djalin e tyre të vetëm. Ngushëllimet më të thella familjes, të afërmve dhe miqve të tij.

Largimi i parakohshëm i Agonit është humbje e dhimbje për ҫdo vatër kosovare. Ngushëllime Kosovë për vdekjen e Agon Musliut.