Autoritetet në Kosovë shpalosën të enjten planet për lehtësimin e kufizimeve për lëvizjen e qytetarëve dhe hapjen e disa bizneseve, pas rënies së numrit të të prekurve nga COVID-19.

Në një konferencë me gazetarë, ministri i Shëndetësisë në detyrë, Arben Vitia tha se për herë të parë për tri ditë radhazi, numri i të shëruarve tejkalon numrin e të infektuarve dhe ky është, sic tha ai, një pëprarim i rëndësishëm që mundëson lehtësimin e disa masave.

“Faza e parë do të fillojë më 4 maj, pra të hënën dhe planifikohet të vazhdojë deri më datën 18 maj. Gjatë kësaj periudhe do të zgjerohet orari i lëvizjes së qytetarëve nga 1.5 në 3 orë në dy orare, paradite dhe pasdite. Brenda këtyre dy orareve jemi përkujdesur që secila kategori të ketë mundësi të kryej të gjitha shërbimet e nevojshme. Gjithashtu hapen këto pjesë të ekonomisë; ndërtimtaria dhe patundshmëria, tregtia e automjeteve pjesërisht, tregtia me pakicë shumica e tyre, riparimi i artikujve personal dhe orendive, zyrat e konsulencës me listën e stafit esencial”, tha ministri Vitia. /VOA / Leonat Shehu /