RRUGË TË VËRBUARA…

 

U zgjova herët  ditën e fundit të javës

Retë e kuqe udhëtonin qiellit të kaltër

Rrugë do bëja, i kisha thënë vetës

Këmbëve u kishte ardhur dëshira e vjetër

Dëshirë për lodhje e shlodhje humbëtirave

Eshtrat duan të loznin me  forcën

Sa e durojnë zjarrminë e gacave

Shputat therjen e therrave  rrugëve

Sa e duroj etjen kur thahet edhe gjuha,

E terrohen dritat e syve…

 

Alveola kishte tretur shikimin, përgjonte

Psherëtimat si melos i këngëve t ‘harruara

Rrugëve të vuajtjeve gjithmonë

Këndoja në heshtje, me vajet e shpirtit

I flisja vetës  me ngërmim, sertshëm

Kur humbja rrugën mu në mes të rrugës

Si i verbri me shkop në dorë

Pastaj më vinte të çaja me  dënesje

Sa t’i çmendja edhe zanat e malit

 

Ecja rrugëve si lindak i harruar në baltë

Kuptimet pa dashje treteshin  në erë

Të hutuara kafshimeve në pabesi

Sikur  tërhiqeshin zvarrë fijeve të jetës

Nga gravitet dashurie mashtruese

 

Vështrimi ishte ngrirë në dritën e hënës

Me faqe të mbështetur luginave të natës

Zverdhur si fytyrë e njeriut të vdekur

Pa komunikuar për asnjë shtegdalje

Ishte bërë grumbull mosdurimi

Për t’ia krisur këngës së përgjakur venave

 

Përfytyrimet mjeshtëronin kujtesën

Shikoja kërcimin e ashklave larg

Rrugët rrokulliseshin rruzullit

Loznin apo lotonin, nuk e dalloja

Në kërkim të fatit të lodhur kotësive

 

Qenka e padurueshme flaka në zemër

Kur zjarrin nuk mund ta ndalësh

Shikon si cung i djegur vargjeve

Tymon e nuk flet

Vonë u ktheva në shtrofullën time

Tepër i dërmuar……

 

I DEHUR NË DHOMËN TIME

 

Kaluan shumë ditë i vetmuar

Në dhomën e ngujimit i pa dënuar

Shikoja gjithë shoqerinë time,miqtë

Në imagjinatë cakrronim gotat e verës

Bënim shaka,në dhomën time të vogël

Shtrati ishte gërditë nga kollitja e natës

Tavolina kishte ndrërruar ngjyrën e parë

Karrika vet kishte thyer këmbën përplasjeve

Në tre këmbë kishte mbetur si ajo në Xhenevë

Nuk çalonte,rrinte e ngulur,e dehur tapë

Si unë ditën e natën,njësoj

Ngatrresat e shpirtit nuk më linin të qetë

As fjetur as zgjuar,as lidhur as zgjidhur…

Dyluftim kërkonin mendimet me njeriun e sëmurë

Të cilit mjekët ia mkishin komunikuar vdekjën

-Shëtit botën,bënë çef,rri burrë i buzëqeshur

Vdekja e mirë është vazhdim i jetës tjetër,

Kishin folë do zëra e pastaj ishin tretur…..

 

Në dhomën time një luftë vazhdonte

E dhoma tymonte nga avull shpirti

Erë alkooli,tym duhani, mjegullnajë

Kërkesë i  shtroja shpirtit qejfli…

Doja fjalën e fundit t’ia nxirrja

Ta shpoja atë kodër malli si zjarrë i mbuluar

Në pëshpëritje ndihej flladi që miklon

-Vetëm dashuri, qëndresë e durim të kesh

Si fishkëllimë një zë jehoi,pastaj u tret

Dritarja e vogël kah rruga cijati

Ajo tani hapet e mbyllet  vetvetiu

Unë ika nga ngujimi i vetmisë

Fluturoj,Fluturoj, Fluturoj

Në hapësirë…..

 

Gjakovë,

prill.2020