Ballina Histori QËNDRO, SHQIPËRI! – Nga Frank Shkreli – Amerikë

QËNDRO, SHQIPËRI! – Nga Frank Shkreli – Amerikë

 

25 Prilli, 2020 shënon 27-vjetorin e vizitës së Papës Gjon Palit II në Shqipëri.  Vizita e Papës në Shqipëri, 27-vjet më parë, ishte një datë historike — dhe për brezin që ishte dëshmitar i asaj vizite do të mbetet përgjithmonë e paharrueshme, për një kohë të gjatë, për ta dhe për Kombin shqiptar.  Papa Gjon Pali i II, me atë rast, “shkeli në tokën shqiptare, duke e puthur e bekuar truallin e nepërkëmbur të shqipeve”, komenton radio Vatikani, duke shënuar këtë ditë historike në historinë e Kombit shqiptar dhe të marrëdhënieve të tij shekullore me Vatikanin.

Ajo vizitë ndodhi pas një dimri të gjatë e të egër nën regjimin ateist të komunizmit.   I vetdijshëm dhe i mirë informuar për gjëndjen e shqiptarëve, nën pothuaj gjysëm shekull komunizëm, në vizitën e parë të një Pape në Shqipëri, me 25 Prill, 1993, Papa Gjon Pali i dytë, e cilësoi vizitën e tij në Atdheun e shqipeve, si “Një ditë që na e dhuroi Zoti”.  Ishte gjithashtu një ditë, që sadopak mundi të bindëte shqiptarët se bota nuk i kishte harruar ata, me gjithë vet-izolimin e Shqipërisë komuniste nga pjesa tjetër e botës, e sidomos izolimit nga Perëndimi, për pothuaj gjysëm shekulli.

Kudo që shkoi dhe me këdo që u takua, gjatë asaj vizite, Papa Gjon Pali II vetëm shprehi dashurinë, mirëkuptimin dhëmbjet e tij për vuajtjet dhe për martirizimin e njerëzve të pafajshëm gjatë periudhuës së komunizmit, ndërkohë që vuri në dukje edhe fisnikërinë e shqiptarëve tani dhe gjatë historisë, si popull e si komb.  27-vjet pas vizitës së Papa Gjon Palit në Shqipëri, kujtojmë fjalët e tija dashamirëse drejtuar shqiptarëve: “Ty o popull fisnik shqiptar, ta drejtoj përshëndetjen time të ngrohtë dhe të dashur!  Gjatë një dimri kaq të ashpër dhe të lodhëshëm vuajtjesh dhe provash, Kisha heroike në Shqipëri, e tronditur nga persekutimi i rëndë dhe i gjatë, por e pasuruar nga dëshmia e martirëve të saj, ka ndarë deri në pikën e fundit dhimbjet dhe shpresat e Kombit, duke mbajtur të gjallë dhe me sakrificën personale të shumë anëtarëve të saj, traditën e lashtë të krishterë, me bindjen se ajo përfaqëson një vlerë të përhershme të identitetit autentik shqiptar”.

Me të drejtë, Radio Vatikani e ka cilësuar vizitën e Papa Gjon Palit II në Shqipëri, jo vetëm si historike dhe të paharrueshme, por edhe si fillimi i një shprese, që nuk zhgënjen.  Vizita e Papës Gjon Palit më 1993 në tokën arbërore, megjithë historinë e persekutimeve të regjimit komunist ndaj kundërshtarëve të tij, qofshin ato për arsye fetare ose politike, tregon se gjithçka ngjallet e përtërihet.

Duke dëshmuar entuziazmin e shqiptarëve për demokraci në fillim të 1990-ave, ai u tha shqiptarëve se, “Në çiltërsinë tuaj pashë guximin e një demokracie të re, të një demokracie që po ecën me hapa të sigurta drejt lirisë, pas sa vitesh të pafund dhe të errët të një diktature dhe të ateizmi mbytës”.  Por, me atë rast, Papa Gjon Pali II pati edhe një porosi për shqiptarët, një amanet që është aq aktual edhe sot, ndërkohë që për arsye dhe rrethana krejt të tjera, Shqipëria, Kosova, shqiptarët në përgjithësi dhe bota mbarë, po kalojnë nepër një periudhë tepër vështirë e dramtaike, si përfundim i përhapjes së koronavirusit, në mbarë planetin:“Shqipëri qëndro në lartësinë e detyrave që të presin”, e thirrja për kujtesën e përhershme: “të mos harrohet e kaluara, por të shikohet e të ndërtohet me guxim e ardhmja”, ”kjo liri e besimit fetar, të cilën ju më në fund po e shijoni, nuk është vetëm një dhuratë e çmuar e Zotit për ata që kanë hirin e fesë, por është një dhuratë për të gjithë, sepse liria e besimit në Perëndinë është themeli i garancisë për çdo shprehje të lirisë.Ajo prek njeriun në intimitetin e vet, në atë pikë të shenjtë dhe të padhunueshme që është ndërgjegjja, ku qenia njerëzore takohet me Krijuesin dhe fiton ndërgjegjësinë e plotë të dinjitetit të vet.  Nga një liri e tillë, e trajtuar ashtu siç duhet, nuk ka përse t’i trembemi asnjë çrregullimi shoqëror”, ka porositur Papa Gjon Pali II, gjatë vizitës së tij në Shqipër me 25 prill, 19, dhe ka theksuar se, sado të vështirat qofshin sfidat ato janë më të lehta për tu përballur me, kur sipas tij,”Siç na mëson edhe feja: nëse kemi një Krijues të përbashkët, që të gjithë jemi vëllezër”, është shprehur ish-udhëheqsi i Kishës Katolike.

Në këtë përvjetor të vizitës së Papa Gjon Palit II, të dates 25 prill, 1993 le të kujtojmë porositë e asaj dite të paharrueshme, si tejet aktuale edhe përball realitetit të sotëm shoqëror të vendit dhe për aktualitetin e sotëm politik e shoqëror.  Ç’rregullimet politike, shoqërore dhe shëndetsore — përfshir edhe epideminë e koronavirusit, gjithëçka është më e lehtë për tu përballur me to, nëqoftse përballë këtyre sfidave sillemi si vëllezër dhe në bashkpunim me njëri tjetrin, siç porosiste Papa Gjon Pali II, 27 vjetë më parë në Shqipëri.   Kjo është e vetmja mënyrë për të ulur tensionet aktuale politiko-shoqërore në botën shqiptare dhe për të hapur shtigje të reja drejtë një demokracie të vërtetë, si në Shqipëri ashtu edhe në Kosovë.  Ashtu që, shqiptarët, “të fluturojnë sa më lartë si shqiponjat, që nuk e lenë kurrë folenë e tyre”, — sipas fjalëve që Papa aktual – Papa Françeskut – deklaroi gjatë vizitës së tij në Shqipëri vite më vonë.  “Shqipëri, qëndro në lartësinë e detyrave që të presin”, sepse gjithçka ngjallet dhe përtërihet.