Mos më kërko
që të flas për ca rrudha në atë fytyrë engjëllore!
Mos më kërko
që të mas në skenë a në foltore hapat e tu të matur!
Lermë
të fshij nga qerpiku lotin e gazit që derdhet si përroi në shpatet malore
e mos ia vër
lesën e drunjtë myzeqare kalërimit të ëndrrës së përflakur.
Me ty
psherëtimat e kohërave i kam parë në skenat magjike
Doja
dhe tre jetë të jetoja me trastën e fjalëshqipes në kohëra
oo,
ti mbete bahçevane në kopshtet e zemrave si rreze drite
mbolle
këngë lumturie e agimeve iu dhe njëqind kurora.
Ti
na bëre
karvanarë dashurie nën ullinj a pas trungje lisash
Ti na dhe shijen e vërtetë të kripës në kafshatën e bukës
E prapë
si kapedane zonjëron mes blerimeve e harqe vetëtimash
e një dhimbje më pak
na
vjen në ditën që prekim me trishtimin e mbushur.
Oh, mjeshtre
më margaritare se emri diellor që të bie në supe
harresa
teratiset larg honeve si orteku me forcë e mister
Aty
brenda buzëqeshjes tënde si polen e lulëkuqe
Aty
bëhemi rrëfyes
e flasim për Farin që e duam në breg.
Aty
të ulemi e t’i biem këmbanave jo si Kuazimodo Parisi
\Aty
ia vlen të ecësh qoftë dhe këmbëzbathur në shtigje
Baladat
të bëhen gurë bedenash e për fëmijët ninulla gëzimi
ugaret
e shpirtërave me ty marrin kurora fisnikërie