Është tronditëse kjo që po ndodhë me mua! Pas dy mujësh karantinimi së bashku me familjen time në Zvicër, nën asistencën shëndetsore, diçka që ua dëshmova me dokumenta, më pengojnë të vij në Kosovë! Jam unë që rrezikoj duke ardhur në vendin tim nga Zvicra, një sistem kujdesi shëndetesor i përparuar, por dua të respektoj votën e qytetarit për mua!

Ju qeveritarë të Kosovës, kështu do bëni dhe me diplomatë zviceranë a perëndimorë që mund të vijnë në Kosovë? Do t’i karantinoni? Kush e bën këtë? Po e bën një qeveri te cilën unë e kam votuar! Për më shumë nuk kam votuar as mocionin për rrëzimin e saj!

Kjo qeveri sot në mënyrë primitive, diktatoriale, më privon të kthehem në vendin tim! Më pengon të zhvilloj veprimtarinë time parlamentare në shërbim të Atdheut tim!

Akti ndaj meje, në kundërshtim me gjithë ligjet nderkombëtare, madje dhe me vendimin e fundit të Gjykatës Kushtetuese, nuk është akt force, por akt dobësie!

Nuk është akt trimërie, por disfate! Nuk është qeveri e fortë, një qeveri që kapet pas pushtetit kësisoj dhe pengon veprimtarinë e parlamentit me çdo mjet, por qeveri e dobët! Kush jeni ju që paragjykoni veprimtarinë time parlamentare?

Kush jeni ju që paragjykoni votën time? Po nëse unë do ta shpallja publikisht se do të votoja pro jush – a do të më pëngonit? Jo, nuk e besoj! Ju kam votuar duke besuar tek rotacioni, tek energjia e re e votuesve tuaj, tek nevoja për ndryshim, por kjo që po ndodhë ndaj meje, është zhgënjyese! Kjo është pergjigjja ndaj sjelljeve të mia ndaj jush!