Sot u mbushën 21 vjet nga dita e zezë e ekzekutimit të 376 civilëve shqiptarë të fshatit Mejë (Gjakovë) nga regjimi barbar i Sllobodan Millosheviҫit. Njëkohësisht, është edhe dita e të pagjeturve.
Ka 21 vjet që thirrjet e tyre për drejtësi nuk po dëgjohen. Jo vetëm kaq, këto ditë, në Prishtinë, po flitet që “marrëveshja historike” me Serbinë të përfshijë edhe amnistimin e ndërsjellë të krimeve të luftës, duke vënë shenjën e barazisë midis xhelatit dhe viktimës. Po mendojnë se heshtja e gjatë 21 vjeҫare për martirët dhe të pagjeturit, të cilën Kadare e quan “heshtja e blerë”, e ka bërë punën e saj, ata janë harruar dhe, tashmë, është “momentumi” i pajtimit me Serbinë.
Por populli nuk harron. Historia jonë që kullon gjak, gjithashtu nuk harron. Nuk ka pajtim me Serbinë pa dënuar krimet e lemerishme të saj kundër popullit shqiptar. As nuk ka paqe të qëndrueshme midis shqiptarëve dhe serbëve, pa ҫuar drejtësinë në vend. Këtë të vërtetë historike duhet ta dijmë mirë, në radhë të parë, vetë ne shqiptarët, kundërshtarët tanë, por edhe miqtë tanë.
Nderim e përulje me respekt të thellë, para martirëve të lirisë!