Fjala e plotë e ministres së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale Ogerta Manastirliu

Përshëndetje të gjithëve,

Kemi përballuar gjashtë javë të vështira në luftë me infeksionin e rrezikshëm COVID-19.

Masat u morën në kohën e duhur dhe rezultati i deri më sotëm tregon që kanë qenë masa efektive.

Por siç shihet vijojmë të kemi një qëndrueshmëri të zbulimit të rasteve pozitive, që tregon që infeksioni është ende aktiv me raste të reja të gjetura falë hetimeve epidemiologjike të kryera në terren. Ndaj ne na rezulton të kemi më shumë se  100  vatra infeksioni aktive në të gjithë vendin. Nga ana tjetër numri i shtrimeve në spital është i qëndrueshëm, tashmë prej disa ditësh, po përballemi gjithashtu edhe me pacientë të cilët janë ende në situatë të vështirë dhe po trajtohen në terapi intensive.

Bazuar në këtë vlerësim dinamik, Komiteti Teknik i Eksperteve ka hartuar planin  tranzitor të lehtësimit gradual të masave, një plan i qartë, i bazuar në situatën aktuale, në të dhënat e deri sotme dhe sigurisht edhe në një vlerësim në të gjithë qarqet e vendit sa i përket transmetimit dhe zinxhirit të infeksionit.

Ky plan bazohet në disa kritere, në kriteret epidemiologjike, kapacitetet spitalore dhe burimet e nevojshme për kontrollin dhe monitorimin e situatës. Këto kritere bazë ndihmojnë në përcaktimin e kohës së përshtatshme për të gjitha fazat e lehtësimit të kujdesshëm të masave shtërnguese.

Paketa e masave të lehtësismit të kujdesshëm përcakton gjithashtu edhe disa parime bazë:

Hapjen graduale – duke marrë një minimum 2-javor, nga njëra fazë tek tjetra për vlerësimin e situatës.

Në vendimmarjen për të kaluar nga njëra fazë e planit të hapjes tek tjetra, do të vlerësohen nëse do të ketë rënie apo shtim të rasteve aktive sa i përket tre indikatorëve kryesorë:: Rastet ditore të konfirmuara me COVID19, numri i qytetarëve të shtruar në spital dhe rastet në terapinë intensive.

Plani përcakton që fillimisht të ri-hapen aktivitetet më me shumë efekt në ekonomi dhe më me pak efekt në transmetimin e infeksionit, duke shoqëruar çdo hapje me protokolle strikte për çdo aktivitet i cili do të hapet dhe i cili klasifikohet sipas një risku të evidentuar nga strukturat tona, pra flasim për tre risqe, riskun e ulët, riskun e mesëm dhe riskun e lartë për çdo aktivitet të hapur i cili do të shoqërohet me protokollet sipas nivelit të riskut..

Paralelisht, rihapja e aktiviteteve do të shoqërohet me kufizime lidhur me lëvizjen dhe kontaktet e njerëzve, për të paktën 2 muaj nga momenti gradual i hapjes, me qëllim, minimizimin e transmetimit të infeksionit.

Paralelisht me lehtësimin e kujdesshëm të masave, po vijojmë gjithashtu me rritjen e kapaciteteve spitalore për të siguruar kapacitetet e nevojshme, në rast se do të përballemi me një rritje të mundshme të numrit të të prekurve me simptoma.

 

Bazuar në vlerësimin e riskut, lehtësimi gradual i masave do të përfshijë katër faza, sipas udhëzimeve të përcaktuar nga OBSH, do të jenë parime strikte dhe do të jenë gjithashtu protokolle të veçanta për individët, për të punësuarit, për institucionet dhe për bizneset.

Sa më sipër, për monitorimin e zbatimit të masave:

– Po ngrihet Task Forca Ndërinstitucionale anti-Covid19, për zbatimin e protokolleve të sigurisë për fazën e epidemisë, për individët, bizneset dhe institucionet, me qëllim mbrojtjen e shëndetit të popullatës.

Në këtë lufte kërkohet bashkëpunim maksimal nga bizneset, të cilët kanë PËRGJEGJËSI ligjore dhe morale për të garantuar sigurinë e punonjësve dhe të qytetarëve.

Çdo biznes i hapur apo që do të hapet në vijim, duhet të zbatojë me përpikmëri masat për kushtet e punës të përshtatshme, masat higjieno-sanitare, dezinfektimin e ambienteve, distancimin fizik të punonjësve dhe klientëve,  sipas protokolleve te miratuara nga Komiteti teknik i Ekspertëve, bazuar në nivelet e riskut të bizneseve bazuar në klasifikimin tashmë të miratuar nga Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale.

– Çdo biznes duhet të marrë vërtetimin dhe protokollin përkates në e-albania që duhet ti disponoje dhe afishojë në mjedisin e punës dhe duhet të njohe të gjithë punonjësit me rregullat e protokollit, duke garantuar gjithashtu respektimin e tyre.

– Bizneset që nuk do ti zbatojnë këto rregulla dhe protokolle do të penalizohen sipas legjislacionit në fuqi.

– Për bizneset ku rreziku i përhapjes së infeksionit është më i lartë, do të vendosen monitories nga Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, specialist të shëndetit publik apo infermierë, të cilët po trajnohen enkas për monitorimin e zbatimit të protokolleve të punës.

Hapja graduale me faza, duhet kuptuar si një normalitet i ri brenda gjendjes së epidemisë, jo si një rrugë drejt një normalizimi të shpejtë.

Normaliteti i ri do vijojë të kërkoje lëvizje të kufizuara vetëm për arsye thelbësore, do vijojë të kërkoje distancimin 2 metra nga njëri-tjetri, do vijojë të kërkojë sakrificën për t’i shërbyer të moshuarve pa i takuar, pasi për të moshuarit do të vijojnë karantinimin edhe përgjatë kësaj faze.

Nëse zbatojmë sa më sipër, nëse treguesit do të jenë të qëndrueshëm, nga java e ardhshme:

Do të rrisim ne 2 ore e 30 minuta fashën orare për individët.

Do të hapim një kategori biznesesh, që nga tregtimi i veshjeve, këpucëve, tekstileve, mobiljeve, ndricimit, pajisjeve elektronike, dyqaneve të luleve dhe një seri tjeter të kategorizuaretj, për të lehtësuar ekonomitë familjare sipas protokolleve strikte dhe të përcaktuara.

Do të lejojmë transportin taksi nga qyteti në qytet me vetëm një person pasagjer, sipas masave të përcaktuara në protokollin specifik për udhëtimin me taksi.

Vlerësimi i çdo mase lehtësusese do të vlerësohet nëdinamik, çdo dy javë, referuar edhe periudhës së inkubacionit dhe koifiçentit të transmetimit. Në rast se nuk do të kemi tregues të qëndrueshëm të situatës epidemike, plani i miratuar nga Komiteti Teknik, parashikon gjithashtu edhe rikthimin e masave shtërnguese.

Në rast se situate do të vijojë të jetë e qëndrueshme pas analizave të përdyjavëshme, pra nëse sdo të kemi nevojë të ngrejmë frenat  e emergjencës që janë gjithmonë janë të parashikuara në këtë plan, atëherë, në filli të muajit Maj do të zgjerojmë lëvizjen e makinave brenda një bashkie, me fasha orare edhe pë rata që duan të shkojnë për pazar si dhe do të lehtësojmë më tej lëvizjen e këmbësorëve brenda qyteteve.

Siç e përmenda edhe në fillim, ky plan do të vlerësohet në dinamik, duke vlerësuar të gjitha kriteret për të cilat është hartuar plani i rihapjes së kujdesëshme nga Komiteti Teknik i Ekspertëve.