Dita e Tokës sivjet është jubilare: 22 prilli bën gjysëm shekulli jetë. Në këtë jubile, virusi koronë (me kurorë) e kurorëzoi botën me situatën më të rëndë në shekullin 21 dhe që nga dy luftërat botërore. Ky virus e futi njerëzimin në izolim global të paparë ndonjëherë. Kosova e kompletoi muajin e parë të izolimit me numër treshifror infektimesh e dyshifror vdekjesh. Në shenjë të saj u bë një hulumtim që të evidentohen perceptimet studentëve gjatë muajit të parë në izolim, bazuar në parametrat mjedisor dhe të zhvillimit të qëndrueshëm që ata mund të vëzhgojnë në familjet e tyre. Respondentë të hulumtimit online ishin 339 student të Fakultetit të Edukimit nga programet bachelor të gjithë viteve të studimit.

Po jetojmë në epokën e pandemisë më të gjërë që njeh njerëzimi nga respondentët u kërkua të deklarohen se si e perceptojnë ata origjinën e virusit. Nga shtatë mundësitë e ofruara, rreth 1/3 e respondentëve e konsiderojnë luftë ekonomike në mes fuqive botërore më shumë se sa biologjike. Në fakt që nga fillimi i pandemisë ka pasur dyshime lidhur me një “virus i cili më shumë do falimentoi njerëz se sa të mbys” por shkalla rapide e përhapjes ka lënë në plan të dytë këto spekulime. Por tashmë janë rritur presionet në drejtim të shtetit të origjinës nga SHBA, Gjermania e shtetet tjera. Rreth 21% e respondentëve e perceptojnë si sëmundje virusale të zakonshme. Shifrat e “korrigjuara” të viktimave nga Kina kanë vënë në veprim shërbimet inteligjente lidhur me pasojat e vërteta të pandemisë. Shumë qarqe veç po e krahasojnë tragjedinë biologjike të Wuhanit në Kinë me atë radioaktive të Çernobilit në ish-BRSS, sidomos në manipulimet me numrin e viktimave. Mbi 19% e respondentëve e shohin pandeminë si “dënim” për mëkatet tona ndaj natyrës, 13% e lidhin atë me mbikonsumin e mishit në botë, ndërsa rreth 10% me ndotjen e mjedisit dhe ndryshimet klimatike. Sido që të jetë, të shumica e burimeve në thelbin e tyre e shohin virusin të lidhur me aspektet e një zhvillimi të paqëndrueshëm të planetit: mëkatet ndaj natyrës, ndryshimeve klimatike, abuzimin me mishin për ushqim (mbikonsumin), ndotjen enorme të mjedisit. Një numër i papërfillshëm e konsiderojnë pandeminë si ekzagjerim mediatik.

Situatën e përgjithshme të mjedisit të Kosovës, rreth gjysma e respondentëve e shohin afërsisht të njëjtë me atë të rajonit, rreth ¼ e konsiderojnë të keqe ndërsa pjesa tjetër të mirë.

Hulumtimi kërkoi nga respondentët identifikimin e tri problemeve më madhore të mjedisit (nga shtatë) për kohën që po jetojmë. Si problemi kryesor mjedisor për 72% e respondentëve paraqiten mbeturinat, më pas vie ndotja e ajrit ambiental (63%), ndotja e ujit dhe mungesa e tij bashkë me shpyllëzimin dhe djegien e pyjeve radhiten në vendin e tretë me rreth 40% të respondentëve. Ndryshimet klimatike radhiten në vendin e katërt, ndjekur nga mbishfrytëzimi i resurseve natyrore dhe humbja e biodiversitetit.

Pandemia ka ndikuar në ndryshim të mënyrës tonë të jetesës. Në parametrat mjedisor gjatë izolimit prin rritja e konsumit të ujit për higjenë si dhe i produkteve higjenike me nga 63% secila. Kjo rritje lidhet me larjen e duarve me sapun si masë parandaluese të përhapjes së infektimit. Në aspektin e ndikimit në mjedis, rritja e konsumit të ujit reflektohet në sasinë e tij në dispozicion, ndërsa “fati në fatkeqësi” është se kjo rritje ka ndodhur jashtë sezonës së thatësisë (paramendojeni nëse do ndodhte në korrik apo gusht). Rritja e kimikateve higjenike (sapune, detergjente) e rrisin ndotjen e ujërave të zeza, problem kronik i vendit tonë. Rritje është perceptuar edhe te sasia e mbeturinave të gjeneruara, nga 53% e respondentëve. Kjo lidhet me blerjet e ushqimeve dhe mallrave rezervë më shumë se zakonisht. Konsumi i ushqimeve bazë gjatë është rritur për 51% të respondentëve. Qëndrimi tërë kohën mbyllur, bën që njerëzit të jenë më afër ushqimit dhe kjo duket ka ndikuar në shtimin e konsumi.

Ulje të mëdha në parametra janë perceptuar në cilësinë e ajrit ambiental (i jashtëm) për 87% të respondentëve, konsumi i derivateve të transportit privat për 79% dhe zhurma e jashtme me 77 %. Këto ulje lidhen me ndryshimet në stilin e jetës në izolim: qëndrimi brenda ka minimizuar përdorimin të veturave, duke ulur transportin rrugor dhe rrjedhimisht ulje në nivelin e shkarkimeve të gazeve ndotëse si dhe zhurmën.

Në nivelin e njëjtë të konsumit si para izolimit kanë ngelur ndotja e ajrit të brendshëm për 63%, zhurma e brendshme për 62% dhe konsumi i energjisë elektrike për 47% të respondentëve. Dalja në natyrë për ecje është parametri që ka pasur nivel më të përafërt të shpërndarjes: për 43% ajo është reduktuar, për 30% është rritur ndërsa për 26% nuk ka ndryshuar nga më përpara. Edhe pse shumica e respondentëve janë nga zonat rurale, duket se rreziku ka bërë që të mos e shfrytëzojnë  aq shumë natyrën.

Respondentët kanë vlerësuar me notë (prej dobët deri në shkëlqyeshëm) punën e institucioneve shtetërore, kompanive publike, fakultetit por edhe sjelljen e qytetarëve.  Nga institucionet shtetërore, me notë maksimale (shkëlqyeshëm) janë vlerësuar si në vijim: institucionet e sigurisë (policia, ushtria, zjarrfikësit) nga 61% e respondentëve dhe institucionet shëndetsore (mjekët dhe stafi spitalor) nga 55 %. Pra, vija e parë e frontit vlerësohet se ka funksionuar me sukses dhe ka marrë mirënjohjen maksimale të respondentëve ashtu si edhe të opinionit në përgjithësi. Komunat respektive nga 40% e respondentëve dhe qeveria qendrore për 34% të tyre janë vlerësuar me notën maksimale.

Nga kompanitë publike për ofrimin e shërbimeve, vlerësimin shkëlqyeshëm më së shumti e ka marrë kompania e furnizimit me energji (52%e respondentëve), që d.m.th se furnizimi me energji elektrike në këtë kohë kur njerëzit kanë pasur nevojë për komunikim dhe informim, argëtim televiziv, internet, mësim online etj. Më pas vjen kompania e mbeturinave me 50% dhe ajo e ujësjellësit me 47%, të respondentëve që d.t.th se mbledhja e mbeturinave dhe furnizimi me ujë ka qenë në nivel shumë të mirë gjatë muajit të parë të izolimit. Si student, respondentët u pyetën edhe për vlerësimin e punës së fakultetit të tyre. Mbi 52% e vlerësuan të shkëlqyeshëm angazhimin e fakultetit dhe në këtë vlerësim duket se rol të madh ka luajtur organizimi i shpejtë dhe efikas i mësimit online e cila duket se studentëve ua ka lehtësuar gjithsesi izolimin duke i mbajtur të angazhuar në procesin akademik.

Sjellja e qytetarëve ka marrë vlerësim mesatar nga gjysma e respondentëve dhe rreth 30% e vlerësojnë jo të mirë dhe jo të përgjegjshme. Zatën kjo reflektohet edhe me rritjen e hovshëm të numrit të infektimeve pas aplikimit të masave të izolimit, e që në masë bukur të madhe nuk janë respektuar nga qytetarët.

Pandemia do të kaloi një ditë dhe respondentët kanë shprehur pritjet e tyre lidhur me ekonominë, mjedisin dhe çështjet sociale si shtylla të zhvillimit të qëndrueshëm. Rreth 45% e respondentëve presin që situata ekonomike e vendit pas pandemisë do të përkeqësohet, ndërsa afërsisht po aq presin përmirësim të saj. Në fakt, menjëher pas rrezikut për jetën, brenga globale është se bota do ketë një recesion të thellë ekonomik post-covid. Pako emergjente qindra miliardëshe po shpenzohen në përballimin me pandeminë anembanë botës, dhe ende nuk dihet si dhe sa do jetë pas saj. Sa i përket situatës sociale, 69% e respondentëve presin përmirsim, 15% e tyre përkeqësim ndërsa 10% se ajo do mbetet e njëjtë. Nga kjo perspektivë shihet se respondentët janë optimist për një përmirsim të situatës sociale pas pandemisë kur veç se raportohen miliona vende pune të humbura, rritje varfërie, kriza familjare etj. Realisht, burimi i këtij optimizmi është i paqartë, përveç nëse i referohemi shumë vlerësimeve ndërkombëtare që kosovarët i nxjerrin ndër popujt më optimist në botë.

Lidhur me pritjet për situatën mjedisore, çuditërisht rreth ¾ e respondentëve presin përmirësim ndërsa vetëm 13% presin përkeqësim të saj. Të tjerët ose nuk e dijnë si do jetë ose se ajo do mbetet e njëjtë. Këtu sigurisht se ka ndikuar përmirsimi i cilësisë së ajrit mbi qiejt e vendeve industriale, por edhe rreth vendbanimeve tona gjatë pandemisë. Uroj që bota të nxjerr mësime nga pandemia për t`u ballafaquar me “klimandeminë” që po na pret. Njerëzimi duhet të filloj të ndryshoj sjelljet ndaj natyrës sepse po shihet se kështu nuk shkon. Një thënie spanjolle është se “zoti fal gjithmonë, njeriu fal nganjëherë por natyra nuk fal asnjëher”.

 

Dr. Zeqir Veselaj

Ligjjërues i edukimit mjedisor në UP