Buka e shtëpisë nuk ka të krahasuar me atë që blihet tek furrëpjekësi.

Kur sapo del nga furra, e ngrohtë, me pak gjalpë e djathë apo vaj ulliri, kripë e rigon, shija e saj të përfshin tërësisht.

Shumë njerëz e provojnë të bëjnë bukë në shtëpi dhe dekurajohen menjëherë për shkak të disa gabimeve që mund të shmangen lehtë.

Përzgjedhja e Miellit

Në treg mund të gjeni lloje të ndryshme mielli përfshirë atë që është shumë-përdorimësh

Ky miell nuk është i përshtatshëm për çdo lloj buke.

Ekspertët e AgroWeb.org këshillojnë që të përdorni miell gruri të një cilësie të mirë dhe tu përmbaheni recetave që do të zgjidhni

Përzierja e Miellit

Nëse bëni kombinime të gabuara të miellit do të përfitoni një bukë që nuk do të ketë fortësinë e duhur.

I tillë është rasti i përdorimit të vetëm të miellit integral apo përzierjes në sasi të mëdha të miellit të grurit me atë të elbit.

Majaja e Bukës

Aktivizimi i majasë së bukës është hap shumë i rëndësishëm në gatimin e bukës në shtëpi.  Për majanë e thatë duhet të përdorni ujë të vakët.

Nëse uji është shumë i nxehtë, majaja nuk vlen më. Nëse uji është i ftohtë, majaja nuk do të aktivizohet.

Nëse brumi i bukës nuk fryhet atëherë korja e bukës do të jetë e trashë dhe e fortë, ndërkohë që tuli do të jetë i papjekur.

Temperatura

Brumi duhet të jetë i mbrojtur nga rrymat e ajrit.

Ai duhet të qëndrojë i mbështjellë në një vend me temperaturë të ngrohtë që të fryhet.

Nëse e lini në një vend me qarkullim ajri atëherë brumi nuk do të fryhet sa duhet.

Temperatura ideale e pjekjes së bukës në furrë është rreth 180°.

Prerja e Bukës

Pas pjekjes, buka ka nevojë për pak kohë që të ftohet.

Ajo duhet hequr nga tava, duhet lënë të ftohet mënjanë dhe më pas mund të prihet në feta.

Mos provoni që të prisni bukën në feta teksa ajo është e nxehtë.

AgroWeb.org ju sugjeron më poshtë një recetë të thjeshtë, të shijshme të bukës së përgatitur në kushtet e shtëpisë.

Buka e Shtëpisë

Përbërësit

1 kg miell

300 ml ujë të vakët

200 ml qumësht të vakët

2 lugë maja birre

4 lugë vaj ulliri

2 lugë të vogla kripë

Përgatitja 

Në një tas të vogël hedhim majanë dhe e tresim me pak qumësht të vakët dhe e lëmë aty për 15 minuta, në mënyrë që të fermetohet.

Më pas, në një tjetër enë hedhim qumështin e vakët, majanë e fermentuar, vajin e ullirit, ujin e vakët dhe kripën.

I përzjejmë të gjitha bashkë me një lugë dhe nisim të shtojmë gradualisht miellin duke e përzjerë si fillim me lugë e më pas nisim punimin e brumit me dorë.

Gjithë sekreti i një buke të mirë shtëpie qendron tek punimi i brumit me duar. Brumi do të jetë gati në momentin që masa do të jetë e fortë, kompakte dhe nuk ngjitet në duar.

Brumin e mbulojmë me një pecetë të pastër. E vendosim në një vend të mbyllur dhe të ngrohtë përreth një orë, në mënyrë që masa të dyfishohet.

Pasi burmi të ketë ardhur, e ndajmë në 12 toptha dhe i vendosim me rradhë në tepsi me letër pjekjeje. I lëmë ashtu edhe për 30 minuta të tjera në një vend të mbyllur. Më pas i fusim në furrë për t’i pjekur.

Para se t’i fusim në furrën e nxehtë, bukën e lyejmë me pak qumësht të vakët të përzier me një lugë vaj ulliri.

E pjekim për rreth 25 minuta derisa buka të ketë marrë një ngjyrë të kuqërremtë e të praruar.