Më 18 nëntor 2019  Adhurim Hitaj i tha lamtumirë kësaj jete, kësaj bote ku pa vëtëm zhgënjime… 

 I dha lamtumirën një barange që ç’binte jashtë binte brenda, asaj barange që të vetmit vizitorë të tij ishin mijtë e lagjes! Në të ftohtë e në të nxehtë aty jetoi, për 20 vjet, dhe po aty e mbylli jetën e tij plot vuajtje dhe mjerime.

Vlonjatë! Më 18 nëntor 2019 Adhurimi i tha lamtumirë jetës dhe asaj barange ku shkoi jetën e tij. Në shi, në breshër, në të ftohët e në të nxehet aty jetoi 20 vjet, në mjerim, në qendër të Vlores! Ishte nga ato pamje që kemi parë vetëm në filma. Një ditë, më tha ai, mora një qen dhe e futa brenda pasi binte shi. Qeni ndenji vetëm pak dhe doli e shkoi në strehën e një shtëpie. As qeni, thash me vete,  nuk pranoi të jetonte në barangën time!

Adhurimi nuk kishte njeri të afërm. Perlati, babai tij, vdiq në vitin 1949, sapo ishte liruar nga burgu ku e kishin torturuar në mënyrë çnjerzore. Edhe Paqyzeja, mësuesja që u end fshatrave të Vlorës, vdiq shpejt duke e lenë të birin pa ndihmë dhe përkrahje. 

Adhurimi u dashurua me librin, por dikur kishte dashuruar edhe një vajzë por burgu ia preu jetën në mes dhe ai shkoi nga kjo jetë pa krijuar familje, pa lënë gjurmë njerzore, por la gjurmë qytetare, emrin e tij, librat e tij, qytetarinë e tij. Në këto rrethana Adhurimi përfundoi në burg. Më kish thënë se e kishin torturuar, vuajti një burg të gjatë… Ligji kënaqet duke e dënuar qytetarin, thotë Balzaku, ndërsa shoqëria nuk kënaqet, pasi dhe kur qytetari del nga burgu, shoqëria jonë e tregon me gisht. Ai e kujton burgun me këto vargje:  

                      Mua më shtynë, më ofenduan, 

                     Më pështynë, me grushte më rrëzuan, 

                     Me shkelma në trup më qëlluan… 

Po kështu ka një poezi që tregon dhimbjen për 30 ditë të kaluara në birucë. 

Kështu Adhurimi, pa prindër, pa të afërm, me shqetësime mendore, me probleme të tjera, pa asnjë të ardhur financiare, mbeti në mes të katër rrugëve. Askush nuk i hodhi dorën për ndihmë, as shoqëria, e as qytetaria vlonjate, as bashkia që çdo ditë flet për ndjenja humane e sociale.  

Në këto rrethana u ndodh vetëm një njeri qytetari Bleta që e strehoi në atë barangën që përshkruam më lartë, sidoqoftë, ajo ishte një strehë ku Adhurimi jetoi në shoqëri të mijëve!

Problemin ushqimore ai disi e përballonte vetë me pensionin minimal dhe me ndihmat që i jepnin për mësimet në gjyhën angleze.

Për veshjen u bënë nënë e babë, gabelët, ata shitësit e rrobave të përdorura.

Adhurimi që i habiste njerëzit me librat e lexuar, me komentet që bënte për to, Adhurimi që i habiste njerzit kur fliste anglisht dhe italisht, ai Adhurimi që jepte mësime të rriturve dhe fëmijëve në gjuhën angleze, ai qytetari, ai denoncuesi krimeve komuniste, ai që e quante Kadri Hazbiun gjarpër i zi, nuk jeton më midis nesh, u largua në amëshim. 

Adhurmi që jo vetëm lexonte pa pushim por edhe shkruante. Ai na la dy libra: Adhurim Lepenica “Vjershërimet e mia”, Shtypshkronja “Vlora”, Vlorë 1994, një libër me format xhepi. 

Në këtë libër ai ka përmbledhur 48 poezi, pra në çdo faqe ka një poezi. Libri hapet me një poezi kushtuar Hysni Lepenicës, ka një poezi për Lepenicën, një poezi për Vlorën, një kujtimit të nënës dhe poezitë e tjera janë lirike dhe mbresa nga jeta. 

Përveç këtij libri ai ka botuar ndonjë poezi edhe në gazetat lokale të Vlorës si “Oroskopi” dhe “Zgjimi”

Në shtator të vitit 2019, pra dy muaj para se të ndahej nga kjo jetë ai botoi një novelë: Adhurim Lepenica ”Provokatja në studjo”, Shtypshkronja ”Vlora”, Vlorë, shtator 2019.

Në këtë novelë autori pasqyron jetën e një të burgosuri politik, që megjithëse ka shlyer dënimin me burg, përsëri gjendet i braktisur nga shoqëria. Ai tregon intelektin e këtij të burgosuri që lexon letërsinë klasike por për shoqërinë dijet dhe inteligjenca e tij nuk vlejnë sepse ai ka qenë i burgosur!

Adhurim Hitaj që njihej prej të gjithë qytetarve vlonjat u sëmur më 18 nëntor 2019. Nipi im fisnik Tomorr Hoxha, Lepenica, që i kish qëndruar pranë dhe e ndihmonte vazhdimisht e shpuri në spital. Mjekët “human” të Vlorës refuzuan ta shtronin në spital, por u detyruan. Dha shpirt në duart e Tomorr Hoxhës, po antë natë. 

Tomorri dha shembullin se si duhet të jetë qytetaria, organizoi të nesërmen ceremoninë e varrimit. E varrosën më 19 nëntor 2019, po në nëntor kishte vdekur edhe babai tij edhe gjyshi tij.

Lamtumirë i dashur Adhurim. Jeta dhe vdekja jote është një atk-akuzë për Bashkinë e Vlorës, për anëtarët e Këshillit Bashkiak të këtij qyteti, por edhe për qytetarët vlonjat që nuk u interesuan, që nuk ngritën zërin, që nuk protestuan, që një njeri një qytetar i tyre ishte braktisur në mjerim. 

Dhe Adhurimit vlonjatë ja kishin borxh përkujdesjen. Gjyshi tij, ai mësuesi famëmadh Selam Musa Lepenica, ishte një nga ata atdhetarët që kish luftuar në vitin 1912, më 1920 në luftën heroike të Vlorës ishte plagosur, në vitin 1924 ishte fanolist dhe në vitin 1941 shkoi familjarisht në Kërçovë të Mqedonisë të jepte mësimin e shqipes dhe prej andej doli partizan. Babai tij ishte në njësitet antifashiste në Kërçovë e Shqipëri, por ishte edhe një antikomunist që vdiq nga tortuart. Nëna e tij ishte mësuese, ushtroi gjith jetën fshatrave atë profesionin më fisnik nën diell, të mësuesisë.

T’i lemë të gjith këto. Adhurim Hitaj ishte njeri, që shoqëria e braktisi, e la të jetonte si një qen në shekullin e humanizmit, në mes të qytetit të Vlorës. Prandaj jeta dhe vuajtja e tij janë një akt-akuzë për Bashkinë e Vlorës, për qytetarinë vlonjate, për shoqërinë shqiptare.

E po të ishte vetëm një Adhurim ndofta nuk do të shkruanim fare, por në Vlorë e në Shqipëri ka shumë Adhurima, pra pak ose aspak humanizëm.

Kishte lindur në vitin 1946 dhe vdiq në moshën 73 vjeçarë në vitin 2019.  

Vajta te varri tij më 20 nëntor 2019, bashkë me Tomorrin dhe vumë mbi varrin e tij nga një tufë me lule, siç ishte edhe shpirti tij i bardhë. Fotografova varrin që të mos humbisnin gjurmët e tij, gjurmët e një njeriu që e donte jetën, por që nuk arriti ta jetonte… 

Do t’ia ngremë edhe varrin, më tha Tomorri…