1.
“Visare gjuhësore-kulturore nga Malësia e Gjakovës”, vepër e filologut Avdyl Sula, me të dy vëllimet e saj kishte hyrë dhe në Bibliotekën e Kongresit Amerikan në Uashington. Këtë fakt, kohë ma herët, ma bani me dije Estref Bega i Agjensisë së Librit “Botaimpex” teksa po e kërkonte të tretin vëllim në vargni botuese. Te dy vëllimet e tij i botoi tek “Dardania” në Tiranë, i pari – në vitin 2000, me 340 faqe, me redaktor shkencor prof. dr. Pavli Haxhillazi e, i dyti – në vitin 2003, me 242 faqe, me redaktor shkencor Mehmet Halimi, akademik nga Kosova. E, asokohe, më 2014, pata folë me Avdylin, këtë shkenctar tropojas që e kapërceu dhe Atlantikun me botimet e tij gjuhësore. Ai më shpjegoi se pjesë kolanore të kësaj vepre “Visare…”, në këtë lami shkencore, i ka dhe tri vepra të tjera, me emra të ndryshëm: “Fjalor fjalësh dhe shprehjesh popullore” (2009), “Shkrime dhe hulumtime gjuhësore” (2012), “Larushia e fjalës në gojën e popullit” (2013). E, atëherë, tashti e gjithmonë, kush i lexon këto vepra të tij me thesare ka me i thirrë përjetësisht Avdyl Sulës edhe me emrat e mbiemrat e dytë: “albanolog, gjuhëtar, shkenctar…”, anipse nuk pati e nuk iu dha kohë e mundësira që të kishte tituj e grada shkencore. Veprat e tij shkencore janë medalionet e tij ma të mira, për atë, vet Avdylin – dhe “në qiellin e shtatë” e për breznitë e tij në mbitokën shqiptare e në dhera të huaja mërgimi.

Avdyl Sula, si shumkush, në veprimtarinë e tij akademike ka punue si nji institucion më veti dhe mbetet i tillë, si një institucion më vete, si në vendlindjen e tij – Malësinë e Gjakovës dhe në “vend punën vullnetare” – Gjuhësinë Shqiptare, të cilën e kishte pasion të veçantë e të madh të jetës së tij dhe shtatë herë lisnojë me fryte kombëtare shqiptare.
Avdyl Sula kishte shpirt të madh pune vitale për me u marrë dhe me “gjana të vogla”, si me shënimin e një fjale të moçme në një event shoqëror, në një ndeje qejfi apo në një udhëecjeje dhe tue mbetë vet i madh në punën e tij, me veprat e tij. Avdyl Sulajt dy gjana nuk i mungonin asnjëherë në çdo hap të tij: stilolapsi dhe fleta për shënime visaresh popullore, të ndonjë poezie, etj.

Avdyl Sula e kishte mik të mirë e idhull të hershëm e të përhershëm bashkëkrahinarin gashjan, Xheladin Gosturanin, albanolog, prof. dr. e punonjës shkencor i Institutit të Gjuhësisë në Tiranë, në nderim të të cilit e themeloi dhe Shoqatën me emrin e tij. Edhe ky gjest fisnik, ky akt juridik, kulturor e shoqëror, e nderon në përhershmëri Avdyl Sulën e i dëshmon vlerat e tij, virtytet e tij.

Veprimtaria shkencore gjuhësore e Avdyl Sulajt është vlerësue shpesh herë nga personalitete të njohura të gjuhësisë shqiptare e me kontribute albanologjike, si: prof. dr. Xheladin Gosturani, prof. dr. Gjovalin Shkurtaj – akademik, prof. dr. Mehmet Halimi – akademik, prof. dr. Seit Mansaku, prof. dr. Pavli Haxhillazi, prof. dr. Hajri Shehu, prof. dr. Qemal Murati, prof. dr. Shefqet Hoxha – Mësues i Popullit, e të tjerë. Shumë prej tyre janë redaktorë apo recensentë të veprave të tij. Këta emra të albanologjisë dhe gjithato vlerësime të tyne dëshmojnë se Avdyl Sula ka peshë shkencore, ka kontribute meritore me veprat e tij gjuhësore.

2.
Malësia e Gjakovës, me të gjitha viset e fiset e saj, e ka ruajtë të pastër në burim e ndër kohëra Gjuhën Shqipe. Kjo i ka arsyet e veta. Veçmas e ka ndihmue vendndodhja gjeo-strategjike në zemër të Alpeve Shqiptare. Ka ndikue fakti se fiset e saj të mëdha, secili prej tyre, ishin e mbeten të lidhur fort genetikisht, aq sa të gjithë ishin e mbeten kusherinj ndërveti në brezni genetike, si të thuash, ishin “Gjashtë Familje të Mëdha”, “Gjashtë Pemë Genetike të Mëdha” si fiset e degëzuara: Krasniqe, Gash, Mërtur (Berishë), Bytyç, Nikaj, Shipshan, dhe disa të tilla – fise ma të vogla e të hershme në disa fshatra tropojane si Ponar e Dushaj, Valbonë e Çerem (kelmendas-vuthjanë), Berbat-Shkëlzen (hotjanë-të ardhun nga Plavë-Gucia), Rrogami mbi Valbonë (shaljanë), etj. Ndikim të madh kishin dhe lidhjet martesore (e ato farefisnore) mes fiseve të vet Tropojës e, me ato të krahinave e fiseve në afri gjeografike krahinore, si në Gjakovë e Plavë-Guci, në Junik-Deçan e Shalë-Shosh, në Has, Pukë, Pejë, etj. Tjetër ndikim ka pasë dhe fakti se deri në dekadat e fundit nuk kishte emigracion të dukshëm nga trevat tropojane e, në ato raste kur kishte largime të tilla rikthimet ishin të rralla. Gjithashtu, ndikonte dhe mos hyrja e kolonëve sllavë në vise e fise të Malësisë së Gjakovës. Edhe diçka tjetër është me randësi të veçantë: Autonomia Krahinore e Malësisë së Gjakovës ndër shekuj, etj.

Kolosi i Shqipes, i madhi Eqrem Çabej nga Gjirokastra, i dinte këto fakte, këtë realitet gjuhësor të pastër të Malësisë së Gjakovës, sepse vllau i tij, Selaudin Çabej ishte në disa vite nënprefekt i Tropojës dhe dr. Rexhep Krasniqi nga Tropoja ishte mik i veçantë i Çabejt në vite pune në Gjirokastër e gjithandej e gjithherë. Edhe një tjetër kolos i gjuhësisë shqiptare, elbasanliu Mahir Domi, i thoshte gjuhëtarit punëmadh Xheladin Gosturani që pikërisht për këto arsye (që i ceka ma nelt) të shkonte shpesh në Tropojë dhe Instituti i Gjuhësisë e i Letërsisë në Tiranë, kolosët e saj, ia mundësonin me disa muaj ndër vite, kryesisht verave, për kryerjen e nji pune shkencore hulumtuese në vise të Tropojës. Unë, gjatë shfletimeve të revistave shkencore në Bibliotekën Kombëtare të Tiranës kam parë disa studime të tilla të kryera nga gjuhëtarët jo tropojas në disa vise të Tropojës. Emrat e disa prej tyre më rivijnë në mendje dhe në këtë cast shkrimor, si prof. dr. Emil Lafe, Palok Daka – punonjës shkencor, etj.

A e dini pse e ceka këtë realitet të pastër gjuhësor të Tropojës, këtë vemendje të kolosëve gjuhësorë ndaj saj?! Due të them dhe këtë tjetrën: Nuk është rastësi që në këtë trevë tropojane kanë lindur e janë rritur në gene e me punë kolosale figura të nderuara të Gjuhësisë Shqiptare.

Një prej tyne, ma i veçanti, lartësor, është Mehmet Elezi, me veprën e tij madhore me 1.700 faqe “Fjalor i Gjuhës Shqipe” (2006), që përmban rreth 41.000 fjalë e rreth 54.000 kuptime, të cilat nuk gjenden në fjalorët e Akademisë së Shkencave të Shqipërisë të viteve 1980 e 2002. Ky Fjalor ka dhe 5.300 shprehje frazeologjike, rreth 1.000 gjëza, bestytni e paragjykime, doke, yshtje, etj. Po ajo çka duhet shenjue e përbën dhe fakti tjetër se një pjesë e madhe e këtyre faqeve të “Fjalorit…”të Mehmet Elezit janë thesare nga Malësia e Gjakovës.

Albanologu Xheladin Gosturani ka fut në fokusim e spektrim të punës së tij shkencore mbi 30 vjeçare dhe visare nga vise të Malësisë së Gjakovës si tek vepra e tij “Gegërishtja Verilindore” (1991, me 517 faqe, disertacion për marrjen e gradës doktor i shkencave), etj. apo studime të tij për të folmen e disa viseve të Tropojës.

E madhe për nga kontributet dhe e rrallë për nga sakrificat, si e thashë dhe ma nelt, është dhe veprimtaria botuese akademike në 7 vëllime gjuhësore e Avdyl Sulajt, në të cilat, ai – ia ka mbrri me publikue 15.000 fjalë e kuptime të reja fjalësh, tabu, eufemizma, etj. të mbledhura nga goja e gjallë e popullit, etj.

Në fushën e studimeve gjuhësore ka vendin e emrin e tij dhe Petrit Zeneli nga Markajt e Tropojës, aktualisht drejtor i Drejtorisë Arsimore të Tropojës, që ka botue veprat “Fjalor me shprehje dhe fjalë të rralla popullore frazeologjike nga Tropoja” (1999, me 486 faqe); “Vëzhgime gjuhësore dhe etnografike” (Monografi me 347 faqe, 2010); “Fjalor i Gjuhës Shqipe” (2015, me 286 faqe), duke pasë për redaktor shkencor prof. dr. Gjovalin Shkurtaj, antar i asocuar i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë. Gjuhëtari Petrit Zeneli në materialin e tij leksikor të botuar ka rreth 12.000 fjalë dhe kuptime fjalësh të mbledhura në trevat e Malësisë së Gjakovës e të Rrafshit të Dukagjinit

Në Malësinë e Gjakovës, disa mësues, studiues, gjuhëtarë, folkloristë të përkushtuar kanë mbledh e botuar në gazeta e revista, në libra, një trashëgimi të madhe popullore nga treva e vet. Nuredin Lushaj – nga Gria e Krasniqes ka një arkiv me 600 blloqe të vegjël dhe fletore me shënime dorëshkrimore me fjalë e shprehje popullore, me kangë të hershme, urti, doke e zakone, 400 pyetje etnografike të zbërthyera, etj.; Ded Sokoli, nga Perajt e Nikajve ka botue librin “Fjalë të urta popullore shqiptare” (2012), etj.
Pra, Tropoja, si të thuash, e ka “Akademinë” e saj të Gjuhësisë me emrat e njohur të gjuhëtarëve të saj: prof. dr. Xheladin Gosturani, Mehmet Elezi, Avdyl Sula, Petrit Zeneli, prof. asoc. dr. Murat Gecaj e të tjerë.

3.
Avdyl Sula e kaloi ma shumë se gjysmën e jetës së tij duke u marrë me publicistikë. Të parin shkrim e botoi në vitin 1979 e, pas nji dekade, më 1989, ia mbrrini të ishte kreredaktor i gazetës lokale “Shkëlzeni” i Tropojës. Një ecje e shpejtë. Një lartësim me meritë. Ishte shefi im, pasi unë punoja aty si redaktor i gazetës, që nga themelimi i saj zyrtar, nga shkurti 1988. Ai ishte burrë zotni në jetën e tij e mjaft i përkushtuar në punën e tij. Ai i thyente shpesh porositë që vinin nga pushteti politik në rreth, sa që kjo përballje në heshtje dinjitare e me revoltë institucionale nuk i mundësoi atij të rrinte gjatë në këtë detyrë, të ushtronte një nga pasionet e mëdha të jetës së tij – gazetarinë. Ai (vet)iku nga gazeta e kaloi tek tjetri pasion e mision i tij: mësuesia.

Veçanarisht në vitet e Demokracisë, në vitet e Tranzicionit Shqiptar, Avdyl Sula shkroi gjithato shkrime në gjini të ndryshme të gazetarisë e publicistikës, në gazetat e Tiranës si “Drita”, “Bashkimi”, “Kombi”,“Mësuesi”, “Gazeta 55”, “Korieri”, “Muzgu”, “Shekulli”, “Dita”, “Telegraf”, “Dardania”, “Ndryshe”, “Gjuha Jonë”, “Perla”, “Mapo”, etj. si dhe në gazetën shqiptaro-amerikane “Illyria” në Nju Jork, “Rilindja” në Prishtinë, ‘Fjala e Lirë” në Londër, “Voal Online-Zëri i Shqiptarëve” në Zvicër, “Bota Sot” në Zvicër-Prishtinë-Nju Jork; “Zëri i Kosovës” në Zvicër, “Shkëndija” në Prishtinë, etj.

Avdyl Sula, prapë, plot dhjetë vite prej nga koha kur ishte kryeredaktor i gazetës “Shkëlzeni” e botoi ma të parin libër të tij me publicistikë. Pikërisht në vitin 1999. Tek Shtëpia Botuese “Dardania”në Tiranë. Redaktor i librit ishte gazetari, poeti e prozatori Jaho Margjeka – redaktor i talentuar tek Radio “Tirana”. Vet titulli i librit “Europa e bashkuar, Shqipëria e copëtuar” – i thoshte të gjitha se kush ishte autori Avdyl Sula e misioni i tij atdhetar, qytetar, letrar, shprehte realitetin tragjik të copëtimit të kombit shqiptar dhe dëshmonte përpjekjet e autorit për t’i kontribue me penën e tij bashkimit kombëtar shqiptar. Ky libër i tij hyni në fondet e Albanologjisë të Bibliotekës Kombëtare në Tiranë, u mirëprit nga lexuesit e shumtë në hapësirat shqiptare e ndër shqiptarët në dhera të hueja, mbeti në histori.

Vjet, kah fundviti, ai çoi në vendlindje librin e tij të dytë me publicistikë “Në Planetin Shqiptar me emrin Kosovë”. Ishte nji botim i mendjes e shpirtit të tij, i sakrificave të tij. Ai e ndau në katër blej librin e tij: I-Udhëpërshkrime. II.-Shkrime problemore. III.-Skica, portrete. IV.- Intervista. Një përmbledhje vlerash publicistike ndër vite, nga 1988-ta deri më 2015. Redaktor: Kujtim Dashi e recensent Ramiz Lushaj. Ky tufalakim i tij publicistik i mbetet një buqetë e bukur e jetës së tij, për kohët shqiptare.

Tropoja, në këto tre dekadat e fundit, ka disa gazeta përkohore apo të kohëpaskohshme si “Shkëlzeni” (i pavarur); “Dardania”, “Bytyçi”, Nikaj-Mërturi” e Rrezja e Shkëlzenit”, ku Avdyl Sula, tek të gjitha, kishte shkrime të tij, ishte bashkëpunues me të gjithë, ishte kontributor për të gjithë.

Avdyl Sula, pas tri dekadash, në moshën e tretë, në emër të idealeve e pasioneve të tij, si mision i Kohës e misionar i Fjalës, e botoi gazetën “Rrezja e Shkëlzenit”, Ishte kryeredaktor i saj. Ishte fryt i përbashkët i Malësisë së Gjakovës e i Gjakovës, një urë lidhjeje ndërveti me fjalë e faqe integrimi e progresi. Dy duar të bashkuara të të njëjtit gjak e prag: Shoqata “Xheladin Gosturani” e Tropojës dhe Klubi “Nikollë Kazazi” i Gjakovës. Një akt e hap i ri prej majit të vitit 2012, i kryeredaktorit Avdyl Sula dhe i redaksisë së gazetës prej numrit të parë të saj, në maj 2012: me Sejdi Berisha, Muharrem Kurti, Gjon Neçaj, Halil Haxhosaj e Petrit Zeneli. Gazeta “Rrezja e Shkëlzenit” tregonte e tregon përjetë e mote se, Avdyl Sula, i lindur e rritur nga fryma e parë dhe e fundit në rrëzë të malit të Shkëlzenit, ishte e mbetet një Rreze e Shkelzenit, një tufalakim rrezesh nga Shkëlzeni i Malësisë së Gjakovës.

4.
Avdyl Sula e provoi me sukses penën e tij të talentuar dhe në gjininë e tregimit, duke botue në redaksitë e gazetave letrare “Drita”, “Nacional”, etj. E tërhoqi vemendjen e kritikës së ditës e të lexuesve të shumtë. Vjet, në fundviti, ia mbrrini të botonte të parin vëllim me tregime “Rrëfimi i një shitësi babanesh”, me redaktor një nga emrat e shquar të letërsisë shqipe, poetin, shkrimtarin e gazetarin botues, Skënder Buçpapaj. Aty janë 12 tregime me tematikë e gjeografi të gjërë, të cilat i japin Avdyl Sulajt për emër apo mbiemër titullin letrar “tregimtar, prozator…”.

Ai, tregimin e gjatë “Gjuetia e stërnipave të Evës e të Adamit” (fq. 94-137) e kishte në mendje për me iu kthye prapë me një shtjellesë letrare drejt një romani të pritshëm, të cilin ndoshta e ka lanë në dorëshkrim për të nesërmen. E, atëherit, ne kena me e quajt dhe ndryshe: “romancier”.

Tropoja është një nga trevat e tregimeve të moçme shqiptare, e Eposit të Kreshnikëve, me të cilat jemi rritë ndër shekuj e brezni e, gjithato prej tyne, të mbledhura në Malësinë e Gjakovës, kanë hyrë në përmbledhje antalogjike e tematike, ndodhen deri në Universitetin e Harvardit në Amerikë, e presin të bahen Trashëgimi Botërore në mbrojtje të UNESCO-s. Këto tregime, ky Epos, e ka frymëzue dhe Avdyl Sulajn në jetë e në letërsi. Për ma tepër, rreth këtij Eposi të Kreshnikëve, ai ka botue dhe studime shkencore e, ndoshta, ka ndokund projekt të nisur apo libër të përfunduar. Ai, siç thoshte vet e siç thonë të tjerët, ka disa libra të pabotuara, në dorëshkrim, të cilat do të jenë lartësi e re e krijuesit e studiuesit Avdyl Sulaj në të nesërmen e afërt.

5.
Avdyl Sula është poet. E thonë këtë poezitë e tij të botuara në organe e faqe letrare tek “Drita”, “Rilindja”, “Nacional”, etj. E thotë vëllimi i tij poetik “Kristale alpine” (Tiranë, 2006). E thotë dhe një vëllim poetik i mbetur në dorëshkrim, në rradhë.

Poeti Avdyl Sula, tek libri “Kristale alpine”, edhe kur shkruan për Alpet në dimër shkruan me plot frymëzim e mrekullim si tek poezitë “Vellot e borës” ( fq. 58), “Burgosja e ujëvarës” (fq. 63), “Bjeshkët e Nemuna” (fq. 59-61), “S’bën të vritet bukuria” (fq. 62), “Lirikë dimërore në bjeshkë” ( fq 50); Shtëpia me çati mjegulle” (fq. 65), etj. Ai ka dhe poezi për Kosovën si ajo “Pranvera në pranga” (shkurt 1991), etj.

Tjetra, siç e pohon vet në vargjet e tij, ai ka “hipur në varkën e revoltës” dhe përplaset “detit të padrejtësive me stuhi”. Kjo shprehet tek poezia “Sonte festova me trishtimin e dashurisë” (Bajramcurri, 1 korrik 2005); “Ç’flijime kërkojnë Zotat e Rinj”; “Vetërobëria”, “Ninullat e Tranzicionit”, “Morsi i vdekjes”, etj. Ai, në Tiranë, më 20 tetor 2006, kur flet për lypsit e ngratë në rrugë i krahasimon “Ja, ky trotuar, i mjerimit vitrinë” (fq. 46). Me simbolikë poetike flet dhe tek poezitë “Në strehëz të burgut”, “Selvitë në varreza”, etj.

Në përmbyllje të vëllimit poetik “Kristale alpine” ka dhe një kapitull të veçantë “Ligjërime në haiku”, me një sprovë poetike. Tek haiku “Morsi i vdekjes” (fq. 79) poeti vjen me parandjenjën e tij: “Zemra ime prishi / Të rregulltin punim. Vallë, aritmia e saj / Ishte mors i vdekjes si paralajmërim”. Apo, haiku tjetër, “Çamëria” (fq. 71): “Një ballë i shtëpisë sonë / prej shumë motesh i rrënuar / Muranë kushtrimi dhe lotësh”/.

Avdyl Sula, në këtë vëllim poetik, e ka një poezi “Shën Bashkimi Europian”, ku poetizon për “ata që vijnë prej ferrit” duhet të bajnë “karantinë” dhe: të lajnë e të pastrojnë trup e shpirt / gjersa të heqin pluhurat e mbeturinat / të shpëlajnë blozë e myk”/ dhe, më tej, fjalaflet: “të bartin rëpirave të tij (të BE)/ me durim / Gurin e Sizifit në shpinë” me “stash të gjatë në purgatory”, me “prova besnikërie e qytetërimi”. Dhe, sipas poetit, vetëm atëherit Bashkimi Europian: “Dhe dyert e parajsës tokësore / Në selinë e saj / në Bruksel / Solemnisht përkrah Shën Pjetrit / do të na çelë”/.

6.
Avdyl Sula ka një jetë tejet të veçantë, aq sa dhe Hans-Joachim Lankscsh i shkruante Atij: “Ju keni nji biografi të jashtëzakonshme për të cilën kam mjaft respekt e simpati”.

Ai, në 71 vite jetë pati afro 50 vite punë në mbi 20 zanate, profesione e detyra të ndryshme: bujk, bari, ushtar e karrocier në ushtri, buldozerist, skrepist, mekanik, saldator, axhustator, brigadier i makinerisë së randë në ndërmarrjet e bonifikimit në rrethet Has e Tropojë, nëpunës – kuader në KP të rrrethit; kryeredaktor i gazetave “Shkëlzeni” e “Rrezja e Shkëlzenit”, bibliotekist e drejtor biblioteke në Bajramcurri, poet, prozator, studjues, publicist, gjuhëtar, etj.

Në vëllimin e tij poetik “Kristale alpine”, tek kapitulli “Testamenti poetik”, poeti Avdyl Sula duket se shpreh një të vertetë reale të jetës së tij të fundme, të prillit 2016 kur iku nga kjo botë, nga kjo jetë: Varrin në bjeshkë, në lëndinë/ pisha e blirë, stola rreth tij / Zogjtë të më këndojnë nekrologjinë / Valbona të më përcjellin me simfoni / dhe, ai, e përmbyll me dy vargjet: “Dhe ndonjë le të derdhë lotë / E ndonjë lule le të mbajnë zi “ (fq. 88).

Tek poezia “Më kanë thënë për ditëlindjen time” (fq. 5-6), poeti rrëfen se i ati (baba) i paska thanë kur lindi një ditë vere (më 1 korrik 1945 në Begaj të Tropojës): Një mik qiti pushkë / uroj të bahesh trim / Në histori të mbetesh yll i pashuem”. E duket se kjo profeci doli e vërtetë. Avdyl Sula, si shkencëtar, publicist, poet, prozator…ka mbet një “yll i pashuem” në tokën e kohën tonë, në “qiellin e shtatë” – në amshim, me veprat e tij, me shembullin e tij, me kontributet e tij.

Avdyl Sula në dekadat e fundit të jetës së tij eci shpejt e u ngjit lart, por veprat e tij ashtu e kanë, vëçmas ato të gjuhësisë, të cilave lavdia iu vjen ma ngadalë e me madhështinë e vet ndër kohëra të djehit, të sodit, të së nesërmes. E, prapë, emri e veprat e tij, si e thamë në kryerradhë për veprën “Visare gjuhësore-kulturore nga Malësia e Gjakovës”, do të kërkohen nga shumkush e shpesh herë, me mirënjohje, me lartësime.

Ramiz LUSHAJ

Tiranë, më 24 prill 2016

Fotografia e Ramiz Lushaj