Ballina Personazh Të gjeta, o Pjeter Marku i Mirditës! – Esse nga Ramiz LUSHAJ-

Të gjeta, o Pjeter Marku i Mirditës! – Esse nga Ramiz LUSHAJ-

Kena kohë pá u pá bashkë në Tiranë. Qysh atë ditë fill marsi 2020 në Bulevardin “Zog I”, kur ishe me Dod Lulin, realizuesin e Memorialit për Qeverinë e Kimzes (26 prill 1911), Qeverinë e (para)Pavarësisë e kryetarin e saj, Terenc Tocin. Asokohe po gatiteshe për me shkue në Amerikë, te Federata PanShqyptare “Vatra”, te perurimi i Shoqatës së re “Bajraktari”…në Nju Jork, Nju Xhersi, Boston, Uashington…

E, atë pak kohë ndeje në ecje, folëm dhe për rrugëtimin tand në Zvicër, në janarin e 2020-tës, së bashku me gazetarin e veprimtarin Aleksandër Ndoja i portalit “Pirusti News”, doktoren e shkencave Rovena Vata e Qendres Albanologjike, historianin Paulin Z. Zefi…E, ka’i’herë nuk të kujtohen te tana: qysh harrova me të dvet si ia kalove me 2 mars 2020 në Lezhë, në përvjetorin e Beslidhjes së Skenderbeut, ku ishe sëbashku me kolonel Mark Markun, që rigjeneron energji veprimtarish në çdo dritë-ditë.

Une, në atë takim “dora-fol”, mos me mbet’ pa kallxue diçka për bohemen tande veprimtare kombëtare ri-solla në kuvendtarim ekspoziten tande të hapun në Rrozhajen shqiptare në Malin e Zi, në dyditëshin e Manifestimit PanShqiptar “Ora e Maleve”, në Edicionin e XI-të të tij, në Dhjetor 2019. Atje, aty, na kishte thirr’ miku ynë, Ali Daci i Alpeve Shqiptare, poeti, publicisti, mësuesi i Rrozhajës i dekoruemi nga Presidenti i Shqipërisë me dekoraten e lartë “Naim Frashëri i Artë”, nënkryetari i Shoqatës “Kosova për Sanxhakun”, zv/kryeredaktori i “Gazeta e Alpeve” për Malin e Zi e Sanxhakun.

Do kohë të atij folnimi na e mori biseda e te treve për Takimin Vjetor të Akademisë së Artit, Shkencës e Arteve “Mirdita”, me 7 dhjetor 2020, pasi Ju, i nderuemi Pjetër Marku, si kryetar i kësaj Akademie, e, sekretari i saj, Aleksander Ndoja (sëbashku me shumë të tjerë) po bani nji punë të mirë në vlerësimin e nderimn e punës të mirditorëve elitarë të gjakut e pragut, të mirditorëve të Mirditës së Madhe, të mirditorëve të punëve të mëdha. E bani mirë, më tepër se mirë, tue i nderue të nderuemit ndër kohëra e në ditët tona. I Nderuemi Nderon. E, sot, ma shumë se kurrë, njeriu nuk mund të rritet sy botës e bota mund të bahet e vogël, po nuk i përdorem ma shumë se fjala botnore ma popullore “Okej”, edhe shenjtninë e dy fjalëve “Faleminderit…!” e “Më fal…!”.

E, shumkush e din se çka ban ti, o Pjetër Marku, njeriu i punëve të mira. Ti, këta muajt e fundit, ishe dhe në Rrëshen, “kryeqytetin” e vendlindjes tande. Ishe dhe në Kosovën dardane. Edhe… Se ti shkon gjithnjë andej e aty ku duhet ba mirë, tek i jepet dikujt e shumkujt një titull apo çmim nga Akademia “Mirdita”, tek promovohet një libër i një mirditori rrënjas… Se një libër á sa ngritja e një shtëpie, sa një shtëpi, sa një kullë mirdite, alpine, shqiptare. Se ma shumë se çdo kullë jetojnë “Meshari” gegnor i priftit e shkrimtarit arbnor, i lindur në Krajë, Buzuku i madh…dhe “Lahuta e Malcis” e të madhit Fishta i genit mirditor…e deri te brezsotmit e Kohës së Re Shqiptare, si…”Dardanët dhe Dardania në Antikë” e akademikut historian të ndjerë Zef Mirdita; “Etnologjia e Përgjithshme” e akademikut etnolog Mark Tirtia; “Kanuni i Lekë Dukagjinit, Variant i Mirditës” i prof. dr. Xhemal Meçit të Pukës- Mjeshtër i Madh; “Antologjia e mendimit të sotëm për Mirditën” i punëmadhit Gjon Marku; “Principata e Arbrit, Shteti i parë i Shqiptarëve” i historianit Nikollë Loka (që punon sa një akademi); vepra madhore në proçes për botim “Enciklopedia e Mirditës” (grup autorësh)…e shumë të tjera, që lista do të shkonte gatë e ti di për të gjitha, i kie të gjitha.

Tashti, kësokohe, në këtë pandemi globale: kur kena mbet’ në nji “Ngujim Modern”; kur i hedh hapat me leje e ecën me maska rrugës; kur flet me tjetrin sikur të ishe në distancë “dueli epik”; kur iu gëzohemi e idhnohemi masave të Qeverisë; kur gëzohena që jena shnosh e na vjen keq për ata që i kap Koronavirusi…, unë kujtojsha se ti je i mbyllun te pallati yt “Gener 2”, afër Burgut të Tiranës e Arkivit të Shtetit.

E dijsha, fort mirë e dijsha, se ti je nga ata që “e çan rrethimin” e Koronavirusit tuj punue me vepra arti, tue mendue e projektue veprimtari të tjera me Akademinë “Mirdita”, si Konferenca e pritshme së shpejti “Fani në Histori dhe Etno-Kulturë”, etj., tuj planizue me tematikë e faqosje (së bashku me kryeredaktorin Aleksander Ndoja) Revisten “Mirdita” të 26-tin numër, në të tetin vit (më duket). Une, di edhe diçka tjetër për ty: nuk të punon në normalitete celulari, sepse të bajnë “bojkot” të sinjaleve ata “Të Burgut” kojshi teje, t’i shkelin të drejtat e njeriut për me folë në Epokën Digjitale…(!) Nejse, edhe ti, për këtë fakt e akt, je pjesë e taksirateve të kohës e të botës ! Fjalen e kam tjetër kund, për tjeter fakt:

M’u desht me ditë diçka për “Gazeta e Alpeve” për veprimtarinë e Akademisë tuaj të Artit, Shkencës e Letrave “Mirdita” dhe aty pashë se me 11 prill 2020 ishe në vendlindjen tande, në Mirditën e “Udhës së Kombit” e të Historisë Shqiptare. Pashë se kishe ba një pikturë të bukur, një peisazh “Pranverë në Ndërfanë dhe Gëziq të Mirditës”. Të lumtë mendja e syri, peneli e shpirti yt prej mirditori artist e atdhetar, prej një artisti qytetar e shqiptar…Ti je një mjeshtër i madh dhe në punët e vogla dhe ke bá aq shumë punë të tilla “të vogla”, një galeri të madhe, saqë do të mbetesh Mjeshtër i Madh.

Nga kjo pikturë e jotja e publikueme në Facebook u dijenova se nuk je në Tiranë, po në Mirditë. Të gjeta, o Pjetër Marku! Të gjeta…! Po ec me hapin e penelin tand maleve e luginave të Mirditës. Ndoshta kie hy’ në karantinën e detyrueme pas kthimit tand nga Amerika. Ndoshta të tërhjek me fuqi magnetike, me magji shpirtërore, me fuqi idealesh e krenarie, vendlindja jote, Mirdita. Ndoshta “të mban me hater” ministri i Brendshëm, se është mirditor, ushtarak e politikan i karrierës deri në gjeneral e ministër. Ti je dhe pensionist, (kështu quhesh me letra të ISSH), ti je 73 vjeçar (më fal, përndryshe, realisht) ti je 37 vjeçar. Se jeton, punon, krijon, veprimtaron si nji 37 vjeçar.

O ç’m’u kujtua diçka për ministrin e Brendshëm, që më ka dhanë falas e pa fajësi gaz kimik tue studiue mbi libra e fletore në Bibliotekë Kombëtare në Tiranë. I thuaj ministrit (në t’u dha mundësia) ose ta dijnë (n’i lexoftë këto fjalnime esseje), se duhet me e bá punë të kryeme (edhe, sipas premtimit e lobimit të tij) rikonstruksionin e asfaltimin në parametra europian rrugen 40 kilometra e ma të demtueme të tokës e botës nga Perlat-Kurbnesh-KrejëLurë e FushëLurë, perndryshe, edhe në koft ministër e gjeneral nuk ka me mbet’ as “ushtar” në Mërkurthin e tij të lindjes, fqinjë me Lurën historike, kulturore, turistike, kah kalon rruga për në Lurë! E them këtë sepse ai që nuk ban për vendlindjen e vet nuk mund ta bajnë as për Kombin e tij. Nejse, fjalen e kena diku tjetër (pa politikë, jashtë politikës) për koronavirusin, për Pikturën.

Aty, kryefjalë të pikturës tande, tekstualisht, i krye-thue: “Pranverën nuk e ndal asnjë virus”. E vërtetë. Sikurse është e vërtetë edhe kjo tjetra: artistët, krijuesit, janë “qytetarë të botës”, nuk i ndalon asnji virus, asnji nen, asnji kufi, askush e asnjiherë, për me krijue të ardhmen, për me sjellë pranverë e vjeshtë për tokën, për qiellin, për botën, për kohërat.

Edhe ti, artisti e veprimtari i njohur Pjetër Marku, në moshën tande, me punët e tua me Akademinë e Revisten “Mirdita”, me pikturat e ekspozitat e tua të pikturës, me veprimtaritë e tua/për të tjerët, duke punue edhe në ditët ma të vështira “Covid-19” për punë e vepra të mira, edhe në në kofsh 73 apo 37 vjeç, edhe në kofsh në “Ngujim Modern” apo në Luginën e Fanit të Vogël, ti punëmadh sjell Pranverë, nji pranverë të madhe.
Se Zoti dhe Njerëzit e sjellin në Natyrë e në Shpirt Pranverën. E, Pranvera ka me ardhë shpejt e mirë kudo në/ndër Shqiptari, kur kena njerëz të mendimit e veprimtarimit si Pjetër Marku i Mirditës.