Ballina ED/OP Nuk duhet të tolerojmë që për hir të Sigurisë të sakrifikohet Liria...

Nuk duhet të tolerojmë që për hir të Sigurisë të sakrifikohet Liria ! – Nga KLODI STRALLA

Amendësimet se epidemia e virusit Covid 19 do të passjellë edhe rishikimin rrënjesor të vetë Kapitalizmit aktual më duken jo vetëm të ekzagjeruara por edhe të dëmshme. Nuk duhet të lejojmë që për hir të sigurisë të momentit të sakrifikojmë lirinë dhe ta shndërojmë vendin tonë në kavje eksperimentale të oligarkisë ndërkombëtare globaliste. Liria, herët a vonë, e prodhon sigurinë, e kundërta nuk është e vërtetë.

Kapitalizmi, si askush sistem tjetër para tij, e rriti prodhimin e të mirave materiale për shoqërinë në mënyrë të pa imagjinueshme. Revolucioni industrial që e pasoi, me futjen në prodhim të makinës dhe energjisë të avullit dhe më pas të naftës e gazit, e qindra fishoj rendimentin e punës. Forca e dikurshme fizike e krahut të punëtorit i la vendin forcës të makinës dhe në ditët e sotme edhe inteligjencës artificiale. Sot nuk prodhohet për të plotësuar nevoja fiziologjike por për të plotësuar nevoja shpirtërore, artistike, sportive dhe estetike. Ka miliona lloje ushqimesh, veshjesh, veturash, ndërtesash, romanesh, pjesë muzikore dhe po aq veprimtari të tjera zbavitëse. Francezët për këtë thonë atë shprehjen e njohur: “pour tous les gouts et pour tous les bourses” (për të gjitha shijet dhe për të gjitha kuletat). Kjo është magjia e lirisë të individit, e personifikuar tek – Tregu.
Natyrisht Tregu krijoi edhe shumë pabarazi sociale dhe veprimtari jo të dobishme, pse jo edhe të dëmshme si droga, prostitucioni, krimi i organizuar, korrupsioni, që lulëzuan falë lirisë të individit që është në themelin e shoqërisë kapitaliste. Kjo është në natyrën egoiste të njeriut.

Me sa duket kriza të tilla botërore, si pandemia e tanishme virusale, janë si ai tërmeti që e ve në provë ndërtesën. A do t’i rezistojë ajo këtij termeti apo do të shëmbet? Unë besoj se nuk do të ndryshojë ndonjë gjë e madhe.
– Mbase do të rishihet roli i pakufizuar i Tregut në shoqëri; mbase do të rishikohet roli i shtetit në mbrojtje më të mirë të shtresave në nevojë (shteti social); mbase do të ringjallet më shumë solidariteti mbarë njerëzor që predikon feja; mbase të gjitha nga pak sëbashku.

Por Kapitalizmi, me thelbin e tij të lirisë të individit, të nisiativës të lirë, të konkurencës të nderçme, që kanë qenë motori i sistemit, nuk do të preken sepse ato janë baza e prodhimit, e krijimit të të mirave materiale, aq të shumëllojshme dhe të pa imagjinueshme para tij.
Nuk mund të shpërndajmë më shumë, më mirë e më drejt (drejtësia sociale), nëse paraprakisht nuk prodhojmë më shumë! Dhe nuk mund të prodhojmë më shumë pa njerëz të lirë. Kjo është, sot për sot, natyra e njeriut. Nesër?…ku i dihet!

PS. Statusi përkon me përvjetorin e vdekjes të një diktatori që u vrau shqiptarëve Lirinë.